1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Nga Roald A. HYSA: Imazhe të shtrembëruara mediatikisht dhe historikisht

Më të lexuarat

Turku që përdhunon dhe na pushton është një klishe e stërmunduar tashmë nga penat e shkruesve dhe të skicuesve perversë. Bombat dhe shashkat mediatike nuk kanë të sosur, sidomos kur vjen fjala për turqit dhe shqiptarët. Deri dje rilindasit tanë u përpoqën maksimalisht për të shmangur përplasjet midis besimeve fetare, duke i ndriçuar shqiptarët mbi gjuhën dhe kombësinë e tyre. “Njëri thot jam Shkja/ Tjetri Latin,/ Njëri jam grek,/ Tjetri kam din/ Po jeni Shqiptarë të gjithë more t’mjerë…”. Porse rilindasit nuk e kishin parashikuar që këta të sotmit do t’i frynin zjarrit të përçarjes përsëri nëpërmjet imazhit të turkut pushtues e zullumqar, i cili po përdhunon gratë e krishtera dhe po ju bie më qafë të krishterëve të pafajshëm për ndoca interesa të kësaj bote.

Emërtimi TURK shumë vonë ka marrë kuptimin e kombësisë, dhe kanë qenë reformat e Mustafa Qemalit ato që ia dhanë këtë kuptim të ri. Në Turqinë evropiane, apo, siç i themi sot, Ballkan, turq ishin shqiptarët dhe boshnjakët, prandaj edhe rilindasve tanë iu desh një punë e madhe për t’i diferencuar kuptimet midis kombësisë dhe fesë, e për të çimentuar termin shqiptar më pas, e jo si këta të sotmit, që janë gati ta djegin jorganin për një plesht. Një plakë e vjetër labe para pak vitesh ia shpjegonte kështu nipit të vet të qenit TURK, kur nipi i vet e pyeste, pse jemi turq?…: “Nga besa jemi turq, për nga kombësia jemi shqiptarë”. Një aksiomë e thjeshtë, e shpjeguar akoma më thjeshtë prej një gruaje plakë, e cila sot do të quhej e dalë mode me atë napën e bardhë të hedhur mbi kokën plot thinja.

Rreth 20 skica me pamje të theksuara erotike tregojnë tmerret e përjetuara gjatë periudhës së luftërave ballkanike nga femrat, të përdhunuara rregullisht nga ushtritë e ndryshme. Ajo që përbën shqetësim është se një portal lajmesh shqiptar, i apasionuar pas scoop-eve mediatike, i paraqet këta ushtarë si turq, e, për pasojë, edhe si muslimanë, të cilët po përdhunojnë gratë e krishtera. Në fakt, aty dominojnë veshjet sllave, madje edhe aty ku duken sikur janë me veshje “shqiptare”, dukshëm janë malazezë. Ndërkaq, po t’i shikosh me vëmendje, ato duket që janë skica propagandistike, të cilat u shërbyen shteteve të reja ballkanike për të justifikuar copëtimin e Turqisë evropiane dhe rritjen e sipërfaqeve të territoreve të tyre. Serbët kërkonin një dalje në Adriatik, malazezët kërkonin Shkodrën, bullgarët kërkonin daljen dhe marrjen e Selanikut, grekët donin të vinin deri në Shkumbin, etj., etj. Ndërkohë, na duhet të kujtojmë këtu se ishin pikërisht serbo-malazezët e grekët ata që përdhunuan popullsinë shqiptare, që e vranë dhe e masakruan pa mëshirë.

Këto janë fakte historike të përcjella gjerësisht nga të gjitha gazetat perëndimore nëpërmjet reporterëve të tyre të luftës, madje njëri prej tyre është pikërisht Leon Trockij, i cili i raporton krimet sllave me shumë besnikëri. Një element që e shfryn këtë tullumbace mediatike është se ato janë skica, në një kohë kur tmerret e luftërave ballkanike janë të dokumentuara edhe me fotografi e xhirime me kamera kinematografike. Tashmë para publikut shqiptar janë shfaqur tmerret e pushtimit të Janinës dhe të masakrimit të ushtrisë turke e shqiptarëve që e mbrojtën atë, të rrethimit të Shkodrës dhe pamjet se si njerëzit vdisnin nga uria. Por ngjan se janë më të vlefshme skicat e një artisti, i cili me sa duket ka ditur të paraqesë pozicionet  e ndryshme dashurore dhe fytyrat e shpërfytyruara të përdhunuesve, sesa fotot e një realiteti të vuajtur në kurriz të shqiptarëve.

Ja se si e përshkruan situatën e atyre viteve poeti ynë i madh Gjergj Fishta përpara audiencës së Fuqive të Mëdha në Paris, më 1919:

““Kur qe, shtetet e vogjël të Ballkanit, – qi Shqipninë e kanë pasë mbajtë si një trashigim të tyne – tue pa se nëpër autonomi Shqipnia po u dilte dore përgjithmonë, çohen e i qesin luftë Turqisë. E vërtetë qi nji pjesë e shtypit evropjan e përshndeti këtë luftë si nji luftë kryqtare për librim të popujve kristianë prej zgjedhes otomane: por ajo, në vetveti, nuk kje tjetër, veçse nji luftë rrënimi çue peshë prej kristjanëve të Ballkanit për me rrënue Shqipninë e me humbë të mjerin kombin shqiptar.

Në vjetin 1912 kërcet Lufta Turko-Ballkanike e ballkanikët pushtojnë Shqipninë. E mirë; shka bajnë këta? Njiherë mbysin, pak me thanë, dyqindëmijë shqiptarë: vrasin meshtarë katolikë, pse s’ndigjojnë me mohue fenë; grijnë myslimanë, pse nuk duen me dalë dinit; rrenojnë me themel qinda e qinda katundesh, veç si të munden me e farue kombin shqiptar. Në vjetin 1914 ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash  së poshtërme, pushtojnë Shkodrën.”

E historia e ka treguar me fakte që turqit dhe ushtritë e tyre u larguan paqësisht dhe i mbrojtën këto troje deri më 1914-ën, kur filloi Lufta e Madhe dhe atyre iu desh të hiqnin dorë nga Ballkani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit