Kjo që do t’ju rrëfej më poshtë, është ilustrim konkret i pasojave të pariparueshme që lënë në psikikën e fëmijës të gjitha ato spektakle me skenare monstruoze, medemek për fëmijë, që shfaqen ditë pas dite në ekranet tona.
Së shpejti vjen 1 Qershori dhe në klasën e vajzës time po përgatiten për ta festuar gëzueshëm, ashtu siç është festuar çdo vit. S’kam asgjë kundër kësaj feste, përkundrazi, më bëhet zemra mal kur fëmijëve u krijohen mundësi argëtimi e festimi në këto kohë të trishta që jetojmë.
Ndër përgatitjet për festën, bashkëmoshatarët e vajzës time kishin zgjedhur edhe dy kërcime. Njëri prej tyre do të ishte tradicional popullor dhe një tjetër me muzikë të huaj. Te kërcimet tradicionale shqiptare kishin parë si të kollajshëm kërcimin e Napolonit. Bukur deri këtu!
Kur ma tregoi ime bijë, sinqerisht që m’u bë qejfi, se helbete motivet kombëtare s’ka njeri të mos i dojë! Çudia e çështjes nis nga ajo që më tregoi më pas, e që më shkaktoi një reaksion të brendshëm dhe më vuri në lëvizje.
E theksoj që në krye të herës, se mësuesja u kishte lënë ca kohë që t’i zgjidhnin këngët në mënyrë të pavarur e më pas t’i konsultonin ato me të.
Gjatë provave me njëri-tjetrin, fëmijët e braktisën shumë shpejt Napolonin, me pretekstin se nuk dinin ta kërcenin. Si version të dytë kërcimi, në fillim kishin zgjedhur këngën “E bardh a jeshile”, që nuk ju gënjej nëse ju them se ishte hera e parë që e dëgjoja si titull kënge. Pas kërkimeve, më rezultoi se ishte një këngë e Noizy’t, një hit droge. E shqetësuar flas me time bijë, që më pas u thotë shoqeve të veta, të cilat me sa duket “ndërgjegjësohen” disi dhe e heqin si alternativë, dhe jo për shkak të tekstit të saj, por sepse ishte “këngë çunash”.
Pas disa ditësh, ime bijë më vjen nga shkolla me një version të ri të zgjedhur për shfaqjen. Ata kishin menduar të merrnin një këngë të Dua Lipa-s, me titull: “IDGAF” (I don’t give a f*ck!), që me një përkthim “të butë”, në shqip do të kishte kuptimin: “S’ma ndjen fare!” Dhe nuk mbyllej me kaq. Për ta kërcyer një këngë të tillë, “kryesia” e klasës na kishte vendosur që vajzat duhej të visheshin me pantallona të shkurtra dhe me bluza të shkurtra, në mënyrë që të ekspozohej kërthiza. Ime bijë kishte refuzuar. Pas këtij refuzimi, “kryesia” e klasës kishte dalë me një vendim të dytë (dhe këtu shihni me kujdes se ç’lloj perceptimi u është injektuar në tru fëmijëve!), sipas të cilit, vajzat që NUK UA LEJONIN PRINDËRIT të visheshin me të shkurtra e me bluza të atilla, mund të vishnin kanotiere poshtë.
Ime bijë më erdhi në shtëpi si e ndjerë në faj, duke më thënë se ajo do të dilte fare nga grupi i kërcimit, sepse nuk donte të vishej/zhvishej ashtu. Vura re se ndonëse kishte kundërshtuar, ajo sërish ndihej si e përjashtuar nga grupi. I shpjegova se kundërshtimi i saj kishte qenë i denjë e se nuk kishte aspak lidhje me lejimin a moslejimin e prindërve, por me faktin se veshje të atilla ishin të papërshtatshme për moshën e tyre të vogël. Ato janë vetëm 10 vjeç!
Nuk ma do mendja të ketë ndonjë prind që dëshiron ta përjashtojë fëmijën e tij nga grupet e argëtimit, fetar a jofetar qoftë ai prind, por pjesëmarrja në grupe të tilla argëtimi nuk mund të ketë një çmim kaq të turpshëm, ku fëmijët dalin krejtësisht nga formati i moshës së tyre dhe bëjnë kërcime të pahijshme e veshin veshje të papërshtatshme.
E pashë të domosdoshme të reagoja dhe të vija në dijeni mësuesen për problemin që më shqetësonte mua si prind, por edhe time bijë. Nuk e di me saktësi, por ka shumë gjasa të kem qenë prindi i parë dhe i vetëm që kam reaguar për këtë gjë, sepse vetëm pasi i shkrova dhe ia qartësova situatën mësueses, gjërat ndryshuan krejtësisht. Ime bijë më tha se situata ishte rregulluar, por që unë u kisha bërë një “dëm” të madh atyre vajzave të grupit të kërcimit: tashmë, ato nuk dinin më se ç’të vishnin!
Aty mësova se pantallonat e shkurtra dhe bluzat që ekspozonin kërthizën na kishin qenë jo vetëm zgjedhja e tyre më e mirë, por edhe e vetmja!
Në fund shtroj pyetjen: a jam unë një prind me mendësi ‘prapanike’, që s’po i kapërdij dot disa diktime të përdhunshme që bëhen ndaj fëmijës tim, apo kjo shoqëri po normalizon ditë pas dite disa sjellje dhe qëndrime, që s’janë aspak normale?! /tesheshi.com/