3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nga Ilirjan SHEHU: Politically Correct: Harmonia Ndërfetare, Proçka e Nanos, dhe Europa

Më të lexuarat

Në një shkrim timin të para disa viteve në Salon.com, një nga gazetat online më të njohura që trajtojnë politikën amerikane, pata kritikuar kineastin e famshëm Michael Moore. Atëkohë Moore kish përkrahur prezantuesin e njohur Bill Maher në debatin e fortë dhe të bujshëm që Maher dhe akademiku Sam Harris (tashmë edhe ky një celebrity në median amerikane) patën me aktorin e famshëm Ben Afleck. Ideja që Maher dhe Harris përkrahnin është një ide e thjeshtë në pamje të parë dhe që përkon edhe me tregimin e propaganduar me forcë në media sipas të cilit të gjithë muslimanët, kush më shumë e kush më pak, janë pasues të një ideologjije e cila në thelb ka terrorin. Sipas Harris popullsia muslimane e botës mund të përfytyrohet e ndërtuar në rrathë koncentrikë. Në rrethin e qëndrës janë të vendosur jihadistët (al Kaida, ISIS etj.) të cilët ndiqen në rrethin tjetër nga islamistët (organizata që punojnë nën struktura demokratike por me qëllimin për ti përmbysur ato). Këto dy rrathë, thotë Harris, janë 20 përqind e muslimanëve. Pjesa tjetër, 80 përqind, janë muslimanë konservatorë që kanë pikëpamje shumë shqetësuese për të drejtat e njeriut. Si rrjedhim, në minimum muslimanët nuk mund të integrohen në shoqëritë perëndimore ndërsa në maksimum janë të gjithë potencialisht të rrezikshëm për shoqërinë.

Ky është në thelb edhe argumenti i dy shkrimeve të fundit të gazetarit Mustafa Nano të botuara në gazetën Mapo megjithëse i shprehur paksa ndryshe. Në shkrimin e parë, “Myslimanët nuk jane shumicë por edhe sikur të ishin …” duke u munduar të argumentojë se muslimanët në Shqipëri nuk janë shumicë (54% në censusin e fundit, 23% më pak nga censusi i mëparshëm), Nano është i mendimit se muslimanët dalin si shumicë vetëm nëse konsiderohen si të tillë edhe ata që sipas tij të përbashkët me Islamin kanë vetëm traditën, sic është edhe rasti i vetë z. Nano. Më tej Nano shpjegon se muslimanë të vërtetë mund të quhen vetëm ata që bëjnë shehadetin, falen, agjërojnë, nuk konsumojnë alkol, nuk luajnë bixhoz, nuk marrin fajde, që vendosin fenë përpara Skënderbeut, që Islamin e shohin si të vetmen fe të vërtetë dhe të përbotshme etj. etj. Sipas tij ky është niveli bazik i të qënit musliman. Kushdo që nuk i bën këto për Nanon nuk është dhe nuk duhet të konsiderohet musliman ndërkohë që sipër këtij niveli vijnë ata që mbulojnë gratë, nënshtrojnë e keqtrajtojnë femrat, që nuk duan muzikën e me rradhë deri tek ata që luftojnë për ISIS. Versioni i Nanos nuk është tjetër përvecse rrathët koncentrikë të Harris që përshkrova më parë me të vetmin ndryshim se Nano e fillon nga 80 pëqindshi dhe mbaron tek 20 përqindshi. Ai gjithashtu ankohet edhe se muslimanët janë shumë laramanë dhe se nuk gjen dot dy muslimanë që të interpretojnë njëlloj fenë e tyre edhe pse lexojnë të njëjtin libër Kur’anin. Nano ka frikë se të qënit shumicë e muslimanëve shqiptarë është një rrezik politik. Për ta ndaluar këtë “abuzim” me termin ‘shumicë’ Nano propozon një census ku qartësisht të ndahen ata që jane muslimanë “tradicionalë” nga ata të niveleve të tjera që ai ka paracaktuar. Nëse kjo bëhet, sipas Nanos muslimanët dhe gjithë fetë e tjera nuk dalin shumicë.

Në shkrimin e dytë me titull “Politically Incorrect: Cfarë ka që nuk shkon sot me Islamin” Nano vazhdon të njëjtën linjë argumenti duke sjellë si provë një anketë në Britaninë e Madhe e cila mbështet përfundimet e Nanos në shkrimin e parë: muslimanët jo vetëm nuk duan të integrohen, por e kanë të pamundur për shkak të të qenit musliman! Edhe këtu Nano thekson rrezikun politik që ka zënë Europën dhe që rrezikon edhe trojet shqiptare. Por, ndryshe nga shkrimi i parë, ai zgjidhjen e sheh tek Islami tradicional shqiptar ose sic do të thoshte Sam Harris, muslimanët e “moderuar.” Sic them në shkrimin tim në Salon.com, për Mustafa Nanon dhe ata që mendojnë si ai në rastin më të mirë muslimanët janë një tufë të prapambeturish që keqtrajtojnë femrat ndërsa në rastin më të keq terroristë qafë-prerës e vetëshpërthyes të cilët urrejnë perëndimin dhe “mënyrën tonë të jetës.” Këto janë idetë e Mustafa Nanos, ide aspak origjinale sidomos në rrethet konservative. Sigurisht, në rolin e gazetarit dhe jo të akademikut dhe në kontekstin shqiptar, Nano, i cili prezantohet si i majtë dhe progresist, të tilla nuance duket se i kanë shpëtuar. Pavarësisht veshjes me ngjyra progresiste, atdhetare etj. ato janë në thelb ide raciste. Në fakt edhe zezakët apo vendasit amerikanë janë portretizuar më parë si grupe të prapambetura dhe që rrezikonin mënyrën e jetës së perëndimorëve.

Kundërthëniet dhe konfuzionet e argumentit të Nanos janë pothuaj self-defeating. Pas periudhës së komunizmit ku feja u ndalua dhe pas emigracioneve massive që vazhdojnë edhe sot gjatë të cilave shumë shqiptarë që emigruan në Greqi u vaftisën në ortodoksë ndërsa të tjerët që përfunduan në Europën perëndimore u konvertuan në emra, kulturë e fe në katolikë (dhe më pak në protestantë) ishte në fakt surprizë që censusi i fundit i nxorri shqiptarët muslimanë të Shqipërisë akoma shumicë. Ndërkohë në trojet e tjera të banuara me shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni popullsia nuk ka kaluar në të njëjtat procese politike-ekonomike dhe debati a janë muslimanët shumica apo jo është akoma më tendencioz. Po aq tendencioz është edhe kategorizimi në muslimanë tradicionalë (që për Nanon nuk janë muslimanë pasi ata pijnë raki e nuk falen përditë), bazikë (që keqtrajtojnë femrat) dhe të avancuar (luftëtarë të ISIS). Kjo pasi nga ana feare, dhe besoj Nano këtë e di, që dikush të konsiderohet musliman kërkesa e vetme është shprehja e besimit (apo shehadeti). Përtej kësaj cdo veprim është shprehje e vullnetit individual për të praktikuar më shumë apo për tu mjaftuar me aq. A është musliman ai që fal vetem Bajramin dy herë në vit? Po ai që vetëm agjëron (dhe në Shqipëri ka plot të tillë)? Po ai që nuk bën asnjë nga këto por shprehet se është musliman kur e pyesin (sic dëgjohët shpesh shprehja edhe unë musliman jam por e pi rakinë!) Propozimi i Nanos për të ndarë identitetin fetar nga ai tradicional pra është krejt arbitrar dhe i mbështetur jo në bindjen e personit që e deklaron përkatësinë (një gjë që ka ndodhur dhe me prindërit e vetë Nanos sic ai tregon) por në bindjen e Nanos se cili është identitet fetar dhe cili tradicional!

Nano bie këtu në një kundërthënie edhe më të fortë. Duke u munduar të zgjidhë “Problemin Musliman” (që tashmë nuk është shumë i ndryshëm nga “the Jewish Problem” që Europa kishte 100 vite më pare: shih http://www.independent.co.uk/news/uk/home-news/sun-muslim-problem-investigation-jewish-islamic-ipso-trevor-kavanagh-nazi-propaganda-tabloid-news-uk-a7894231.html) Mustafa Nano del në konkluzionin se që Shqipëria të mbetet e paqtë dhe multifetare ajo që muslimanët “ … duhet të bëjnë është që t’i mbahen fort Islamit të traditës sonë” të kohës osmane dhe asaj menjëherë pas-osmane dmth. nacionaliste. Por cilët janë këta muslimanë që do ti përmbahen kësaj tradite? Ata të nivelit bazik? Ata që vrasin me gurë? Apo ata që luftojnë për ISIS-in? E nëse Islami qenka në thelb dhunë dhe muslimanët në thelb terroristë potencialë cfarë mund të bëjë tradita? Argumenti i Nanos nuk lë alternative tjeter. Këta muslimanë të kategorizuar, sterilizuar dhe homogjenizuar prej tij, të cilëve Nano u heq dhe të drejtën e të paturit mendime dhe interpretime të ndryshme për fenë e tyre (As nuk e kuptoj cila është kritika këtu pasi nuk ka kuptim ta kritikosh dike sepse është njeri! A thua se gjithë hindutë, të krishterët, liberalët, nacionalistët apo komunistët janë në një mendje për ideologjitë e tyre ndërsa vetëm muslimanët janë konfuzë apo ndoshta dhe hileqarë), të ndarë jo vetëm nga tradita por edhe nga realiteti shqiptar, të rrezikshëm si grup (dhe jo individualisht) mund të pranohen në shoqëri vetëm nëse i binden … traditës! Akoma më keq, e vërteta është se edhe kjo “traditë” që Nano imponon është një prodhim i imagjinatës dhe kushteve politike-ekonomike të sotme. Ndërsa është e vërtetë që ka patur një traditë tolerance kur muslimanët shqiptarë ishin të pushtetshëm gjatë perandorisë osmane (dhe kjo sigurisht me përjashtimet e saj), periudha pas shpalljes së pavarësisë e këndej ka parë në shumicën e kohës një trajtim të tyrin si tradhëtarë të kombit (për shkak të konvertimit në muslimanë), shkaktarë të prapambetjes së kombit shqiptar dhe, që nga rënia e komunizmit, qytetarë të dorës së dytë që janë gjithnjë të dyshuar dhe a priori fajtorë.

Ky është në fakt edhe argumenti tjetër i Nanos sipas të cilit konvertimi në muslimanë “Ka qenë proçka më e madhe në histori që kanë bërë shqiptarët” dhe se ky “…akt kolektiv na ndërroi udhën e fatin në histori, na ndryshoi njëherë e mirë, na shkuli me shpirt, mendje, mendësi, doke, zakone prej botës ku banonim e banojmë, e na zhvendosi dhjetra qindra kilometra më tutje, na bëri pjesë të një qytetërimi tjetër, të ndryshëm, i cili është parë prore si një nemesis i qytetërimit tjetër, të cilit ne i përkasim gjeografikisht, në një farë mase edhe historikisht.” Përtej studimeve të shumta që tregojnë jo vetëm që Islami nuk erdhi mes shqiptarëve me turqit (Nano me bindje shprehet se Islami shqiptar është më i vjetri në Europë pas atij boshnjak dhe bullgar! dhe harron Spanjën apo Italinë jugore. Për Islamin mes shqiptarëve para-osmanë shih Nexhat Ibrahimi, “Islam in Illyrian-Albanian Lands”), përvec fakteve që provojnë rolin e kësaj feje në forcimin e shqiptarëve si etni në Ballkan, argumenti i Nanos është argumenti i një oportunisti politik që gjykon nga pozicioni i shekullit 21 veprimet e popullsisë shqiptare të shekujve 15-18. Nano akuzon muslimanët se bëjnë pikërisht këtë gjë me Skënderbeun kur e akuzojnë se ka vrarë vëllezërit e tyre muslimanë (që deri diku mund të jetë e vërtetë) por duke pare qimen në syrin e tjetrit ai harron traun në syrin e tij. Të përballur me alternativat e kohës, një pushtet osman përgjithësisht benevolent ndaj shqiptarëve, prezencën e tyre të rrezikuar në Ballkan, avantazhet ekonomike dhe politike, shqiptarët bënë një zgjedhje që kish kuptim për ta por të cilën pas 400 vitesh Mustafa Nano e gjykon si proçkë.

I gjithi ky arsyetim bazohet në idenë se nëse shqiptarët nuk do i kish pushtuar perandoria osmane ata nuk do ishin ndarë as brenda tyre (fetarisht) e as nga Europa. Nano pranon që ndarja nuk prodhoi konflikte (meritë e muslimanëve që kishin dhe pushtetin?), por nuk pranon të gjykojë nëse konvertimi ishte një përfitim etnik, social, politik dhe ekonomik për shqiptarët me pak pushtet dhe të kërcënuar nga fqinjët. Ai pranon ta gjykojë si proçkë konvertimin nga pozicioni i tij gjeo-politik dhe ekonomik i shekullit të 21 por nuk pranon të mundohet ta shohë situatën sic e shihnin shqiptarët e sh. 15-18. A nuk është kjo hipokrizi? Një minoritet periferik sic ishin shqiptarët dhe duke patur parasysh shpërndarjen e forcave në Ballkanin para-osman (me serbë, bullgarë, bizantine e italianë që zotëronin shumicën e territorit, me kulturën ortodokse mbizotëruese ndër shqiptarë), nëse do mbijetonin si etni, është krejt e dyshimtë që shqiptarët do mund të kishin edhe ndonjë shtet të tyrin e aq më pak ndonjë rol domethenës sidomos me fillimin e kolonizimit dhe krijimin e monarkive absolutiste. Kjo shihet qartë edhe nga historia e Skënderbeut dhe përpjekjet për të krijuar një principatë të tijën e cila edhe e marrë së bashku me zotërimet e tjera shqiptare mbetej gjithsesi një territor shumë i kufizuar malor brenda të cilit nuk kishte vetëm shqiptarë por edhe sllavë. Por edhe nëse pranojmë pozicionin e Nanos dhe nuk japim gjykim për fatin e shqiptarëve duhet si minimum të themi se konvertimi masiv i shqiptarëve nuk krijoi vetëm ndarje mes tyre por edhe bashkim, prodhoi një shumicë absolute që rezistoi si e tillë për disa shekuj. Vetëm në fillim të shekullit të 20të e këndej mund të flasim për ndarje të tyre, ndarje kjo e kondicionuar nga ekonomia politike e re që solli dominimi i shqiptarëve nga Europa. Eshtë kjo ndarje e fillimshekullit të 20të që i bën të mundur Mustafa Nanos dhe të tjerëve që të flasin për ndarje mes shqiptarëve dhe jo konvertimi i shekullit 15-18!

Pra konvertimin në Islam mund ta quajmë proçkë vetëm nëse si Nano, krejt irracionalisht, vendosim gjyslykët bythkavanozi të nacionalizmit të shekullit të 19 dhe nga situata politike-ekonomike e shekullit 21 i projektojmë shekullit të 15-18 idetë tona. Vetëm kështu mundet të japim një gjykim të tillë. Nëse ndjekim deri në konkluzion logjikën irracionale të Nanos pas 200-300 vitesh të tjera, nëse Rusia dhe jo Europa është qendra e pushtetit ekonomik-politik, stërnipi i Nanos do mallkojë Skënderbeun që u bë musliman e katolik dhe na largoi nga ortodoksia, do mallkojë nacionalistët shqiptarë të 1912, demokracinë e pas 1991 dhe stërgjyshin e tij Mustafa. Një logjikë e tillë mund t’i applikohet cdo eventi historik ku pushteti politik-ekonomik e bashkë me të edhe ai kulturor kalon nga një zone në një tjetër.

Fatmirësisht Nano i quan shqiptarët muslimanë shqiptarë me titull të plotë pasi nuk ka fakte historike, thotë ai, se janë të ardhur (vaj medet po të kishte! Kjo gjuhë të kujton Spanjën e 1492 apo Gjermaninë naziste. Megjithatë edhe kjo nuk është e vërtetë. Ka plot vllehë, cerkeze, egjiptianë, grekë, sllavë e turq që me kalimin e kohës janë shqiptarizuar). Që bashkëjetesa të funksonojë sipas Nanos (dhe jo vetëm) muslimanët shqiptarë duhet ti binden “traditës” që ai imponon, miteve të saj, irracionaliteteve të saj. Nëse kjo nuk ndodh atëherë Shqipëria rrezikon atë që sipas tij i ka ndodhur Europës ku muslimanët janë të ardhur, pakistanezë, arabë, etj. Nano i imagjinon keta emigrantë si pa kontribute në shoqëritë ku jetojnë e madje edhe kur janë të lindur në këto vende nga dy apo tre breza ata mbeten përsëri “të ardhur” dhe nuk fitojnë dot statusin e vendasit edhe pse shpesh nuk kanë njohur atdhe e gjuhë tjetër në jetën e tyre. Sipas tij problem për integrim nuk janë politikat dhe kushtet shoqërore ekonomike me të cilat ata përballen në Europë dhe racizmi nacionalist që shpesh i karakterizon ato, por feja! Ai citon një anketë të kryer në Britani rreth një vit më parë nga Gatestone Institute (https://www.gatestoneinstitute.org/7861/british-muslims-survey) sipas të cilit një numër i madh përkrahnin ISIS, vetëvrasjet etj. Ajo që i majti dhe progresisti Nano nuk na thotë është që ky institut është një institut tejet konservativ, chairman i të cilit nuk është ndonjë britanik por një amerikan, John Bolton, ish-ambasador i presidentit Bush në OKB, përkrahës i fortë i Trump, dhe një nga promovuesit më të mëdhenj të islamofobisë. Nano, gjithashtu, nuk tregon as dhe për kritikat ndaj kësaj ankete si p.sh. këtu: https://www.nytimes.com/2016/04/15/ëorld/europe/poll-british-muslims.html?mcubz=0. Aq më keq kur një gjykim i tillë vjen nga një intelektual shqiptar i cili i di dhe i njeh vështirësitë e cdo etnie, përfshi atë shqiptare, për tu integruar në shoqëritë europiane që fillojnë që nga vështirësitë burokratike me të cilat cdo emigrant përballet deri tek racizmi ndaj të ardhurve. Në kontrast të hapur me këtë qëndron emigrimi i refugjatëve sirianë në Kanada, 50 mijë syresh në keto dy vite. Të mbështetur nga shteti që në fillim, të pajisur me gjithë dokumentet e nevojshme dhe duke gëzuar të gjitha të drejtat që gëzon cdo qytetar i rregullt (përvec të drejtës për votim të cilën e fitojnë në momentin që marrin qytetarinë) i kanë hyrë edukimit të mëtejshëm apo punës dhe jetojnë si cdokush tjetër. Sigurisht që jo gjithcka është perfekte, por në një masë të madhe siguria politiko-ekonomike dhe niveli i ulët i racizmit i bëjnë gjërat më të lehta.

Sa i përket shqiptarëve pyetja mbetet se nga buron kjo frikë prej muslimanëve? A është e justifikuar apo krejt e paarsyeshme? Për mendimin tim asgjë nuk e justifikon atë. Dukuritë jihadiste mes muslimanëve janë një fenomen krejt modern. Para pushtimit amerikan kjo dukuri nuk njihej në Irak dhe Siri. Ishte bashkëpunimi perëndimor me jihadistët e Afganistanit dhe vehabistët sauditë kundër pushtimit rus që i dha rrugë fillimisht përhapjes së kësaj rryme. Në Shqipëri e Kosovë ky xhihadizëm nuk është aplikuar asnjëherë brenda vendit por vetëm jashtë tij si në rastin e Sirisë. Si do që të jetë, përtej bujës mediatike, tendenca të tilla nuk kanë qenë të përhapura dhe incidente (me sa di unë) nuk ka patur në asnjë territor shqiptar. Nga ana tjetër nuk mund të mohohet dhe përgjegjësia e komunitetit musliman për ti luftuar këto tendenca dhe përhapësit e tyre të cilët shpesh bredhin akoma të lire. Por a mjafton kjo për ti shpallur muslimanët si grup i rrezikshëm? Absolutisht jo.

Unë mendoj se frika e vërtetë nuk vjen nga ndonjë xhihad islamik në Shqipëri. Muslimanët shqiptarë kanë qenë përgjithësisht gjithnjë tolerantë dhe të afrueshëm me grupet e tjera. Eshtë po ashtu fakt historik i pranuar që ishin muslimanët shqiptarë që ndihmuan cifutët që i iknin persekutimit nazist dhe anti-semitizmit europian. Kjo frikë buron nga racizmi ideologjik i nacionalizmit shqiptar i cili e tregon muslimanin shqiptar si tradhëtar, të prapambetur, të pa civilizuar, shkatërrues i “ëndrrës europiane”. Pikërisht kjo ideologji e cila që pas rënies së komunizmit përzihet me diskurset e vjetra të Rilindjes Europiane të despotizmit lindor, superioritetit europian apo të luftës së civilizimeve (ku futen edhe rrathët koncentrikë të Harris/Maher dhe idetë e Nanos), tashmë të diskretituara në akademi por jo dhe në politikë, ku Islami dhe muslimanët paraqiten si armiq të betuar dhe të pandryshueshëm të qytetërimit. Këto ideologji pastaj përdoren nga elitat shqiptare, ato ultra-nacionaliste, fetare dhe politike të cilat herë për përfitim politik brenda vendit ku nacionalizmi blen vota dhe pushtet, herë për servilizëm ndaj perëndimorëve e here të detyruar prej tyre, e here për shkak të kompleksit të inferioritetit dhe dëshirës për tu njohur dhe pranuar në klubin ekskluziv perëndimor e paraqesin muslimanin shqiptar si rrezik që duhet mbajtur nën kontroll, survejuar, vecuar e kategorizuar.

Kjo është në të vërtetë “tradita” që Nano kërkon tu imponojë muslimanëve shqiptarë si kusht bashkëjetese dhe jo ndonjë traditë osmane apo nacionaliste. Eshtë vështirë të thuash nëse Nano e ka keqinterpretuar apo keqkuptuar theksimin e të qënit shumicë apo diskutimet politike të muslimanëve dhe kontekstin e tyre. Mendimi im është se theksimi i shumicës bëhet për të nënvizuar faktin që në një demokraci normale ata duhej të gëzonin të paktën të njëjtat të drejta si të tjerët. Muslimanët nuk kërkojn ndonjë xhihad në Shqipëri e Ballkan, as prishje të paqes apo rendit. Përpjekja e tyre është për t’u njohur dhe për tu pranuar si të barabartë. Kjo përpjekje kërkon në thelb refuzimin dhe hedhjen poshtë të miteve dhe ideologjive të shekullit të 19 ose të paktën reformimin e tyre. Ajo nuk është e ngjashme me ndonjë luftë xhihadiste por me lëvizjen e Të Drejtave Qytetare në Amerikë (Civil Rights Movement) për barazi politike, ekonomike dhe qytetare, për luftë ndaj racizmit, nacionalist, kulturor, ekonomik apo të cdo lloj forme tjetër. Për shumë arsye, politike, ideologjike, ekonomike kjo është e vështirë për t’u kuptuar prej Nanos dhe shumë të tjerëves, por sic tha Dr. Martin Luter King: I have a dream…Endrra është për nje shtet ku të gjitha grupimet, fetare, etnike etj. janë të barabarta para ligjit dhe kanë akses të njëjtë në pushtet, ku nuk ka tradhëtarë (shqiptarë me bisht i pat quajtur Anton Kcira), procka historike konvertimi, racizëm e diskriminim. Nëse duam të jemi europianë kjo është kahja e duhur dhe rruga për të siguruar bashkëjetesë ndërfetare. Pra në të vërtetë proçka është e Nanos. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit