ANKARA (AA) – Burcu Calik
Më shumë se nëntë milionë turistë të huaj e vizituan Stambollin në dhjetë muajt e parë të këtij viti, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria publikoi një raport i cili përmban të dhënat nga aeroportet Ataturku dhe Sabiha Gokcen, si dhe portet Haydarpasa, Pendik, Tuzla, Zeytinburnu, Ambarli dhe Karakoy.
Sipas këtyre të dhënave, Stambolli që nga fillimi i vitit është vizituar nga mbi 9.1 milionë turistë të huaj. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i turistëve të huaj arriti në 7.8 milionë. Vërehet një rritje prej 16 për qind sa i përket vizitorëve të huaj në Stamboll.
Vetëm në tetor qyteti u vizitua nga më shumë se 1.1 milionë turistë të huaj në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur Stambollin e kishin vizituar 790.951 turistë, një rritje prej 42 për qind.
Të dhënat e vitit 2017 janë shumë të afërta me ato të vitit 2015, kur ky qytet u vizitua nga 10.7 milionë turistë. Rritja është regjistruar edhe në trafikun ajror. Vitin e kaluar në Stamboll përmes linjave ajrore kanë mbërritur më shumë se 7.8 milionë turistë të huaj, dhe për dhjetë muajt e parë të këtij viti më shumë se 9.9 milionë.
Pjesa më e madhe e turistëve të huaj që vizitojnë Stambollin kanë ardhur përmes Aeroportit Ndërkombëtar Ataturk, 7.1 milionë prej tyre, kurse në Sabiha Gokcen 1.9 milionë.
Në dhjetë muajt e parë të këtij viti metropoli turk më së shumti është vizituar nga turistët gjermanë, të pasuar nga iranianët, sauditët, irakianët dhe rusët të ndjekur nga britanikët, francezët dhe amerikanët.
Vërehet edhe një rritje e numrit të turistëve nga Rusia, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për rreth 64 për qind. Po ashtu vërehet rritje edhe të turistëve nga Kina në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.