Në Shqipëri po marrin hov zhvillimi shërbimet e përkujdesjes, si për fëmijët ashtu edhe për të moshuarit. Kjo tendencë e huazuar nga modeli perëndimor ka ardhur si nevojë për disa arsye: më shumë gra në tregun e punës, mungesa e besimit tek institucionet arsimore parashkollore për të vegjlit, më tepër të moshuar që jetojnë vetëm me rritjen e emigracionit dhe plakja e popullsisë me ritme më të shpejta. Ky biznes po rritet dita-ditës, duke luftuar me “mendësinë” e shqiptarëve.
Nga Deada Hyka
Vite më parë nuk mendohej kurrsesi që një nënë t’i besonte fëmijën një gruaje në shtëpi dhe shpeshherë, gjendeshin zgjidhje duke iu besuar pjesëtarëve të familjes në rast se nëna ishte në marrëdhënie pune. Por, me rritjen e urbanizimit dhe shkëputjes nga familja e madhe bërthamë, një ndër sfidat që familjet shqiptare u përballën ishte përkujdesja e fëmijëve, sidomos për fëmijët e moshës 0-3 vjeç. Nga një vëzhgim në disa familje në kryeqytet, vihet re se më tepër se gjysma e tyre ua besojnë fëmijët një dadoje.
Kjo ka ardhur nga shumë faktorë: rritja e arsimimit të prindërve, tashmë të emancipuar me modelin perëndimor të të punësuarit të një dadoje në shtëpi; rastet e mëparshme të pranisë së dhunës në institucionet arsimore parashkollore në Tiranë; angazhimi më i madh i grave në punë dhe nevoja për të pasur një dado me orar fleksibël etj. Nga ana tjetër, si nevojë në rritje ka ardhur edhe përkujdesja ndaj të moshuarve. Një pjesë e madhe e të moshuarve shqiptarë jetojnë vetëm, ndërsa fëmijët janë ose në emigracion, ose të ndarë nga familja e madhe dhe të angazhuar me punë. Në kushtet e mungesës së kohës, ata punësojnë një person përgjegjës për shëndetin dhe përkujdesjen shtëpiake të të moshuarve.
Fillimisht, ky shërbim has vështirësi, duke marrë shkas nga mentaliteti i të moshuarve shqiptarë, që nuk pëlqejnë të kenë një të “huaj” në shtëpi, sidomos në rastin e vetëm një të moshuari, kur tjetri është ndarë nga jeta. Megjithatë, agjencitë kryesore në Tiranë tregojnë se kjo situatë po ndryshon dhe pjesa më e madhe e të rinjve që jetojnë jashtë, janë ata që punësojnë një person përkujdesës për prindërit e mbetur të vetëm në Shqipëri.
Familjet e shkëputura nga ajo bërthamë punësojnë një njeri që të kujdeset kur të moshuarit janë të sëmurë apo të paaftë për t’u kujdesur për veten. Agjencitë e kësaj fushe po “luftojnë” edhe me një mendësi tjetër, tradita e “fjalëve të gojës”. Shqiptarët punësojnë kryesisht njerëz të rekomanduar nga familjarë, miq, të njohur etj., kundrejt sugjerimeve nga agjencitë. Megjithatë, ky treg po sheh zhvillim edhe në vendin tonë, sidomos me ndryshimet demografike e projeksionet për të ardhmen në këtë drejtim.
Drejtuesja e një agjencie të tillë në Tiranë, znj. Keti Lame, thotë për “Monitor” se ky koncept biznesi është disi inovativ dhe i guximshëm për tregun tonë. “Në fakt, jemi befasuar pozitivisht nga reagimi i tregut shqiptar. Ideja ka ngjallur mjaft interes dhe ne çdo ditë marrim kërkesa për këto lloj shërbimesh. Jemi optimistë se gjërat po ndryshojnë për mirë”, – thotë ajo,
Sipas saj, familjet shqiptare ende nuk ndihen “rehat” me konceptin e një kujdestareje të panjohur, pavarësisht se përfaqëson agjencinë, të hyjë në familjen e tyre vetëm për një numër të kufizuar orësh. “Megjithatë kanë mjaft besim te ne për sa i përket gjetjes së një kujdestareje të mirë, me kohë të plotë, sipas kërkesave dhe buxhetit. Ndoshta sepse e kontrollojnë më mirë këtë proces. Kujdestaret janë kryesisht dado, kujdestare për të moshuar, infermiere për të sëmurë”, – tregon më tej znj. Lame.
Më shumë gra në tregun e punës
Kemi gjithnjë e më tepër gra në tregun e punës. Pavarësisht luhatjeve të normës së punësimit të tyre, gratë shqiptare janë më të arsimuara se më parë, më të nxitura për të punuar në profesione të ndryshme, më të kualifikuara dhe më tepër në pozicione drejtuese.
Nxitja e përfshirjes së grave në tregun e punës, duke marrë shkas edhe nga shkëputja e familjeve të vogla nga familja e dikurshme patriarkale, rritja e arsimimit të grave, si dhe sfidat ekonomike që rrisin nevojën e më shumë të ardhurave në familje, kanë bërë që të lindë nevoja e përkujdesjes së fëmijëve në forma private siç është punësimi i një dadoje.
INSTAT vlerëson se në tremujorin e tretë të vitit 2017, sipas Anketës së Punës, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ishte 58%, ndërsa për meshkujt ky tregues është 76%. Për meshkujt, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ka rënë me 1,2 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt është rritur me 0,7 pikë përqindje.
Papunësia mbetet më e lartë për meshkujt nëse do t’i referohemi shkallës zyrtare të papunësisë. Kjo shkallë te meshkujt është 14,3% kurse për femrat, 12,6%. “Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 26%. “Në terma vjetorë, shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2017 është 1,4 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e dytë 2017, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 0,4 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 10,6%. Në terma vjetorë, ky tregues pësoi një rënie prej 1,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë ka rënë me 0,2 pikë përqindje.
Më pak fëmijë, më shumë shpenzime
Sipas shifrave të INSTAT, në vitin 2017, në Shqipëri, kanë lindur 30,869 foshnje, duke shënuar rënie me 2,7%, krahasuar me 2016. Nga ana tjetër, është ulur edhe indeksi i fertilitetit. Dikur vendi ynë ka qenë i pari në Europë për numrin mesatar të lindjeve, me 7 fëmijë për një grua, aktualisht shifra ka zbritur në mënyrë drastike në 1.6. Ky ndryshim, në strukturën e familjes, u ka dhënë më tepër mundësi prindërve të shtojnë shpenzimet për fëmijët e tyre, një ndër të cilat mund të konsiderohet edhe të pasurit e një dado.
Sipas aktorëve të tregut, një pjesë e madhe e familjeve që punësojnë dado, e bëjnë këtë për fëmijë të moshës 0-3 vjeç, pasi nëna rikthehet në punë, pas lejes prindërore. Nga ana tjetër, dadot shpesh kërkohen dhe paguhen edhe për shërbime të tjera veç kujdesit për fëmijën, siç mund të jetë pastrimi i shtëpisë, gatimi etj. Keti Lame, nga agjencia “Ndihma plus”, tregon se më shumë se 50% e kërkesave janë për dado fëmijësh, por nuk mungojnë edhe ato për kujdes për të moshuar.
Sipas saj, agjencia funksionon në dy mënyra. “Mënyra e parë: mban përgjegjësi të plotë për shërbimin nga fillimi në fund dhe tarifon për orë. Rastet më tipike janë dadot për mbrëmje. Në mënyrën e dytë, pasi marrim kërkesën nga një familje për përkujdes, ne përpiqemi ta përputhim atë sa më mirë me listën e CV-ve që kemi për kujdestare në familje dhe i prezantojmë klientit disa alternativa. Njëherë që familja dhe kujdestarja bien dakord të bashkëpunojnë, ata vazhdojnë pa pjesëmarrjen e agjencisë. Agjencia faturon vetëm një herë, për shërbimin e ndërmjetësimit”, – tregon znj. Lame.
Dadot, edhe nga familjet ku gratë nuk punojnë
Për të gjithë ata që e dinë se çfarë do të thotë të kesh një fëmijë (por dhe më shumë) e marrin me mend se përkujdesja për ta është një punë sfiduese me kohë të plotë. Ndonjëherë, edhe gratë të cilat nuk janë të angazhuara me punë jashtë shtëpisë, kanë nevojë për ndihmë në shtëpitë e tyre me fëmijët. Sipas drejtuesve të agjencisë në Tiranë, kjo tendencë shfaqet kryesisht nga familjet me të ardhura të larta. Administratori i “Premium Group Albania”, Maksim Gërbi, tregon se burri i familjes paguan që zonja e shtëpisë të ketë një “dorë ndihme”, si për fëmijët, ashtu edhe në përkujdesjen e shtëpisë.
Problemi i çerdheve
Në harkun e një periudhe të shkurtër, nga Shkodra në Tiranë në vitin 2016 ndodhën ngjarje të cilat ngritën shumë pikëpyetje mbi natyrën agresive të sjelljes që ndodhin në çerdhet shqiptare. Ekspertët asokohe treguan se te prindërit shqiptarë nisi kriza e besimit dhe u bënë më tepër hetues, hulumtues, kërkues, mosbesues e gjykues, si detyrim për të mbrojtur fëmijët ndaj dhunës. Kjo nxiti më tepër marrjen e një dadoje në shtëpi, sidomos për moshën 0-3 vjeç, gjatë së cilës fëmijët ende nuk arrijnë të komunikojnë e të tregojnë për situatat që ndodhin.
Një tjetër problem i çerdheve që nxiti punësimin e dadove ishte “mbipopullimi” dhe mungesa e infrastrukturës së nevojshme. Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, në lidhje me numrin e fëmijëve në kopshte, raporti nxënës-mësues, shkon nga rreth 10 fëmijë në privat, në 17 fëmijë për mësues në kopshtet shtetërore. Megjithatë, këto shifra janë nxjerrë për të gjithë kopshtet në Republikën e Shqipërisë dhe jo vetëm për Tiranën në veçanti.
Si plakja e popullsisë shndërrohet në mundësi biznesi
Popullsia e Shqipërisë do të plaket me ritme të shpejta në tre dekadat në vijim. Ndryshimi demografik do të rrisë numrin e të moshuarve në popullatë, e si rrjedhojë moshimi do të krijojë tregun e përshtatshëm për shërbimet e përkujdesjes ndaj kësaj moshe, trend i cili ka nisur dy vitet e fundit në Tiranë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, në statistikat e përditësuara të 2017-s për popullsinë globale, parashikon që mosha e mesatare e shqiptarëve do të arrijë në vitin 2055 në 50.6 vjeç nga 36.2 vjeç që ishte në vitin 2015. Në vitin 1950, mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë ishte 21 vjeç, për shkak të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që u shoqërua me një bum lindjesh në të gjithë Europën, përfshi dhe Shqipërinë. Mosha mesatare parashikohet të ketë rritje të vazhdueshme.
Sipas skenarit të mesëm të rritjes së OKB-së do të arrijë në 41,5 vjeç në vitin 2030. Shqipëria do të ketë arritur moshën aktuale mesatare të Europës pikërisht në vitin 2030. Popullsia e Shqipërisë jo vetëm që do të plaket, por strukturat e moshimit parashikohen të ndryshojnë në të ardhmen. Sipas të dhënave kombëtare deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th. plakje në bazë të piramidës.
Maksim Gërbi thotë se po ndryshon mendësia në drejtim të këtij sektori, pjesa më e madhe e kërkesave vijnë ose nga intelektualë, që në ngjashmëri me modelet perëndimore, kërkojnë edhe një bashkëshoqërues, përveçse një njeri që të përkujdeset. Pjesa dërrmuese, sipas tij, janë të moshuarit e sëmurë ose të paaftë për t’u kujdesur për veten, fëmijët e të cilëve janë në emigracion.
Z. Gërbi tregon se në të gjithë përvojën mbi 10-vjeçare të agjencisë që drejton, e sheh këtë sektor në zhvillim dhe thekson se po rritet më shumë te shqiptarët besueshmëria drejt një agjencie. “Në rastin konkret, agjencia po shndërrohet në një aktor më të besueshëm. Kjo ndodh sepse ne apo dikush tjetër, vjen si garanci për familjet. Qoftë në rastin e fëmijëve apo të të moshuarve. Agjencia del garant për profesionalitetin, besueshmërinë, ndershmërinë e personave që dërgojmë. Aq më tepër që kemi nisur edhe programin e trajnimeve për persona të tillë, përpos kualifikimeve që kanë. Ndërkohë që më parë funksiononte më tepër me sugjerime, por familjet kanë mbetur të zhgënjyera shpeshherë, për arsye neglizhence apo më keq, vjedhjeje. Modeli që agjencia sjell, në rastin e personave për përkujdesje, është ai perëndimor dhe kjo situatë do të ndryshojë shumë shpejt në Shqipëri, do të marrë hov zhvillimi”, – thotë ai më tej.
Problemet e të moshuarve
Sipas studiuesve të tregut të “biznesit të të moshuarve” siç e quajnë ndryshe, disa nga problemet që “nxisin” zhvillimin e këtij sektori janë: problemet shëndetësore në popullatë, rritja e arsimimit që përkon me ndryshimin e mendësisë, si dhe përfshirja më tepër në skemën e pensionit (shtetëror ose privat).
Sa u përket problemeve shëndetësore, Indeksi i Europian i Shëndetit (EHCI) e rendit Shqipërinë në zonën e kuqe në hartën e Europës, si vende me problematikë të lartë në sektorin e shëndetësisë. Indeksi vë në dukje se Shqipëria ka burime të kufizuara të kujdesit shëndetësor. Shqiptarët shkojnë te doktori vetëm kur janë në gjendje të rënduar. Nga ana tjetër, sipas të dhënave më të fundit të Our World in Data, një shqiptar ka gati dyfish shanse të vdesë prej sëmundjeve kardiovaskulare se mesatarja e botërore e vdekjeve.
Tregu botëror
Në botë, industria babysitter pa pasur ecuri të mirë gjatë pesë viteve të fundit, pasi rritja e nivelit të të ardhurave dhe përmirësimi i kushteve ekonomike kanë ndihmuar në gjallërimin e kërkesës për të tilla shërbime.
Një studim i ri amerikan tregon se kostoja mesatare e një babysitter është në rritje. Normat e orëve për babysitters variojnë nga rreth $ 11 në gati $ 20 në orë. Sondazhi i zhvilluar në 10,000 familje u fokusua në çështjen se sa paguajnë për shpenzimet për kujdesin e fëmijëve në shtëpi.
Çmimet ndryshonin nga njëri vend në vendit, me Nju Jorkun dhe San Franciskon si më të shtrenjtët. CEO i Urbansitter, Lynn Perkins, thotë se një nga arsyet se pse kostoja e një babysitter vazhdon të rritet është se prindërit gjithnjë e më shumë po përdorin studentët e kolegjeve dhe jo fëmijët e shkollave të mesme për kujdesin e fëmijëve. Anketa zbuloi se një Ndihmës i Nënave paguhet mesatarisht rreth 13 dollarë në orë. Një Ndihmës i Nënave është zakonisht dikush që shikon fëmijët më të vegjël, ndërsa nëna është në shtëpi. Më shumë se 62% e familjeve të anketuara thanë se paguan më shumë se 20,000 dollarë çdo vit për një dado.
Industria e shërbimit të kujdesit për të moshuarit përbëhet nga persona të kualifikuar të kujdesit ndaj pleqve, agjencitë e kujdesit shëndetësor në shtëpi, agjencitë e shërbimeve sociale, qendrat e kujdesit të vazhdueshëm dhe pajisjet. Të ardhurat për ofruesit e shërbimeve të kujdesit për të moshuarit pritet të rriten 6.3% në vit, në afro 400 miliardë dollarë në vitin 2018. Fitimet do të nxiten nga ndryshimet demografike, duke përfshirë numrin më të madh të brezit “babyboom” që hyjnë në vitet e tyre të moshës së tretë dhe rritja e jetëgjatësisë.
Rritja e këtij sektori do të ushqehet nga rregulloret federale të modifikuara, sidomos në lidhje me pagesat e Medicare dhe Medicaid, të cilat do të lejojnë më shumë fleksibilitet në opsionet e pagesave dhe më shumë zgjedhje të shërbimeve për pacientët. Meqenëse çmimet e shërbimeve parashikohet të vazhdojnë të rriten gjatë periudhës së parashikimit, Ibis World thotë se fitimet do të rriten nga pagesat në rritje për pacient. Megjithatë, rritja do të kufizohet nga një pjesë e konsumatorëve të paaftë për të përballuar shërbimet nëse ato nuk mbulohen nga Medicare, Medicaid, ose ndonjë platformë tjetër sigurimi.
Flet administratorja e Ndihma Plus, znj. Keti Lame
“Kërkesa në rritje për përkujdesje ndaj të vegjëlve dhe të moshuarve”
Cilat shërbime kërkohen më tepër?
Për sa u përket shërbimeve të kujdesit, mbi 50% e kërkesave që marrim janë për dado fëmijësh, por nuk mungojnë edhe ato për kujdes për të moshuar. Shpeshherë marrim kërkesa për shërbime të specializuara, si p.sh. mësuese, infermiere apo edukatore.
Çfarë ju nxiti që të hapnit biznes të tillë?
Duhet pranuar se në mentalitetin shqiptar, norma është: gratë e familjes të lënë çdo gjë tjetër dhe të kujdesen për shtëpinë, fëmijët apo familjarët në nevojë. Për këtë arsye, shpeshherë rezulton me gra që braktisin ambiciet për karrierë apo që u shërbejnë prindërve të moshuar me kohë të plotë. Në nivel personal, ky organizim sjell “zemërim” të këtyre grave të robëruara në shtëpi dhe në nivelin e shoqërisë, sjell keqpërdorim të potencialit intelektual dhe ekonomik.
Agjencia në këtë rast, u krijua për të sfiduar këtë normë jo të drejtë dhe për të lehtësuar ngarkesën emocionale dhe logjistike të shumë familjeve që vendosin të veprojnë ndryshe. Të vegjlit kanë nevojë për qetësi dhe durim, të moshuarit jo rrallëherë për ndihmë të specializuar dhe në raste pamundësish të përkohshme apo afatgjata të familjarëve tanë, ata kanë nevojë të kenë pranë staf me njohuri mjekësore. Kjo nevojë qëndron në thelb të modelit tonë të biznesit. Nëpërmjet shërbimeve tona, ne synojmë ta bëjmë jetën në familje më të lehtë.
Veçanërisht në shërbimin e dadove dhe të të moshuarve, si ka qenë ecuria dhe kërkesat?
Në segmentin e përkujdesit, agjencia operon në dy mënyra kryesore: së pari, duke ofruar stafin e saj profesional të kujdesit me një tarifë orare, sipas kërkesave të klientit (kujdes ad-hoc), dhe së dyti, duke ndërmjetësuar bashkëpunimin midis një familje dhe një kujdestare (kujdes me kohë të plotë). Në të dyja rastet operojmë me kontratë, ku detajohen shumë qartë detyrat dhe të drejtat e palëve.
Në mënyrën e parë, është agjencia që mban përgjegjësi të plotë për shërbimin nga fillimi në fund dhe tarifon për orë. Rastet më tipike janë dadot për mbrëmje.
Në mënyrën e dytë, pasi marrim kërkesën nga një familje për përkujdes, ne përpiqemi ta përputhim atë sa më mirë me listën e CV-ve që kemi për kujdestare në familje dhe i prezantojmë klientit disa alternativa. Njëherë që familja dhe kujdestarja bien dakord të bashkëpunojnë, ata vazhdojnë pa pjesëmarrjen e agjencisë. Agjencia faturon vetëm një herë, për shërbimin e ndërmjetësimit.
Familjet shqiptare ende nuk janë rehat me konceptin e një kujdestareje të panjohur, pavarësisht se përfaqëson agjencinë, të hyjë në familjen e tyre vetëm për një numër të kufizuar orësh. Por, kanë mjaft besim te ne për sa i përket gjetjes së një kujdestareje të mirë, me kohë të plotë, sipas kërkesave dhe buxhetit të tyre. Ndoshta sepse e kontrollojnë më mirë këtë proces. Kujdestaret janë kryesisht dado, kujdestare për të moshuar, infermiere për të sëmurë.
Duhet pranuar se koncepti është disi inovativ dhe i guximshëm për tregun tonë. Në fakt, jemi befasuar nga reagimi i tregut shqiptar. Ideja ka ngjallur interes dhe ne çdo ditë marrim kërkesa për këto lloj shërbimesh. Jemi optimistë se gjërat po ndryshojnë për mirë.
Cilat janë sfidat me të cilat përballeni dhe konkurrenca në këtë sektor?
Sfida jonë më e madhe mbetet lufta e padrejtë ndaj tregut informal. Kur klientët njihen me çmimet tona, menjëherë i krahasojnë ato me tarifat që mund t’u ofrojë një grua që mund të pajtohet në tregun informal dhe që nuk ka asnjë kontratë pune dhe as sigurime. Përpiqemi të shpjegojmë se një agjenci mbart kosto shumë më të larta për të ofruar shërbime në një cilësi tjetër, por rrallëherë arrijmë t’i bindim me këto argumente. Nga ana tjetër, tregu i punës nuk është i thjeshtë.
Vërtet ka vajza dhe gra të interesuara për të punuar, por për t’i dërguar ato pranë familjeve, ne duhet të sigurohemi paraprakisht për besueshmërinë dhe profesionalizmin e tyre. Kohët e fundit kemi organizuar një trajnim për dado, që besojmë se do të ndihmojë mjaft procesin e ndërmjetësimit.
Për sa i përket konkurrencës, të paktën për sektorin e kujdesit, është thuajse joekzistente. Sfida në këtë rast është edukimi i tregut, për të kuptuar modelin tonë dhe të mirat që sjell ai.
Si mendoni se do të jetë e ardhmja e këtij sektori?
E ardhmja duket premtuese. Qëllimi kryesor është të maturojmë modelin aktual, duke investuar vazhdimisht në edukimin e tregut, si atë të klientëve, edhe atë të punës. P.sh., përveçse trajnime për dado, mendojmë të organizojmë së shpejti edhe trajnime për kujdestare për të moshuar. Nga ana tjetër, si të pasionuar pas teknologjisë, do të kishim shumë dëshirë t’i dixhitalizojmë shërbimet, p.sh., duke ofruar CV online të kujdestareve për klientët, duke organizuar takime online apo duke ofruar një aplikacion mobile për supervizimin e kujdestares gjatë kohës që klienti nuk është i pranishëm./Monitor