-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Nga Fatos Lubonja

Më të lexuarat

Prej kohësh përpiqem t’i analizoj zhvillimet politike në vend me një qasje përtej emrave të përveçëm Berisha, Nano, Topi, Rama, Meta etj., duke i parë, pra, këta jo thjesht si autorë, por edhe si aktorë apo instrumente të një regjie që qëndron pas tyre, që i kushtëzon në veprimet apo mosveprimet e tyre, e që ka të bëjë me sistemin në të cilin ata veprojnë, me interesa financiare oligarkësh, me mendësinë dominuese, me kushtëzimet e ndërkombëtarëve etj. etj. Megjithatë, po prej kaq kohësh ndeshem, siç më ndodhi edhe pas shkrimit të fundit “Mbi konfliktin Berisha – Topi”, me nevojën thjeshtëzuese (dhe banalizuese) të shumë shqiptarëve për ta reduktuar politikën në emra të përveçëm, që jo rrallë degjeneron pastaj në pyetjen: cilin mbështet ky, Berishën apo Ramën apo Metën apo Topin, apo, pse e mbështet ky këtë dhe jo atë, për çfarë interesi, për çfarë qejfmbetjeje e që më duket se nuk është thjesht çështje naiviteti, ku qëllime emrash të përveçëm pengojnë të shihet fenomeni, që qëndron pas, por edhe rezultat i manipulimit të njerëzve me këtë lloj kulture, ku emocionet dhe interesat vetjake dominojnë mbi parimet dhe interesin e shoqërisë.
Në frymën e shkrimeve të mëparshme dua të theksoj edhe një herë një ide që dëgjohet shpesh, veçanërisht nga goja e ndërkombëtarëve, kur i pyesin se kë mbështesin Berishën apo Ramën, por që pikërisht pse të manipuluar me emrat e përveçëm shqiptarët nuk i kanë vënë shumë rëndësi. E kam fjalën për përgjigjen ndaj pyetjes, që ma kanë bërë shpesh edhe më parë, por veçanërisht pas shkrimit të fundit, se nëse nuk jam me Berishën qenkam me Ramën, a thua se po nuk mbështeta asnjërin nga këta të dy, nuk ekzistoj. Përgjigjja për mua është e prerë: mbështes procesin përkundrejt më shumë demokracie dhe lirie. Kurse emrat e përveçëm i mbështes për aq sa janë dhe për atë çështje që janë direkt apo indirekt në kahen e këtij procesi dhe të vizionit tim për botën.
Për ta konkretizuar, po futem menjëherë në kontekstin e zhvillimeve të kohëve të fundit. Kam menduar dhe jam shprehur shpesh vitet e fundit se Shqipëria ndodhet midis Shilles dhe Karridbës: d.m.th. se më një anë ka rrezikun që dy banda në luftën për të asgjësuar njëra-tjetrën të krijojnë instabilitet dhe mungesë zhvillimi e, më anë tjetër, që pushteti të bjerë në duart e një bande të vetme, çka krijon rreziqe të mëdha për lirinë, që sigurisht edhe me dy banda nuk quhet liri. Me proces kuptoj atë që të ecim midis këtyre dy rreziqeve e të dalim përtej pa rënë pre e “përplasjes” së anijes sonë me ta. Kur kam shprehur idenë se është më mirë të kemi dy banda se një bandë të vetme, kam vënë lirinë mbi të gjitha duke theksuar se anija jonë duhet të largohet sa më shumë nga rreziku i një bande të vetme. Kur kam shkruar kundër konfliktualitetit për jetën parlamentare për nevojën e forcimit të drejtësisë, besoj se i kam mëshuar alarmit për rrezikun e “përplasjes” së anijes me luftën asgjësuese të këtyre dy bandave me tërë problematikën që ato na kanë sjellë ku, për mua, një nga pasojat më të dukshme, por jo më të rënda, është largimi nga Europa. Dhe kjo qasje më ka larguar gjithnjë e më shumë si nga Berisha dhe nga Rama, të cilët i kam parë si protagonistët kyresorë të këtyre dy rreziqeve, që s’janë tjetër veçse dy faqe të së njëjtës medalje.
Ç’duhet të bëjmë sot në këtë udhëtim mes dy rreziqeve? Së pari, vlen të shtrohet pyetja: a është e vërtetë që ne po lundrojmë midis këtyre dy rreziqeve pa rënë pre e asnjërit? Sipas meje po. Por veç duhet vënë në dukje se shtegu midis të dyjave është shumë i ngushtë dhe ne përplasemi herë në njërin e herë në tjetrin skaj duke u dërrmuar, paçka se pa u mbytur përfundimisht. Sot për sot, sipas meje procesi kërkon që të zgjerojmë ngushticën duke larguar dy rreziqet e të lundrojmë në ujëra më të hapura. Ndërkaq, ajo që po ndodh është afrimi i anijes me të shpejtë drejt rrezikut të një bande të vetme, d.m.th. drejt putinizmit, i cili, edhe pse nuk duhet kuptuar nëpërmjet një emri të vetëm, përsëri sot gjen mishërimin e tij më të arritur tek Berisha. Kam shkruar se putinizmi do të mund të realizohej edhe sikur në vend të këtij fitues të dilte Rama, pasi rrezikun e putinizmit nuk e shoh thjesht e vetëm të lidhur me karakteristikat antropologjike të këtyre dy liderëve, por edhe si rezultat i faktit se bandat – që me një gjuhë më eufemike mund t’i quajmë edhe koalicione oligarkësh – luftën e tyre e bëjnë për të kapur plotësisht shtetin që, më konkretisht, do të thotë kapja e të gjithë parasë publike dhe tërë vendimmarrjes, çka automatikisht nënkupton asgjësimin apo thithjen e tjetrit. Por, qëkur Berisha në zgjedhjet e Tiranës vendosi ta marrë Tiranën me marifetet që përdori, duke injoruar dëmtimin e rëndë të imazhit demokratik të tij e të vendit, për çka sigurisht e ndihmoi edhe fakti se rivali i tij pretendonte edhe ai të njëjtën gjë: të bëhej njëherësh edhe kryebashkiak i qytetit edhe kryeministër, rreziku i putinizmit po materializohet dita-ditës në emrin e pushtetit të Berishës dhe të largosh anijen nga rreziku i përplasjes e mbytjes në putinizëm, do të thotë ta largosh atë nga ky rrezik konkret. A duhet të nënkuptojë kjo mbështetje për fitoren e Ramës apo duhet të nënkuptojë mbështetje për fitoren e procesit? Sipas meje duhet të nënkuptojë fitoren e procesit dhe ka një diferencë midis të dyjave, sepse ai që duhet të humbasë në Shqipëri nuk është thjesht Berisha, por putinizmi dhe ai që duhet të fitojë nuk është Rama, por procesi demokratik.
Si mund të realizohet kjo? E vërteta është se instrumentet i kemi të pakta, pikërisht për atë se është punuar shumë që të gjitha pushtetet të grumbullohen në duart e këtyre dy njerëzve, që më shumë se kushdo kanë punuar kundër procesit demokratik në favor të një putini të vetëm, saqë mund të quhet se procesi demokratik këto vitet e fundit ka bërë prapa. Sepse kur Berisha mori pushtetin ne ishim të lirë (në kuptimin relativ të fjalës) të ndërronim pushtetin me votë për të luftuar sistemin e korrupsionit. Kurse sot mund të thuhet se sistemi i korrupsionit, nën udhëheqjen e Berishës, gati e ka fituar betejën ndaj lirisë sonë për ta hequr atë nga pushteti, që të luftojmë korrupsionin. Dua të them që, edhe sikur të ndodhë që Berisha të humbasë, nëse nuk ndryshon asgjë për sa i përket sistemit, zëvendësimi i Berishës me Ramën do ta largonte anijen nga një rrezik imediat, por ajo do të mbetej në të njëjtat ujëra. Sepse, pa ndryshime rrënjësore në sistem, mund të thuhet se Rama dhe njerëzit e tij do të gjenin një terren të përgatitur si nga pikëpamja legjislative edhe e strukturës së ekonomisë, të monopoleve, të networkut të interesave, të drejtësisë, të mediave, ashtu edhe nga pikëpamja e nënshtrimit të njerëzve, për të na sunduar njëlloj si Berisha. Dhe Rama kësisoj, më shumë sesa një antagonist i Berishës, do të sillej si një pasardhës i Berishës, ashtu sikurse mund të thuhet se edhe Berisha nuk u soll si antagonist i Nanos, por si një pasardhës i tij në krye të sistemit të korrupsionit. Par, paçka se ndryshime në emra të përveçëm do të ketë, veçanërisht në administratën që do të zëvendësohet thuajse e gjitha – dhe kjo e ka një të mirë sepse, tek e fundit, arrogancës së atyre që pandehin se janë të përjetshëm dhe të paprekshëm, i duhet vënë një cak, – pak gjasa ka të ndryshojë fryma e qeverisjes së vendit.
Ja pse, në emër të mbështetjes së procesit dhe jo të emrave të përveçëm, duhet të këmbëngulim që opozita të mbështetet me kushte. Ndër këto kushte, që sipas meje duhet të imponohen nga një kombinim i presionit të interesit publik me interesat e aktorëve të ndryshëm të opozitës, unë do të theksoja shpejt e shpejt, pa i hyrë një analize që duhet bërë, dy gjëra: Së pari, premtimin për ndryshime rrënjësore në legjislacion, që do të na garantonin funksionimin e pavarur të institucioneve që duhet të kontrollojnë pushtetin e partive, e pastaj të mënyrës se si funksionon ekonomia, drejtësia, mediat, shkollat, spitalet, universitete dhe, së dyti, që këto premtime të mos jenë fjalë të bukura të shpalosura nëpër mitingje nga Rama, Spahiu e të tjerë (që duhet ta dinë se tashmë e kemi përvojën zhgënjyese të spektaklit elektoral me KOP-in më 2005-n), por rezultat pune serioze ekspertësh.
Mendoj se dalja në skenë e partive të reja mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces, por për këtë do të shkruaj në artikujt e ardhshëm.Autor: Fatos Lubonja./panorama/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit