-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Nga familjet mbretërore te David Beckham, ja avokati që mbron Ramën kundër “Bild”

Më të lexuarat

Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar ditën kur Peter Tiede publikoi në BILD përgjimet e “Dosjes 184”, kryeministri Edi Rama e ka kthyer në një betejë ligjore përplasjen me gazetarin gjerman, duke njoftuar sot se ka kontraktuar avokatin që do e mbrojë.

Shefi i qeverisë ka përzgjedhur si avokat mbrojtës gjermanin Mattihas Prinz, i cili mban titullin Profesor, Doktor në jurisprudencë.

“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e “BILD”! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije”, sqaronte kryeministri në “Twitter”.

Por kush është avokati që do të mbrojë kryeministrin në betejën ligjore me BILD?

Matthias Prinz ka lindur në vitin 1956 dhe është një avokat tepër i njohur në Gjermani dhe jo vetëm. Ai mbulon kryesisht procese gjyqësore në fushën e reputacionit dhe mbrojtjes së privatësisë, shpifjes, mediave, argëtimit dhe ligjit të sporteve.

Prinz ka përfaqësuar korporata të mëdha, duke përfshirë SAP, Audi, Volkswagen, por edhe gjigantin e telefonisë T-Mobile.

Në listën e klientëve të tij nuk mungojnë emrat VIP dhe as familjet mbretërore në Europë dhe Azi.

Në këtë listë përfshihen: Familja Mbretërore e Suedisë, Princesha Caroline nga Hanover, Sulltani i Bruneit, Princi Albert i Monakos, Helmut Njutoni, Don Johnson, Karl Lagerfeld dhe futbollisti i njohur anglez David Beckham.

Prinz është edukuar në Shkollën Juridike të Harvardit, ku u diplomua në vitin 1983 dhe më pas mori titullin Doktor nga Universiteti i Hamburgut në vitin 1985.
Ai ka qenë anëtar i New York Bar që nga viti 1984. Në vitin 1985, ai u pranua në Hamburg Bar të Gjermanisë, ku themeloi firmën ligjore “Prinz Neidhardt Engelschall”.

Prinz ka marrë pjesë në gjyqe kundër mediave të ndryshme evropiane që prodhuan një koleksion të precedentëve në Gjykatat më të larta gjermane dhe evropiane gjatë 20 viteve të fundit.

Ndër rastet më të bujshme ku Prinz ka bërë avokatin është ai i Princeshës Caroline në jurisprudencën gjermane dhe evropiane. Prinz gjithashtu përfaqëson atletët kryesorë gjermanë, si Boris Becker dhe sidomos klubet gjermane të Bundesliga, trajnerët dhe lojtarët e tyre, si dhe ekipin e T-mobile, por dhe ekipin kombëtar gjerman.

Në emër të portierit më të mirë në botë të futbollit, Oliver Kahn, Prinz paditi EA Sports, prodhuesit e lojës kompjuterike të futbollit FIFA 2002, për përdorimin e emrit dhe personalitetit të portierit pa pëlqimin e tij.

Prinz gjithashtu këshillon drejtuesit ekzekutivë dhe kryetarët e kompanive gjermane DAX30, siç është Ferdinand Piwch, kryetar i bordit të Volkswagen. Ai ka përfaqësuar Sulltanin e Bruneit në përgatitjen e Vizitës Shtetërore të Sulltanit në Republikën Federale të Gjermanisë.

Prinz ishte avokati i parë gjerman i angazhuar ndonjëherë nga një Kryetar i huaj Shteti si këshilltar për një vizitë shtetërore.
Në vitin 2003 Prinz filloi të përfaqësonte familjen mbretërore suedeze kundër invadimit të privatësisë dhe artikujve shpifës në mediat gjermane. Prinz ka përdorur urdhrat paraprak të Gjykatës për të detyruar 23 revista gjermane të shtypin përgjigjet, tërheqjet dhe keqardhjet në faqet e tyre të para.

Nëpërmjet mbrojtjes së tij janë formuluar kërkesa për dëmshpërblime dhe urdhra, që kanë çuar në vendime të Gjykatës së Apelit të Hamburgut për të dhënë dëmshpërblime për mbretin e Suedisë prej 400.000,00 milionë euro. Ky shpërblim dëmi konsiderohet nga mediat gjermane si më i larti në ligjin e shpifjes dhe privatësisë gjermane.

Prinz ka shkruar disa artikuj mbi ligjin e medias gjermane, mbrojtjen e privatësisë, proceset gjyqësore PR dhe strategjitë e mediave. Ai është bashkautor i Prinz / Peters “Medienrecht”, një libër për tekstin gjithëpërfshirës për ligjin e medias gjermane. Prinz jep mësim në auditorë mbi ligjin e mediave, mbrojtjen e privatësisë dhe shpifjes në FU Berlin (Freie Universität Berlin) që nga viti 1996./tch

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit