1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Nga Fahrettin ALTUN: Pesë arsye pse Turqia po mban zgjedhje të parakohshme

Më të lexuarat

Turqia do të mbajë zgjedhje të parakohshme më 24 qershor. Presidenti Rexhep Tajjip Erdogan e shpalli të mërkurën vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kryetari i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, e kishte kërkuar mbajtjen e tyre një ditë para deklarimit të Erdoganit, dhe të dy udhëheqësit ranë në një mendje për këtë. Menjëherë pas kësaj, Erdogani u shpreh se ai dhe Bahçeliu ishin në pajtim për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme. Bahçeliu pati folur për 26 gushtin si datë zgjedhjesh, por Erdogani bëri me dije se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare kanë për t’u mbajtur më 24 qershor. Erdogani është i njohur për ndjeshmërinë e tij gjatë gjithë karrierës politike për mbajtjen e zgjedhjeve kur ato janë menduar që të zhvillohen. Në të vërtetë, duke e theksuar këtë fakt gjatë fjalës së vet dhe duke u shprehur se gjer më tani kishte patur qasjen që zgjedhjet të mbaheshin në 2019-n, Erdogani u shpreh se partia e tij kishte vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për një sërë arsyesh.

Ne mund të vëmë re se janë pesë arsye fundamentale pas vendimit të Erdoganit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. E para është propozimi nga MHP-ja – me të cilën është krijuar një aleancë e suksesshme pas përpjekjes për grusht shteti të 15 korrikut – përpara publikut për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. E dyta është ashpërsia në rritje e sulmeve financiare kundër ekonomisë turke dhe shqetësimi që kjo krijon te investuesit vendas dhe të huaj, bashkë me vështirësinë që paraqet për investime në projektet e mëdha zhvillimore publike.

E treta është se Turqia ka qenë në atmosferë zgjedhjesh prej 22 muajsh. Pasi Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet dhe MHP-ja nisën bashkëpunimin 22 muaj të shkuar, kjo krijoi mes publikut dhe aparatit shtetëror, me apo pa dashje, një pritshmëri për mbajtje zgjedhjesh. Tregimi i nëntorit të 2019-s si koha kur do të ndërmerreshin hapat përkatës shkaktoi amulli në shumë sektorë, si në atë publik dhe privat. E katërta është se opozita filloi të ndihej e vënë poshtë përballë aleancës midis AKP-së dhe MHP-së dhe u rrek të përdorë mjete jodemokratike dhe organizimin e lëvizjeve të rrugës, të ngjashme me atë të Geziut. E vetmja pikë e përbashkët që e bashkon aleancën republikane është ajo e të qenit kundër Erdoganit. Por se cila do të jetë kundërpërgjigjja në fushën e garës demokratike politike ndaj këtij qëndrimi kundër Erdoganit, dhe rreth cilit udhëheqës ky qëndrim opozitar do të shndërrohet në fitore politike, ende nuk është e qartë, nuk ka njëzëshmëri, mes opozitës. Në fakt, ata madje nuk kanë shpallur një kandidat presidencial. Pritshmëritë e tyre të vërteta, gjer në deklarimin e zgjedhjeve të parakohshme, kishin qenë që pasiguria të vazhdonte deri në 2019-n dhe se zhvillimet negative që do ta preknin Turqinë do t’i bënin ata të rriteshin.

E pesta është se Turqia zgjodhi një sistem presidencial më 16 prill të 2017-s, dhe që atëherë gjendet në një periudhë kalimtare. Ligjet tranzicionale të kërkuara për sistemin e ri qeverisës janë në përgatitje që prej asaj dite. Veçse pikat e rezistencës dhe reflekset e tranzicionit, posaçërisht në burokracinë shtetërore, e kanë bërë këtë të vështirë për aktorët politikë në pozicione vendimmarrëse, çka po ashtu e bën të vështirë hartimin dhe realizimin e politikave afatgjata. Me qëllim që t’i pritet rruga oligarkisë burokratike dhe që të përmbushet ndryshimi kushtetues i pranuar më 16 prill, Turqia do të mbajë zgjedhje të parakohshme.

Po tani? Sido që opozita ka shprehur mendime pozitive për vendimin për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, ata nuk janë gati për zgjedhje siç është AKP-ja dhe MHP-ja. Kandidati i tyre presidencial akoma nuk dihet. Por pozitive është se Partia Popullore Republikane (CHP), Partia Demokratike Popullore (HDP) dhe partitë e tjera opozitare janë kthyer në fushën e rivalitetit demokratik në vend të protestave të paligjshme në rrugë dhe duhet të përgatiten për një garë elektorale. Duket se për institucionalizimin e stabilitetit politik, që Turqia t’i largojë sulmet me të cilat përballet dhe t’u mbyllë plotësisht derën ndërhyrjeve të jashtme, e tërë bota duhet të shohë sa më shpejt të jetë e mundur se kush e qeveris vërtet Turqinë. Veçanërisht që të mos ketë një përpjekje tjetër të panevojshme për ndryshimin e regjimit në Turqi.

Përktheu: Bujar M. Hoxha  – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit