1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Nga brekët e Shukriut tek ‘eksitimi’ për Reformën në Drejtësi

Më të lexuarat

Nga Enton Palushi

Kur gazeta Bild publikoi serinë e fundit të përgjimeve nga Dibra, ishte kujdesur të theksonte dy elemente të rëndësishme. E para, duke cituar në anglisht nenet që janë shkelur gjatë këtij procesi manipulimi zgjedhor. E dyta, duke treguar se ky ishte një ‘projekt-pilot’ për atë që do ndodhte në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, kur partia në pushtet e Edi Ramës do e aplikonte në shkallë të gjerë atë që ndodhi në Dibër.

Këto të dyja qëndrojnë fort, megjithatë nuk mund të mos flasësh për zanafillën e historisë së Dibrës, e bazuar e gjitha në një skandal seksual të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili. E kam thënë edhe njëherë tjetër, se kur bie fjala për vlerësimin e një qeverisjeje, në vend të parë qëndrojnë skandalet. Jo vetëm sepse skandalet na zbulojnë mënyrën e vërtetë se si qeverisemi, por sepse qasja e qeverisë ndaj skandaleve përcakton edhe mënyrën se si sillet ajo më vonë ndaj sistemit demokratik.

I gjendur përballë faktit se ‘brekët e Shukriut’ kishin rrënuar të gjithë propagandën që kishte ndërtuar, Edi Rama nisi projektin për një nga manipulimet zgjedhore më të tmerrshme dhe më të ndyra në historinë demokratike shqiptare, duke i vënë një vulë të rëndë sistemit dhe vetë Dibrës. Bastionit demokrat iu plaçkit vota në mënyrë të atillë, sa jo më kot nëpër rrjetet sociale këto ditë, thuhet se edhe Erdogani do e kishte zili. ‘Tërmeti’ i Dibrës ia lëshoi vendin ‘tërmetit’ në mbarë Shqipërinë. Skandalet e drogës, lidhjet e ministrave të Brendshëm me krimin, pamundësia për të prodhuar bilanc ekonomik, bënë që kryeministri të zbatojë skemën kombëtare të abuzimit zgjedhor, me nivele sizmike që do e linin pa fjalë edhe Damian Gjiknurin.

Por ndërsa skandalet vetëm sa shtohen, nuk mund të mos i japësh të drejtë opozitës në vendimin e saj për të mos hyrë në procesin zgjedhor, ndërkohë që ato palo zgjedhje të 30 qershorit kanë nisur që tani të prodhojnë efekte të rënda në sistemin demokratik. Ndaj nuk është çudi që nëse votohet më 30 qershor, të shohim shifra tronditëse pjesëmarrjeje. Mos harroni, sa më i madh skandali, aq më i madh abuzimi zgjedhor. Mbi të gjitha, në rastet kur korrupsioni bëhet më i madh dhe më i shtrenjtë, edhe për drejtësinë (e re apo e vjetër) vlen parimi: Nëse një gjë nuk blihet, ajo blihet me shumë lekë…

***

Vërtet në historinë e komplikuar të këtyre ditëve, Reforma në Drejtësi mbetet një e panjohur e madhe. Vërtet denoncimet e opozitës për drejtësinë e re janë shumë të rënda. Vërtet ka spekulime se ata që nuk i kanë hyrë akoma vetingut, po nxitojnë t’i bëjnë ndere qeverisë sepse e dinë se kështu mund të ngelen të pastër në sistem. Vërtet një sondazh tregon se shumica e shqiptarëve nuk e shohin si të ndershëm procesin që do prodhojë drejtësinë e re. Por edhe sikur asnjëra prej këtyre të mos qëndrojë, ka disa gjëra që duken shqetësuese.

Kështu, ndryshe nga disa thirrje publike se duhet t’ia lëmë gjërat në dorë drejtësisë së re që po vjen shumë shpejt, kjo qeveri nuk duket e shqetësuar për mbërritjen e saj. Madje po e trash zullumin gjithmonë e më shumë teksa po afrohet ngritja e disa strukturave që shumëpërfolura si SPAK dhe BKH. Thua të jenë kaq të dehur nga pushteti sa të mos e shohin rrezikun që u kanoset? E zorshme, sidomos kur sheh se edhe disa prej tyre me dy gram tru juridik, nuk e kanë problem të ekspozohen në telefon me krimin.

Fjala bie, teksa Al Xhazira shkruante se vakumi i gjykatave të larta në vend po përdoret nga qeveria për abuzime, kush nga ju ka krijuar idenë se ata druhen nga ‘djalli’ që do mbushë djepin e lënë bosh? Madje të krijojnë idenë se atë djep do e mbushë një bebe buzëqumësht, e cila në vend që të shënjestrojë të fuqishmit e pushtetit, mund t’i vërë gishtin kujt të dojë dhe t’ia nxijë jetën edhe për një gjobë të papaguar. A do e donit ju një drejtësi selektive, kur dihet se e tillë ajo po tregohet edhe tani?

Meqë jemi këtu, a e dini se mohuesit e Holokaustit thonë se ai nuk ka ndodhur për shkak se Hitleri nuk ka hedhur firmë asgjëkund. E megjithatë Hitleri ishte frymëzues i një strategjie që varrosi miliona hebrenj. Kështu që mos prisni që prokurorët apo gjyqtarët të gjejnë ndonjë VKM për kthimin e Shqipërisë në narkoshtet. Mos mendoni se do gjejnë gjëkundi ndonjë strategji për manipulimin e zgjedhjeve. Por frymëzuesi i tyre është aty, madje i gatshëm që edhe nëse i arrestohet ndonjë ministër, ta shpallë si sukses të reformës së tij në drejtësi. A nuk ishte ai vetë që ‘fshiu’ shumicën e ministrave për arsye që dihen dhe nuk mori asnjë përgjegjësi vetë?

***

Në kushtet kur e vetmja gjë prej të cilës duket se kanë frikë këta qeveritarë, mbetet opozita dhe media, pra politika dhe morali, na kërkohet që të rrimë në pritje të Reformës në Drejtësi. Vërtet luhet me faktin se shqiptarët e duan Reformën në Drejtësi, por mënyra se si u drejtohet pyetja atyre është fëminore dhe ngjan me ato sondazhet që bëhen nëpër emisionet politike shqiptare, ku shikuesit pyeten: A doni që të arrestohen kriminelët?

Shumica e shqiptarëve e kanë pranuar në një studim se procesi është i paragjykuar, por na kërkohet të bëjmë sehir me shpresën që kishte ish-ambasadori amerikan Donald Lu, i cili dilte çdo muaj dhe u shpallte shqiptarëve datën kur do binin në rrjetë ‘peshqit e mëdhenj’. Lu e zgjati mandatin dhe iku pa asnjë ‘peshk’, ndërsa në këto kohë krizash dhe skandalesh, mundësitë që demokracia shqiptare të deformohet në maksimumin e mundshëm janë shtuar ndjeshëm. 30 qershori rrezikon të kthehet në një datë ku Edi Rama të shënojë një rezultat ‘spektakolar’ zgjedhor, kjo edhe falë faktit se pas përgjimeve të publikuara nga BILD, vëzhguesit ndërkombëtarë janë katandisur në sytë e opinionit thjesht si konsumatorë dietash. Nuk ishte rastësi që kur doli nga takimi me ta, kryeministri dukej i qeshur, duke u ‘dhuruar’ mediave sociale ‘ushqim’ me mbufatjen e potureve të tij. Njësoj si me brekët e Shukriut, kur njerëzit menduan se fituan diçka me largimin e tij, por morën në këmbim atë ‘të gjatin’.

Por këtë herë gjërat janë më ndryshe. Ndryshe nga disa që shohin ëndrra me drejtësinë, shpresat kanë mbetur tek opozita dhe një pjesë e mediave. Le t’i lëmë ta bëjnë punën e tyre, pasi po e bëjnë shumë mirë. Në mënyrë të shkëlqyer madje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit