4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Newsweek: Putini po bën komplot të fshehtë për ta rrëzuar Merkelin

Më të lexuarat

E përjavshmja amerikane Newsweek, në edicionin e saj në interneti, ka publikuar një artikull, në të cilin hedh hipotezën se presidenti rus, Vladimir Putin, është duke planifikuar në fshehtësi për rrëzimin e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel.
“Mes krizave të shumta që kanë pllakosur kontinentin europian, një tjetër rrezik serioz po shpaloset”, shkruan Newsweek. “Rusia po përpiqet aktivisht që të dëmtojë dhe destabilizojë Gjermaninë”.

Sipas të përjavshmes amerikane, veprimet e Rusisë kundër Gjermanisë të marra së bashku, “përbëjnë një tjetër shembull të një lufte hibride që vë në shënjestër legjitimitetin e një qeverie europiane. Kjo bëhet edhe më e rrezikshme, sepse Rusia e ka shënjestruar fushatën e saj kundër Gjermanisë: një udhëheqëse e rëndësishme e BE-së, e cila aktualisht po përpiqet fort që të mbajë Europën të bashkuar përballë disa rreziqeve për sigurinë, të brendshëm dhe të jashtëm”.

Përgjatë gjithë kohës së krizës në Ukrainë, Rusia e ka rritur shumë aktivitetin e saj të spiunazhit në Gjermani dhe në shtete të tjerë europianë. Janis Sarts, drejtori i Qendrës së Komunikimit Strategjik të NATO-s, ka deklaruar se Rusia qëllimisht po përdor këto taktika për të nxitur pakënaqësi në Gjermani, me synimin final, rrëzimin e kancelares Merkel.

E përjavshmja amerikane shkruan se përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e Gjermanisë, përfshijnë edhe nxitje të trazirave atje ku më parë nuk kanë ekzistuar, por sidomos duke shfrytëzuar pakënaqësitë e mëparshme. “Për shembull, në shkurt të këtij viti, shefat e zbulimit të brendshëm dhe të jashtëm gjerman, paralajmëruan se Rusia do të shfrytëzonte “potencialin e madh mobilizues” të popullsisë ruse në Gjermani, duke ditur se Rusia mund të ndikojë tek kjo popullsi, për ta angazhuar në demonstrata të fuqishme publike”.

Për ta ilustruar këtë, jo më larg se një muaj më parë, një grup i quajtur “Kongresi ndërkombëtar i ruso-gjermanëve” demonstroi kundër qeverisë së Merkelit. Shfaqja misterioze dhe e papritur e një organizate për të cilën nuk ishte dëgjuar më parë, është e ngjashme me veprimtaritë e mbështetura nga Rusia në Ukrainë, në vitin 2014.

Newsweek shkruan se Rusia po shfrytëzon edhe krizën e refugjatëve për të rritur pakënaqësinë dhe ndarjet brenda shoqërisë gjermane. Propaganda ruse e ka paraqitur perëndimin si të paqëndrueshëm dhe më pak të sigurtë, për shkak të ardhjes së imigrantëve, duke nxjerrë kështu një panoramë ku siguria e qytetarëve nuk mund të garantohet më prej qeverive europiane.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit