3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

New York Times shpalos torturat në burgjet e regjimit të Asadit

Më të lexuarat

Përmes një raporti të botuar, gazeta New York Times (NYT) ofroi një pasqyrë të veçantë rreth objekteve sekrete të regjimit të Bashar al-Asadit në Siri.

Ndërsa ushtria Asadit po lufton forcat opozitare, regjimi i tij po bën një luftë të gjithanshme edhe kundër civilëve.

Numri i saktë i civilëve të ndaluar në këto burgje mbetet panjohur, megjithatë, sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), 128.000 sirianë konsiderohen të jenë të privuar nga liria ose të vdekur, ndërsa rreth 14.000 janë vrarë nga torturat.

“Miliona të afërm të të burgosurve të zhdukur, gjenden në një limbo shoqërore dhe psikologjike”, shkroi The Times në raportin e përgatitur duke u bazuar në dokumente që ka siguruar dhe intervista me viktima dhe të afërm të viktimave të torturave.

Aktualisht, ndërsa regjimi po i afrohet fundit të një konflikti brutal dhe të përgjakshëm tetëvjeçar, shkalla në të cilën njerëzit po burgosen në vend është duke u rritur.

“Vitin e kaluar, Rrjeti Sirian regjistroi 5.607 arrestime të reja që klasifikohen si arbitrare – më shumë se 100 në javë dhe pothuajse 25 për qind më shumë se një vit më parë”, theksoi NYT.

Gazeta ka gjetur se disa shënime të qeverisë zbulojnë se zyrtarët sirianë të afërt me Asadin kishin urdhëruar burgim masiv dhe ishin në dijeni për të gjitha mizoritë që po ndodhnin.

Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit ushtroi dhunë në protestat pro-demokratike.

Që atëherë, sipas zyrtarëve të OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se dhjetë milionë të tjerë janë zhvendosur.

Gjatë muajve të fundit, regjimi i Asadit ka pranuar vdekjen e qindra personave brenda objekteve të arrestit, në një strategji taktike që, sipas themeluesit të SNHR-së Fadel Abdul Ghany, ka për qëllim dërgimin e mesazhit “Ne fituam, e bëmë këtë dhe askush nuk do të na dënojë”.

– Rastet e torturës

Gazeta ka dokumentuar raste të shumta torturash në duart e regjimit.

Shumë prej këtyre rasteve kanë ndodhur në burgun Saydnaya, i cili është i njohur në Siri si vendi ku të burgosurit u dërguan në masë për t’u përballur me ekzekutime.

Një nga rastet ekstreme ishte Muhannad Ghabbash, një student nga Halepi, i cili u arrestua shumë herë në fillim të luftës civile të Sirisë.

Pas arrestimit të tij të tretë, ai u përball me një seri rrahjesh të ashpra dhe ndonjëherë “zgjohej lakuriq në një korridor të ftohtë” dhe i vendosej armë në gojë nga një oficer.

Një tjetër i mbijetuar i torturës tha se është dëshmitar i një rasti kur “një të riut i janë dashur 21 ditë për të vdekur pasi hetuesit e kanë lagur me karburant dhe i kanë vënë flakën”.

Një roje, që e ka quajtur veten Hitler, ka organizuar “argëtim sadist me darkë”, në të cilën ai ka detyruar të burgosurit të vepronin si kafshë, duke i bërë ata të lehin si qen ose të këndonin si gjel.

“Qeni duhej të lehte, macja të mjaullinte dhe gjeli të këndonte. Hitleri përpiqej t’i zbuste. Kur ai përkëdhelte një qen, qeni tjetër duhej të bëhej xheloz”, ka thënë Ghabbash për The Times.

Brenda mureve të këtyre burgjeve sekrete, dhunimi dhe sulmet seksuale kanë qenë gjithashtu të shfrenuara.

Vitin e kaluar, një raport i komisionit të të drejtave të njeriut të OKB-së tregoi se gratë dhe vajzat ishin dhunuar dhe sulmuar seksualisht në së paku 20 departamente të inteligjencës në vend, ndërsa burrat dhe djemtë në 15 departamente.

Sipas Times, gratë që nuk ishin përdhunuar kishin raportuar përballje me kërcënime, fyerje seksuale, kërcënime për përdhunim dhe kërkime në zgavra.

OKB-ja gjithashtu vuri në dukje se kushtet e pashëndetshme të qendrave të burgimit janë aq ekstreme dhe sistematike, saqë “ato përbëjnë shfarosje dhe krim kundër njerëzimit”.

Edhe pse shpresat për kërkim llogarie nga Asadi mbeten të zbehta, ekziston një rritje e lëvizjes për të gjetur drejtësinë nëpërmjet gjykatave evropiane. Urdhra ndërkombëtarë për arrestimin e Ali Mamlouk, shefit të sigurisë kombëtare të Asadit, dhe Jamil Hassan, drejtorit të inteligjencës së Forcave Ajrore, janë lëshuar nga autoritetet franceze dhe gjermane për rastet e torturës dhe vdekjeve në këto burgje./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit