5.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

New York Times: Ballkani, një zonë për prova në një Luftë të re të Ftohtë me Rusinë

Më të lexuarat

Bosnja dhe Hercegovina është djepi i Luftës së Parë Botërore dhe është një pikë kyçe e Ballkanit në të cilën mbizotëronin gjithnjë dominime të ndryshme, etni dhe fe.

Duke marrë parasysh situatën aktuale që kujton daljen e një Lufte të re të Ftohtë, analistët besojnë se ky rajon po bëhet një “fushë beteje”, shkruan “The New York Times”.

Sipas gazetës amerikane, përcjell Telegrafi, Rusia po përhap gjithnjë e më shumë ndikimin e saj dhe ngritjen e tensioneve etnike në vendet që po përpiqen të bashkohen me Bashkimin Evropian.

Helmimi i spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Britani të Madhe, shkruan tutje NYT, ka rezultuar me një përgjigje perëndimore që përfshinte dëbimin e gati 150 diplomatëve rusë dhe zyrtarët e inteligjencës.

“Rusia kërkon mënyra për hakmarrje që janë asimetrike dhe i ofrojnë më shumë mundësi Moskës”, thotë Mark Galeotti, një hulumtues i lartë në Institutin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Pragë.

Ai në një artikull vë në dukje se Rusia, Ballkanin e sheh si një fushë beteje në “luftën e saj politike”.

Ndërsa Charles A. Kupchan, kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, vlerëson gjithashtu se rusët po shfrytëzojnë pjesën e fundit të Evropës Perëndimore, e cila është politikisht jofunksionale.

Në Ballkan, “ndeshja” me Rusinë ka potencial për të shkaktuar sërish jostabilitet në rajonin që ende nuk ka tejkaluar problemet për shkak të luftërave të fundit, dhe të cilat shkatërruan ish-Jugosllavinë, shkruan “The New York Times”.

Siç thuhet më tej, Bosnja dhe Hercegovina, vendi i shkatërruar nga lufta, mbetet një konstrukt i brishtë, i copëtuar nga korrupsioni, udhëheqja e dobët, dhe tensionet etnike e nacionaliste në mesin e komuniteteve.

Kjo vlerësohet si një nga pikat e rëndësishme hyrëse që Rusia po kërkon të shfrytëzojë, mendon Kupchan, duke shtuar se për këtë po shfrytëzohet edhe Milorad Dodik, i cili vazhdon të bëjë presion për një referendum të pavarësisë.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian po e mban jashtë perspektivën e një anëtarësimi të Bosnjës të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën – në këmbim të reformave themelore strukturore.

Katër vjet më parë, kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se nuk do të ketë zgjerim më të shpejtë të bllokut.

Kjo do të vlerësohej, siç citohet të thotë shpesh Ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov, si “mbyllja në një dhomë pritjeje pa dalje”.

Por, me Britaninë duke e lënë bllokun dhe Rusinë duke luajtur në ndarjet e rajonit, Bashkimi Europian tani ka paraqitur një plan relativisht të detajuar për Ballkanin.

BE ka thënë se nëse gjithçka shkon mirë, Serbia dhe Mali i Zi, të vetmet dy vende që tani janë të angazhuara në një proces aderimi dhe si rrjedhim të parat, mund të bashkohen deri në vitin 2025.

Strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor u prezantua në shkurt të këtij viti dhe përfshin gjashtë iniciativa që lidhen me sundimin e ligjit, sigurisë dhe migrimit, zhvillimin ekonomik dhe social, lidhjet e transportit dhe energjisë, digjitalizimit dhe marrëdhënie më të mira fqinjësore.

Por tani amerikanët janë papritmas më të interesuar. Shqetësimi i përtërirë i Uashingtonit “rrjedh pjesërisht nga shqetësimet rreth ndikimit të zgjeruar rus”, thotë A. Ross Xhonson, nga Qendra Wilson, duke vënë në dukje se Kongresi tani kërkon që Departamenti i Mbrojtjes të ofrojë “një vlerësim të bashkëpunimit të sigurisë ndërmjet çdo vendi të Ballkanit Perëndimor dhe Federatës Ruse”.

Rusia e ka bërë të qartë se e konsideron zgjerimin e ri të NATO-s në Ballkanin Perëndimor si të papranueshëm dhe Moska ishte implikuar në një përpjekje të çuditshme të grushtit të shtetit në Malin e Zi në 2016 para se ky vend të bashkohej me NATO.

Rusia është gjithashtu e angazhuar të vendoset në rajon, si me qeverinë ashtu edhe me biznesin, kështu që kur këto vende të hyjnë në Bashkimin Evropian, “ata do të sjellin influencën ruse me ta”, paralajmëron Galeotti.

Strategjia është e ngjashme me atë që Kina dhe Rusia po bëjnë me Greqinë dhe Qipron, vende që konsiderohen “vende ku paratë ruse mund të pastrohen në euro”.

Rusia është gjithashtu e angazhuar në mediat në gjuhën lokale, si me faqet në pronësi të Kremlinit.

Siç thuhet më tej, edhe pse investimet ruse krahasohen me ato të vendeve të Bashkimit Europian, Serbia ka një afrim të natyrshëm me “vëllezërit e saj rusë ortodoksë” dhe kujton mbështetjen e Rusisë gjatë luftës në Kosovë.

“A është BE-ja mjaft e ndjeshme ndaj asaj që po ndodh në Serbi?”, pyet Galeotti.

Ndërkohë, siç shkruan NYT, një ish-zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara e quajti rajonin një fushë beteje të re të Luftës së Ftohtë dhe tha se Brukseli ishte shumë “i ngurtë”.

Zyrtari, i cili kërkoi anonimitet, thotë se vendet u reformuan vetëm kur Brukseli dhe Uashingtoni punuan së bashku për të nxitur udhëheqësit për të thyer zakonet e vjetra të korrupsionit, kapjes së shtetit, një gjyqësie të politizuar.

“Argumenti është se vetëm duke marrë shtetet e Ballkanit jemi të sigurt për të forcuar stabilitetin”, tha Norbert Rottgen, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman. “Por, a është kjo e vërtetë?”.

“Nëse ne importojmë shtete të brishta në BE, ne importojmë brishtësinë”, shtoi ai. “Nëse ne bëjmë kompromis me kushtet, ne i lejojmë vendet e brishta të hapura për ndikimet e huaja, kështu që ne duhet të jemi të ashpër ndaj kërkesave të hyrjes”.

Gjithsesi, Kupchan mbetet një optimist. “Ne e dimë se ku përfundon kjo histori në fund të fundit, me të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë të integruara në Bashkimin Evropian”, thotë ai. “Por kur?”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit