1.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Nevoja e njeriut për besim dhe ndikimi i tij në jetën njeriut

Më të lexuarat

Njeriu në këtë botë ku jeton e gjen vetën të rrethuar me shumë krijesa të tjera. Shpeshherë njeriun e shqetësojnë disa pyetje që e bëjnë të hutuar para tyre dhe pret një përgjigje nga dikush. Ai shpeshherë i bën pyetje vetes së tij: Kush jam unë? Nga kam ardhur? Kush më solli në këtë botë? Cili është qëllimi i ardhjes sime në këtë botë? Cili është programi i cili ma rregullon jetën time? Nga të drejtohem? Kush e krijoi tërë këtë gjithësi me kaq precizitet?

S’ka dyshim se njeriu e vëren veten e vet se si krijesë është i dalluar nga krijesat e tjera. Ai posedon logjikë të shëndoshë dhe arsye të plotë. Kjo është një dhunti që i është dhënë atij.

Shpeshherë njeriu e gjen veten në probleme dhe situata të ndryshme e të vështira dhe ka nevojë të mbështetet tek dikush që është më i fuqishëm se ai dhe që e nxjerr prej atyre krizave që ai ndodhet.

Njerëzit kanë mospajtime dhe probleme të mëdha në gjetjen e metodave më të mira për të kaluar njeriu jetën e kësaj bote sa më mirë, duke u nisur nga personat e deri edhe në shoqëri. Për këtë njerëzimi ka kaluar nëpër etapa të ndryshme, duke shijuar edhe dhimbje, edhe humbje të mëdha në kërkimin e një plan-programi të jetës së njeriut në këtë botë. Çdo ligj dhe çdo ideologji që ka ardhur e ka mposhtur të kaluarën, duke e llogaritur atë si dështuese në organizimin e jetës së njeriut, derisa ka shkaktuar edhe zhvillimin e luftërave dhe derdhjen e gjakut në mes të kulturave dhe civilizimeve të ndryshme.

Të gjitha këto pyetje që ia parashtron njeriu vetes dhe të gjitha këto mospajtime e vuajtje që ka pësuar ai në gjetjen e rrugës sa më të mirë për jetën e tij, vetvetiu e shtyjnë njeriun që të kërkojë rrugën e vërtetë dhe të gjejë rahati edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër, si dhe të kërkojë realitetin e ardhjes së tij në këtë botë.

S’ka dyshim se të gjitha këtyre preokupimeve u përgjigjet besimi i drejtë i njeriut në Allahun. Gjegjësisht, të gjitha këto, mundet t’i gjejë në fenë e drejtë dhe të pastër të Allahut, e që është feja islame.

Allahu thotë në Kuran: “A menduat se Ne u krijuam kot dhe se nuk do ktheheni ju te Ne?”

Ardhja e njeriut në këtë botë nuk është një gjë e rastësishme. Qëllimi i ardhjes së tij në këtë botë nuk është, po ashtu, një gjë e rastësishme. Zgjedhja e njeriut si udhëheqës mbi sipërfaqen e tokës, nuk është një gjë e rastësishme.

Allahu thotë: “Nuk i krijova qiejt dhe tokën kot( shkel e shko).”

Çdo gjë në këtë botë e ka urtësinë e vet. Edhe krijimi i njeriut ka një urtësi të madhe dhe një qëllim të caktuar. Kjo urtësi dhe ky qëllim vjen në shprehje tek fjala e Allahut: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër gjë, përveç që të më adhurojnë.”

Pra, qëllimi i njeriut është që ta njohë Allahun, ta adhurojë atë dhe të shkojë sipas planit dhe programit që Ai ia cakton. Ta njohë Krijuesin e tij. Allahu është ai i Cili ia tregon njeriut planin e tij në jetën e tij, sepse Ai e ka krijuar dhe ai e di më së miri se çka i nevojitet njeriut si krijesë. Pikërisht, edhe për këtë, çdo gjë që e ka krijuar në këtë gjithësi, ia ka nënshtruar njeriut, Toka, Dielli, Hëna, yjet, detet, malet, kodrat, shiun; të gjitha janë të krijuara vetëm për njeriun dhe në shërbim të tij. Pra, a ia vlen që njerëzit të kenë mospajtime për ecjen e një mjeti apo një prodhimi në formën më të mirë, kur ai i cili e ka prodhuar atë mjet i ka dërguar të gjitha njohuritë dhe e ka dërguar tërë katalogun rreth atij prodhimi apo atij mjeti? Kështu edhe Krijuesi i robërve të Tij e ka sqaruar për njerëzit formën e jetës së njerëzve përmes dërgimit të Pejgamberëve.

Misionin e Allahut, programin e Allahut në tokë e sollën Pejgamberët. Ata i dërgoi Allahu udhëzues për njerëzit, jua mësojnë njerëzve rrugën e drejtë dhe rrugën e shpëtimit, jua mësojnë njerëzve qëllimin e krijimit të tyre. Ju mësojnë njerëzve se si të ecin në rrugën e ndritshme dhe si të largohen nga errësirat e ndryshme. A nuk e ke parë se çdo firmë apo çdo fabrikë që prodhon diçka e dërgon edhe inxhinierin për t’i mësuar njerëzit se si duhet t’i përdorin këto mjete. Pra, kështu edhe Allahu i dërgoi Pejgamberët e Tij. Allahut i takon shembulli më i mirë.

Vërtet civilizimet dhe kulturat e ndryshme janë munduar që njeriun ta ngenë në anën materiale, por ia kanë vdekur njeriut anën shpirtërore, ndërsa njeriu llogaritet njeri i vërtetë, nëse e ka të ngritur anën shpirtërore më shumë se atë trupore dhe materiale. E kanë mësuar njeriun se si të jetojë, por nuk e kanë mësuar se pse të jetojë. Besimi i drejtë i njeriut në Allahun është një nevojë shpirtërore, është një nevojë e natyrshmërisë së tij, sepse Allahu të gjithë njerëzit i ka krijuar me natyrshmëri të pastër që ta njohin Allahun dhe ta besojnë atë, por prindërit janë ata të cilët e devijojnë natyrshmërinë e fëmijës, e bëjnë çifut, të krishterë apo zjarrputist. Besimi i drejtë në Allahun është në përputhshmëri të plotë me natyrshmërinë e tij.

Njeriu e njeh Allahun dhe ekzistencën e Tij përmes krijesave që Allahu i ka krijuar në këtë gjithësi. Sepse nuk ka mundësi që ky precizitet kaq i madh në këtë gjithësi dhe këto krijesa kaq madhështore të mos kenë ndonjë Krijues, i Cili është i cilësuar me cilësi absolute dhe me emra absolutë.

Në kohën e kaluar ka thënë njëri prej beduinëve arabë, kur e kanë pyetur se si ti e njeh Allahun, ka thënë: “Nëse i vogli i devesë tregon për nënën e saj, nëse gjurma tregon për ecjen e dikujt, Toka me kodra të larta dhe qielli me gjerësinë e tij, a nuk tregojnë për të Butin dhe të Urtin (për Allahun)?”

Pra, besimi i drejtë i muslimanit në Allahun qëndron mbi argumente të forta dhe të prera.

Njëri prej poetëve ka thënë:

Në çdo gjë ka argument se Allahu është Një.

Pra, ekzistenca e Allahut, njohja e Tij dhe se Ai është i vetmi i Cili e meriton adhurimin, është një çështje që asnjë njeri i mençur nuk ka mundësi ta mohoj atë.

Përktheu: Shaban Murati/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit