1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

“Nëse del e vërtetë që unë kam ekzekutu, atëherë unë kërkoj jo dënim 12 vite, por dënim kapital”, ka thënë Lushtaku.

Më të lexuarat

“Nëse del e vërtetë që unë kam ekzekutu, atëherë unë kërkoj jo dënim 12 vite, por dënim kapital”, ka thënë Lushtaku.

Sami Lushtaku, i ka treguar trupit gjykues për humbjen e më të shtrenjtës – lirisë, për një krim që ai thotë se nuk e ka kryer.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, ka dhënë argumentet e tij se pse dënimi me 12 vjet burgim për vrasjen e një civili shqiptar, është i pabazuar në asnjë provë dhe i motivuar.

“Ma kanë marrë lirin, atë që është me e shtrenjta”, ka thënë Lushtaku në ditën e dytë të gjykimit në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ku po shqyrtohen ankesa e Prokurorisë dhe mbrojtjes.

Lushtaku ka thënë se nuk është kundër gjykimeve, por ka kërkuar që akuzat të argumentohen.

“Nëse del e vërtetë që unë kam ekzekutu, atëherë unë kërkoj jo dënim 12 vite, por dënim kapital”, ka thënë Lushtaku.

“Z. Gjyqtar, në atdhe tjetër nuk kemi. Unë atdhe e kam vetëm Kosovën. Nëse duhet përsëri te sakrifikoj, unë dhe familja ime do të sakrifikojmë për këtë vend. UÇK-ja nuk e ka pasur parim të vrasë njerëz me duar të lidhura”, ka thënë Lushtaku.

Ai ka folur pas argumenteve që ka dhënë ekipi i tij mbrojtës, që udhëhiqet nga avokati Arianit Koci. Koci ka thënë se Gjykata Themelore e Mitrovicës, ka bërë shkelja esenciale e dispozitave procedurale, ka bërë vlerësim të gabuar të provave.

Koci ka thënë se mbrojtja konsideron se nuk ka vetëm dyshime lidhur me ekzistimin e fakteve vendimtare mbi të cilat është dhënë Aktgjykimi, por këto fakte as që ekzistojnë fare.

Sipas tij, të gjitha faktet mbi të cilat është ndërtuar ky Aktgjykim bazohen vetëm në fjale boshe dhe trillime.

Për më tepër, sipas tij, faktet tjera, të cilat janë provuar me dëshmi të së paku tre dëshmitarëve në mënyrë të artikuluar e kundërshtojnë tërë vlerën proveuese të provës së vetme mbi të cilën është marrë Aktgjykimi dënues Lushtakun.

“Dëshmitë e dëshmitarit D nuk janë të mbështetura me asnjë provë tjetër. Dëshmia e dëshmitarit D është e përshkuar me kundërthënie. Ekzistojnë dëshmitë e tjera të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë i kundërvihen dëshmisë së dëshmitarit D”, ka thënë Koci.

Koci ka thënë se praktika gjyqësore nuk njeh ndonjë rast kur ndonjë person është dënuar për vrasje në bazë të deklaratës të vetëm një dëshmitari, posaçërisht kur personi i cili supozohet që është vrarë, nuk është i identifikuar, nuk dihet se a ekziston dhe nuk ka trup të gjetur të vrarë.

Avokati Koci ka thënë se dëshmia e dëshmitarit që pretendon se ka ndodhur vrasja nuk mund të konfirmohet me asnjë dëshmitar tjetër dhe se, dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur nuk mund të konfirmohet me asnjë provë tjetër materiale.

“Praktika gjyqësore ndërkombëtare ka pasur raste kur i akuzuari është dënuar për vrasjen e ndonjë personi të cilit nuk i është gjetur trupi, por të paktën personi i vrarë ka pasur identitet: i akuzuari është dënuar për vrasjen e një personi të paidenfitikuar, por trupi i të vrarit është gjetur; i akuzuari është dënuar për vrasjen e ndonjë personi kur ka pasur ndonjë provë materiale apo ndonjë dëshmi tjetër mbështetëse”, ka thënë Koci.

Në rastrin konkret, sipas tij, asnjëra nga këto nuk ekzistojnë.

“Andaj, edhe sikur të kishte qenë dëshmia e dëshmitarit D koherente, e artikuluar dhe pa asnjë kundërthënie (gjë e cila nuk ka ndodhur) trupi gjykues do të duhej që në përputhje me parimin ‘in dubio pro reo’ si dhe në bazë të standardit të kërkuar ‘përtej dyshimit të bazuar’ të shpallte Aktgjykim lirues për të pandehurit Sami Lushtaku”, ka thënë ai.

Me këtë logjikë juridike, sipas avokatit Koci, që nuk kërkon identitetin dhe kufomën e personit të vrarë, çdokush, çdokënd, mund ta akuzojë dhe i akuzuari të përfundojë në burg.

“Meqenëse nuk ekziston asnjë provë tjetër mbështetëse, logjikisht mund të shtrohen pyetjet: Çka nëse dëshmitari D ka gënjyer? A është rastësi që dëshmia e dëshmitarit D nuk është e mbështetur me asnjë provë tjetër? Si është e mundur që asnjë dëshmitar tjetër mos ta konfirmoj as në mënyrë rrethanore deklaratat e dëshmitarit D”, ka pyetur ai.

Ai ka gjetur kundërthënie në dëshminë e këtij dëshmitari. Ka thënë se në dëshminë e tij të dhënë para trupit gjykues me datën 11 Nëntor 2014, kur e ka përshkruar momentin e vrasjes së personit të panjohur nga Lushtaku, dëshmitari D ka deklaruar: “… pastaj Sami Lushtaku e nxori pistoletën nga beli, dhe ia drejtoi në lule të ballit, dhe personi ka piskatur duke I thënë ‘të lutem mos më vrit’ derisa ai e vrau atë me tre fishekë”.

Por, në mes të kësaj deklarate dhe asaj fillestares, ka mospërputhje lidhur me atë se në cilën pjesë të kokës, është qëlluar viktima.

Koci ka thënë se fillimisht sipas dëshmisë në procedurën paraprake, dëshmitari D ka deklaruar se ai është qëlluar në kokën e të burgosurit mbrapa veshit të tij të majtë dhe ka shtënë mbi të, ndërsa në versionin e parë të përshkrimit të kësaj ngjarje në dëshminë e tij para gjykatës dëshmitari D ka deklaruar se “Sami Lushtaku e nxori pistoletën nga beli, dhe ia drejtoi në lule të ballit, dhe personi ka piskatur duke I thënë ‘të lutem mos më vrit’ derisa ai e vrau atë me tre fishekë”.

“Dëshmitari D pretendon se ka memorie shumë të kthjellët dhe i kujtohet secili detaj i kësaj ngjarje. Andaj, kjo mospërputhje e deklaratës së tij është vetëm një shembull se i njëjti ka gënjyer dhe të gjithë ngjarjen e kishte të trilluar”, ka thënë ai duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta shpall të pafajshëm Sami Lushtakun për një krim që sipas tij nuk e ka kryer.

Seanca vazhdon me argumentet e mbrojtës së Sylejman Selimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit