1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Nënat shtatzëna të cilat thithin cigare përcjellin kancerogjenët te fëmijët e tyre

Më të lexuarat

Cigaret janë një shprehi e fortë dhe mjekët kaherë kanë sugjeruar që femrat shtatzëna nuk duhet t’i konsumojnë. Tani femrat shtatzëna kanë edhe një arsye më tepër që t’i largohen kësaj shprehie të keqe.

Duke iu referuar studimeve më të reja, është vërtetuar se femrat shtatzëna të cilat pinë duhan ua përcjellin foshnjeve të tyre, gjegjësisht fetusëve në zhvillim, substancat active të cilat shkaktojnë kancer.
Gjatë analizimit të urinës së marrë nga foshnjet e porsalindura të nënave të cilat kanë pirë duhan gjatë periudhës së shtatzënisë, hulumtuesit e Universitetit të Minesotës – “Qendra për Kancer”- në Mineapolis, kanë zbuluar një përzierje kimike që është derivat i nikotinit –nitrosaminoketoni (NNK). Kjo substancë kimike, e gjetur vetëm në duhan, rrit llojllojshmërinë e kancerëve te foshnjat e reja.

Kimisti Stephen S.Hect, i paraqiti këto zbulime në takimin e “Shoqërisë Kimike Amerikane” që u mbajt në Boston në gusht të vitit 1998.
Sipas studimit të bërë në maj të vitit 1990 nga “Revista Amerikane për Shëndetësi Publike”, 61%e femrave të cilat pinë duhan, vazhdojnë të njëjtën shprehi edhe gjatë periudhës së shtatzënisë.
Studimet epidemiologjike kanë ndërlidhur pirjen e duhanit me peshën e vogël të foshnjeve të porsalindura dhe problemet e ndryshme gjatë zhvillimit të tyre. Se çfarë efekte shëndetësore mund të ketë NNK mbi fetusin në zhvillim, ende nuk është vërtetuar plotësisht. Mirëpo, Hect thotë: ”Ne nuk dyshojmë aspak se kjo paraqet rrezik të madh për fetusin”. Është kjo edhe një arsye për femrat shtatzëna që të heqin dorë nga pirja e duhanit”.
Urina prej 48 foshnjeve u mblodh nga ana e mjekëve në Dizeldorf, Gjermani dhe u dërgua në Universitetin e Minesotës. Nga 31 foshnje, nënat e të cilave kanë pirë duhan gjatë shtatzënësisë, 22 kanë pasur në urinën e tyre metabolitët e NNK-së, të quajtura NNAL dhe NNAL-Gluc. Ndërsa, për dallim prej tyre, asnjë nga 17 foshnjet e nënave të cilat nuk kanë pirë duhan, nuk i kanë prodhuar këto substanca.
Urina e foshnjeve të nënave që kanë pirë duhan, po ashtu përmbante nikotinë dhe një nga produktet që dalin nga zbërthimi i nikotinës. Hect pohon se nëntë konsumueset e duhanit në studimet e bëra, foshnjet e të cilave nuk prodhuan metabolitet e NNK-së, kanë pirë duhan më pak se pjesëmarrëset e tjera në këtë studim. Rezultatet sinjalizojnë: ”Nëse femrat shtatzëna nuk mund të heqin dorë kurrsesi nga pirja e duhanit, atëherë duhet të përpiqen të pinë sa më pak që të jetë e mundur”…..
Zbulimet e reja, – pohon Lucy M.Anderson nga Instituti Kombëtar për Kancer në Frederik, M.d., – nxjerrin në shesh dëshmitë e para direkte se kancerogjenët specifikë të duhanit, me pirjen e duhanit nga ana e nënës, kalojnë përmes placentës në fetus – edhe kjo në përmasa të mëdha.
Para disa vjetësh,(1997) Hect dhe kolegët e tij raportuan se edhe njerëzit të cilët i janë ekspozuar tymit të duhanit, pra duhanxhinjtë pasivë, po ashtu absorbojnë dhe zbërthejnë NNK-në në trupin e tyre. Foshnjet në studimet e bëra prodhuan urinë me koncentrim të metabolitëve të NNK-së përafërsisht 3 herë më shumë se koncentrimi i gjetur tek njerëzit që vetëm i janë ekspozuar tymit të duhanit.
Hecht është i brengosur se ekspozimi ndaj NNK-së në barkun e nënës, mund t’i bëjë foshnjet të predispozuara ndaj kancerit më vonë gjatë jetës së tyre. Substanca shkakton kancerin duke zhvilluar mutacione në ADN. Për arsye se qelizat e fetusit shumohen shumë shpejt, ndryshimet e ADN-së që paraqiten shumë herët mund të përhapen gjerësisht.
Metoda e përdorur në studimin e bërë në Minesotë, ofron rrugë të re për të hulumtuar efektet e pirjes së duhanit dhe sjelljeve të tjera gjatë shtatzënësisë – thotë Anderson.

Marrë nga libri: “Duhani dhe padrejtësia” i Behauddin Gashit

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit