Edhe pse e vetme, mund të përballojë çdo gjë
Ndarje, fund i një bashkëjetese, zgjedhje e lirë: fëmijët jetojnë me nënën, ndërkohë që babai mungon, ose merret shumë pak me ta kur është i pranishëm. Disa këshilla për të organizuar më mirë ditën
Bëhet fjalë për një problem të dëgjuar dhe të zakonshëm: babai që mungon sistematikisht në shtëpi dhe kujdeset për të vegjlit vetëm pas divorcit. Shumë burra, kur bashkëjetojnë, janë të paaftë që të kujdesem për fëmijët e tyre; ndërkohë që kur janë të ndarë merren më shumë me të vegjlit. Duket sikur familja i huton dhe e kanë të pamundur të luajnë rolin e kryefamiljarit, ose më saktë e reduktojnë këtë rol në minimum. Këta baballarë kalojnë disa fundjava me fëmijët dhe një pjesë të pushimeve, u bëjnë atyre dhurata që ta plotësojnë mungesën e tyre, por për nënat kjo nuk mjafton, pasi e gjithë puna dhe përgjegjësia u mbetet atyre.
Kur një ndarje i bën baballarët edhe më të largët
Ligji nuk e zgjidh as mungesën e dashurisë dhe as nuk mund ta zëvendësojë atë: një baba mund të detyrohet nga gjykata që ta mbajë fëmijën disa ditë në shtëpi, ta çojë dhe ta marrë nga shkolla, por në qoftë se mes të dyve (prind-fëmijë) nuk krijohet një marrëdhënie e ngushtë, atëherë asgjë nga këto nuk ka vlerë. Kështu gjëja e parë që duhet bërë është të kuptoni se ç’po ndodh. Në qoftë se kur keni qenë bashkë, ka qenë një baba i dashur, i cili kalonte shumë kohë me ju dhe ishte i lumtur, atëherë ka diçka që nuk shkon. Duhet parë nëse ka konflikte mes prindërve, inate, keqkuptime, elementë që e pengojnë atë të bëjë rolin e babait. Por nëse edhe më parë ishte nëna ajo që merrej me fëmijët, nuk ka gjasa që babai të jetë i pranishëm pas ndarjes. Është e kotë që ngulni këmbë të ndryshojë sjellje, sepse nuk do ta bëjë. Mos humbisni kohë por filloni të studioni strategjitë që ta detyroni atë të kujdeset për fëmijët.
Kur nëna kujdeset për të gjitha
Zakonisht ndjenjat e fajit gjejnë terren pjellor te gratë, por sidomos tek ato që mbeten vetëm. Frazat e tyre të zakonshme janë: “Ja, nuk arrita ta mbaja të bashkuar familjen time. Zgjodha burrin e gabuar. Nuk pata durim. Ndoshta duhet të kisha pritur deri sa fëmijët të rriteshin edhe pak…”. Kështu nga të gjitha këto “gabime” lindin përpjekjet për “t’u ndrequr”. “Fëmijët nuk duhet të paguajnë gabimet e mia. Do të bëj gjithçka që të jenë të lumtur”. Në këtë pikë, fëmijët bëhen qendra e botës rreth të cilëve rrotullohet jeta e nënës. Gjëja e parë dhe e vetme janë nevojat e tyre, ndërsa nevojat e nënës kalojnë në plan të dytë, deri sa zhduken totalisht. Por çfarë mund t’ju ofrojë një nënë e vetme fëmijëve të saj? Vërtet shumë pak gjëra.
Mos bëni gruan e fuqishme, por kërkoni ndihmë
Një fëmijë, deri sa të rritet është një satelit i vogël që rrotullohet rreth së ëmës, nga e cila merr energjinë, dashurinë dhe ushqehet. Nëse ajo nuk e bën këtë rol, duke e vendosur atë në qendër, nxit te fëmija pasiguri, frikë, mungesë përgjegjësie. Për këtë arsye është e rëndësishme që të ruhen interesat dhe të dy të bëjnë edhe pak jetë shoqërore, sepse nëna ka nevojë edhe për pak hapësirë për veten. Prandaj duhet ta braktisë mitin e së plotfuqishmes dhe të kërkojë ndihmë. E rëndësishme është që të mos izolohet, por të krijojë një rreth shoqëror, në mënyrë që të plotësojë nevojat e saj.
Një fëmijë a mund të rritet mirë edhe pa baba? Sigurisht që po
Një nga frikërat më të mëdha të mamave singëll, sidomos kur zgjedhja për të sjellë në jetë një fëmijë është marrë pa praninë e një partneri të përhershëm, është se djemve iu mungon një figurë referimi e gjinisë së tyre. Në fakt ky nuk mund të quhet një problem, sepse fëmijët janë shumë të zotët të gjejnë figura zëvendësuese. Ata janë xhaxhallarët, gjyshërit, miqtë, kushërinjtë, mësuesit. Shpesh këto modele preferohen edhe kur babai është i pranishëm në shtëpi.
Nënat, si mund ta ndihmojnë veten
– Kërkoni ndihmë dhe mbështetje: prindërit, miqtë, dadot janë disa nga personat të cilëve mund t’ju drejtoheni
– Mësoni ta ndani përgjegjësinë me të tjerët, nuk keni pse të ndiheni në faj për asgjë.
– Kujdesuni për veten si grua dhe jetojeni seksualitetin tuaj.
– Trajtojini fëmijët sikur të jenë partnerë: tregojuni dhimbjen, sekretet dhe kërkojuni mendim.
-Jini krenare dhe gjithmonë mendoni se do t’ia dilni.kohaislame