4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Nëna Fatime

Më të lexuarat

Alepo – Kur ka nisur kryengritja në Siri, Fatima Zahra ka dërguar pesë djemtë e saj për t’iu bashkuar forcave kryengritëse dhe për të luftuar kundër regjimit, por kjo nuk i është dukur e mjaftueshme dhe ajo ka dashur të gjejë një mënyrë për të bërë edhe më shumë.

Kështu, për disa muaj, siriania e ka transformuar shtëpinë e saj në një bazë të fshehtë të mbështetjes për Armatën e Lirë Siriane, duke përgatitur dreka masive për t’ia shpërndarë kryengritësve, duke ofruar trajtim dhe kujdes bazik mjekësor, duke strehuar dezertuesit nga ushtria e regjimit, e madje edhe duke kthyer dhomat e shtëpisë së saj në depo armësh.

“Që kur unë kam qenë fëmijë, kam dashur të shoh fundin e regjimit, kështu që kur më është shfaqur mundësia e parë, e kam ditur se do të ndihmoja sido që të mundesha”, thotë ajo, teksa bashkëshorti i saj bën kafe dhe ua shërben atë mysafirëve në shtëpinë e tyre.

Babai i Zahras ka ikur në azil në Kuvajt në vitet e 1980-ta, teksa regjimi sirian ushtronte një represion ndaj anëtarëve të Vëllazërisë Myslimane. Ai nuk ishte pjesë e grupit, por ishte një njeri i ditur dhe besimtar, dhe kishte frikë se shumë shpejt do të ndiqej edhe ai.

“Ne jetonim në frikë absolute para revolucionit, edhe prapa dyerve të mbyllura nuk guxoje të përmendje emrin Bashar apo Hafez”, tregon Zahra, duke iu referuar presidentit të tashëm të Sirisë, Bashar al-Assad, dhe babait dhe paraardhësit të tij, Hafez al-Assad.

Por, tani, Zahra thotë se më nuk ka frikë, dhe me krenari e përshkruan vendimin e saj për të qëndruar në vend dhe për t’i ndihmuar kryengritësve kundër regjimit, edhe pse gati krejt fqinjët e saj kanë ikur nga bastisjet e frikshme dhe nga bombardimet e përnatshme.

“Unë gatuaj, i mjekoj të plagosurit sa më mirë që të mundem, dhe u ofroj një vend për të qëndruar, aq gjatë sa të kenë nevojë, atyre që dezertojnë nga ushtria e regjimit”, thotë ajo.

Dy prej djemve të saj luftojnë në front në Alepo, dy të tjerë u ndihmojnë refugjatëve për të kaluar kufirin në Turqi, dhe më i riu, 16-vjeçar, u çon porosi dhe armë kryengritësve.

Bashkëshorti i Zahras, Ahmedi, shikon me krenari, teksa gruaja e tij përshkruan sakrificat e familjes së tyre. “Ajo që po bën gruaja ime është normale. Do t’ju jepnim kryengritësve edhe sytë po të mundeshim”, thotë ai. “Do të doja të mund të bënim edhe më shumë”.

Motra e Zahras, Um Ahmed, 40-vjeçare, u ndihmon atyre me punët e përditshme. Ajo ka dërguar katër prej nëntë djemve të saj për t’iu bashkuar kryengritësve, dhe e ka humbur njërin prej tyre dy muaj më parë në qytetin e Al-Babit nga një plumb snajperi. (AFP)/zeri/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit