Ka përfunduar, pas dy vjetëve punë intensive, hulumtimi i lokacionit në Zhilivodë, njoftoi EULEX-i përmes një komunikate për medie.
Ekspertët e EUELX-it nga Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) nuk kanë gjetur mbetje mortore të njerëzve në këtë lokacion, hulumtimi i të cilit është bërë me urdhër të gjykatës.
“Hapësira që ishte lëndë e interesimit dhe e cila ishte përcaktuar në urdhrin e gjykatës përfshinte rreth shtatë mijë metra katrorë dhe përbëhej prej dymbëdhjetë minierave të thëngjillit të lidhura me tunele. Ato janë gërmuar përgjatë njëzet e katër javëve të punës më 2011 dhe 2012. Për shkak të karakteristikave të lokacionit është dashur që të hulumtohet e tërë zona. Aty nuk u gjetën mbetje mortore të njerëzve,” tha Krassimir Nikolov, ushtrues i detyrës së Bashkëkryesuesit (EULEX), në Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML).
Duhet theksuar se zjarri i fundit që e përfshiu këtë lokacion në Zhilivodë nuk ka mundur ta shkatërrojë ndonjë dëshmi të mundshme meqë zjarri ishte vetëm sipërfaqësor.
DML i EULEX-it vazhdon të jetë i përkushtuar për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur në Kosovë dhe do ta vazhdojë kërkimin për mbetjet mortore të njëzet e pesë personave për të cilët disa kanë menduar se gjenden në Zhilivodë./Indeksonline/kohaislame