-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Në Qeveri hapen 1,076 vende të reja të punës

Më të lexuarat

Numri i të punësuarve në institucionet publike të nivelit qendror do të ketë një rritje të madhe në vitin 2018. Kjo rritje e numrit të punëtorëve është pasqyruar në projekt-buxhetin e vitit 2018, që ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës.

Në buxhetin e miratuar për vitin 2017 ishin planifikuar që numri i punëtorëve në nivelin qendror të arrijë 39 mijë e 407 punëtorë. Në rishikimin e buxhetit të vitit 2017, numri i të punësuarve është rrit për 32 punëtorë, duke arritur në 39 mijë e 439 punëtorë që i kushtojnë. Në vitin 2017, buxheti për paga dhe mëditje ishte 303 milionë e 532 mijë e 728 euro. Nga 39 mijë e 439 të punësuar sa janë në buxhetin e vitit 2017, planifikohet të arrijë në 40 mijë e 515 të punësuar në vitin 2018. Buxheti i ndarë për paga dhe mëditje në vitin 2018 është 323 milionë e 708 mijë e 568 euro. Pra, kemi një rritje të buxhetit për paga dhe mëditje prej 6.2% apo 20 milionë e 175 mijë e 840 euro më shumë buxhet se në vitin 2017 për paga dhe mëditje.

Nga 56 institucione të nivelit qendror me 39 mijë e 439 të punësuar në vitin 2017 që marrin paga nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, 31 prej tyre nuk kanë planifikuar rritje të stafit në planifikim për vitin 2018. Për këto institucione që nuk kanë rritje të punëtorëve, ka një rritje të buxhetit që do të shkojë për rritje të pagave. Kurse për 24 institucionet tjera që planifikohet rritja e stafit në vitin 2018, do t’i kushtojnë shpenzime buxhetit në vlerë prej 17,883,655 € më shumë.

Radio-Televizioni i Kosovës është njëri prej institucioneve për të cilën nuk ka të dhëna për numrin e punëtorëve në projekt-buxhetin e vitit 2018.

300 punëtorë në shëndetësi

Numri më i madh i punëtorëve do të shkojë në shëndetësi. Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pritet që t’i shtohen 300 punëtorë më shumë në vitin 2018. Për këtë institucion është rritur kostoja për paga për 4 milionë e 495 mijë e 465 euro. Në këtë rritje të kostos është përfshirë edhe premtimi për rritje të pagave. Në vitin 2017 në SHSKUK janë të punësuar 6 mijë e 928 punëtorë që marrin paga dhe mëditje në vlerë prej 51 milionë e 442 mijë e 924 euro. Kurse, për vitin 2018 është planifikuar rritja e punëtorëve në këtë institucion në 7 mijë e 228 punëtorë, apo një buxhet për paga dhe mëditje në vlerë prej 55 milionë e 938 mijë e 389 euro.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku bën pjesë edhe Policia e Kosovës, pritet që të shtohet numri i stafit edhe për 169 të punësuar. Kjo ministri do të shpenzojë për paga dhe mëditje 4 milionë e 22 mijë e 317 euro më shumë në vitin 2018. Kjo ministri në vitin 2017 ka të punësuar 10 mijë e 389 punëtorë, për të cilët është planifikuar një buxhet prej 74 milionë e 788 mijë e 460 eurove për paga dhe mëditje. Kurse, në vitin 2018 planifikohet që numri i të punësuarve të arrijë në 10 mijë e 558 dhe vlera e pagave e mëditjeve do të arrijë në 78 milionë e 810 mijë e 777 euro.

Rritje të punësuarve planifikohet të ketë edhe në sistemin e drejtësisë. Përkundër që është paraparë një rritje e numrit të të punësuarve, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se numri i punëtorëve të rinj është i fryrë, sepse edhe më herët për drejtësinë janë paraparë më shumë të punësuar. Bazuar në projekt-buxhetin e vitit 2018, Këshillin Prokurorial i Kosovës i është lejuar rritja e numrit të punëtorëve edhe për 148 të punësuarve.

Në vitin 2017, ky institucion i ka të lejuar numrin maksimal të punëtorëve prej 698 punëtorëve, për të cilët është ndarë një buxhet për paga dhe mëditje në vlerë prej 6 milionë e 300 mijë eurove. Përderisa planifikimi për vitin 2018 është që në këtë institucion do të punojnë në maksimum 846 punëtorë, për të cilët është ndarë një buxhet për paga dhe mëditje në vlerë prej 7 milionë e 238 mijë e 144 eurove.

Edhe në Këshillin Gjyqësor kemi një rritje të numrit të punëtorëve të lejuar bazuar në projekt-buxhetin e vitit 2018. Në këtë institucion në vitin 2017 numri maksimal i punëtorëve të lejuar në buxhet është 2 mijë e 159 dhe një buxhet për paga dhe mëditje në vlerë prej 15 milionë e 734 mijë e 561 euro. Për vitin 2018 numri i punëtorëve të lejuar është rritur në 2 mijë e 271 të punësuar, për të cilët është ndarë një buxhet për paga dhe mëditje në vlerë prej 17 milionë e 731 mijë e 599 eurove. Pra, në vitin 2018 janë 112 punëtorë më shumë se në vitin 2017.

Edhe Ministria e Drejtësisë, në të cilën hyn edhe Shërbimi Korrektues, për vitin 2018 ka paraparë një rritje të numrit të punëtorëve. Kjo ministri i ka të lejuar 2 mijë e 19 të punësuar për vitin 2017, për të cilët është ndarë një buxhet prej 12 milionë e 482 mijë e 109 eurove. Në vitin 2018 ky numër pritet të arrijë në 2 mijë e 69 të punësuar dhe një buxhet prej 13 milionë e 468 mijë e 850 eurove. Pra, kemi një rritje për 50 punëtorë dhe një rritje të buxhetit për 986 mijë e 741 euro.

Për Gjykatën Kushtetuese është planifikuar rritja e stafit për vitin e ardhshëm edhe me 4 punëtorë shtesë. Nga 66 punëtorë të lejuar në vitin 2017, në vitin 2018 është rritur në 70 punëtorë. Për vitin 2018 është planifikuar një buxhet prej 1 milion e 181 mijë e 836 eurove.

Rritja e numrit të punëtorëve është paraparë edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2018. Në vitin 2017 numri i punëtorëve të lejuar për këtë ministri ka qenë 2 mijë e 67 punëtorë, e ky numër planifikohet që në vitin 2018 të arrijë në 2,142 të punësuar me një rritje prej 75 punëtorëve të ri. Ndërsa, në vitin 2018 është paraparë një buxhet prej 17 milionë e 286 mijë e 141 euro.

100 Punëtorë në Dy Ministritë e Reja

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy ministri të reja të cilat nuk kanë qenë të planifikuara në buxhetin e vitit 2017. Këto dy ministri pas formimit të Qeverisë Haradinaj punën e tyre e kanë filluar me staf prej nga 12 të punësuarve me nga 25,000 euro buxhet për secilën. Këta punëtorë dhe ky buxhet i është ndarë vetëm në rishikim që është bërë në fund të muajit tetor.

Planifikimi i punëtorëve për këto ministri në vitin 2018 do ta gjejë Ministrinë e Inovacionit dhe Ndëmarrësisë me 52 punëtorë. Pra, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2017, kemi një rritje prej 52 punëtorëve të rinj, ndërsa nëse e marrim numrin e punëtorëve të lejuar në rishikim kemi një rritje prej 40 punëtorëve. Kjo ministri për paga dhe mëditje i planifikon që në vitin 2018 të shpenzojë 259 mijë e 43 euro. E njëjta situatë është më Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Edhe kësaj ministrie të re i është lejuar të punësojë 54 të punësuar në vitin 2018. Buxheti i ndarë për paga dhe mëditje për këtë ministri do të arrijë në 304 mijë e 339 euro.

Rritje të të punësuarve me nga 16 punëtorë më shumë, planifikohet të ketë edhe Ministria e Financave dhe ajo e Diasporës. Nga 1 mijë e 785 të punësuar sa ka Ministria e Financave në vitin 2017, me planifikim ky numër do të arrijë në 1,801 të punësuar në vitin 2018. Pavarësisht që kjo ministri planifikon rritje të stafit, buxheti për paga është ulur për 214 mijë e 400 euro. Për kategorinë e pagave dhe mëditjeve kjo ministri në vitin 2017 do të shpenzojë 15 milionë e 230 mijë e 972 euro. E në vitin 2018 janë planifikuar 15 milionë e 16 mijë e 572 euro për paga dhe mëditje.

Ministria e Diasporës në vitin 2017 ka të punësuar 66 punëtorë, e planifikimi i stafit për vitin 2018 për këtë ministri do të jetë 82 të punësuar, pra 16 punëtorë më shumë. Kjo ministri për paga dhe mëditje në vitin 2017 do të shpenzojë 478 mijë e 748 euro, përderisa për këtë kategori në vitin 2018 shpenzimet do të arrijnë në 604 mijë e 380 euro.

Rritje të stafit në vitin 2018 prej 15 punëtorësh planifikon të ketë edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ministria e Punëve të Jashtme për vitin 2018 po ashtu planifikon të ketë rritje të stafit për 14 të punësuar. Kjo ministri në vitin 2017, numri i punëtorëve të lejuar është 295 të punësuarve, ndërsa për vitin 2018 i është lejuar staf prej 309 personave. Buxheti i planifikuar për paga dhe mëditje për vitin 2018 është 6 milionë e 755 mijë e 341 euro.

Kuvendi i Kosovës tani në vitin 2017 ka të punësuar 357 punëtorë, e ky numër në vitin 2018 pritet të rritet për 13 të punësuar më shumë duke arritur në 370 punëtorë. Zyra e Kryeministrit po ashtu ka planifikuar që në vitin 2018 të ketë 10 punëtorë më shumë se në vitin 2017. Rritje të stafit prej 10 punëtorë planifikohen edhe për Ministrinë e Integrimeve Europiane.

Tavani i numrit të punëtorëve për Zyrën Kombëtare të Auditimit për vitin 2018 është rritur për 7 të punëtorë. Me nga 6 të punësuar më shumë për vitin 2018 planifikohen ti kenë edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Agjencioni për Shërbimet e Navigimit Ajror.

Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Agjencia për Shërbimet e Navigimit Ajror do të kenë nga 6 punëtorë më shumë të lejuar në projekt-buxhetin e vitit 2018. Kurse, Zyra e Presidentit për vitin 2018 do të ketë 5 punëtorë më shumë të lejuar se në vitin paraprak. E fundit me rritje për vetëm 3 punëtorë në vitin 2018 planifikohet ta ketë Ministria e Administratës Publike.

I vetmi institucion që planifikon zvogëlim të stafit për vitin 2018 është Ministria e Pushtetit Lokal, të cilët do të kenë 6 punëtorë më pak të lejuar për vitin 2017.

Numri i të punësuarve që pasqyrohet në buxhet, zakonisht nuk përkon me numri real të punëtorëve të një institucioni. Shumë institucione nuk i plotësojnë me kohë vendet e punës të lejuar me buxhet, e ka të tjera që kanë mbipunësim për pozita që nuk ju lejohen nga qeveria. Zakonisht për punësimin e këtyre personave, jashtë listës së lejuar nga ministria, bëhet përmes kontratave për shërbime të veçanta, apo siç njihet ndryshe si ‘kontrata mbi vepër’.

Sipas raportit të auditorit i publikuar në nëntor të vitit 2017 thuhet se këto kontrata janë rritur nga viti 2015 krahasuar me vitin 2016 në nivelin qendror dhe atë lokal.

“Angazhimi i punonjësve me marrëveshje/kontrata në 2016 ishte rritur krahasuar me vitin 2015, e me këtë janë rritur edhe kostot e financimit të këtyre marrëveshjeve. Për vitet 2015/2016 vetëm nga institucionet e audituara për këtë lloj marrëveshje janë shpenzuar 3,903,597€. Krahasuar me vitin 2015, shpenzimet për këtë lloj angazhimi në 2016 në nivelin qendror ishin rritur për 55%, ndërsa në nivelin lokal ishin rritur për 76%” thuhet në raportin e auditorit

Sipas të dhënave në raportin e auditimit vetëm në nivelin qendror për viti 2015 me kontrata mbi vepër kanë qenë të punësuar 253 punëtorë, kurse ky numër ka arritur në 459 të punësuar në vitin 2016./JNK/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit