-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Në Kosovë janë182 fëmjë viktima të shfrytëzimit seksual

Më të lexuarat

Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në Kosovë është shqetësues. Pas një hulumtimi që është bërë në komunat e vendit, sipas rezultateve të policisë për katër vjet del se janë 182 fëmjë viktima të shfrytëzimit. Këto të dhëna u publikuan sot nga Institucioni i Avokatit i Popullit, i cili promovoi raportin “Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në Kosovë”, i dalë nga hulumtimi i kryer nga ky institucion, Grupi për të Drejtat e Fëmijëve, në mbështetje të Save the Children International.

Raporti i Publikuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit për shfrytëzimin seksual ndaj fëmijëve, ka nxjerrë rezultatet e pyetësoreve të shpërndarë institucioneve kompetente.
Zëdhënësja e Institucionit të Avokatit të Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, bëri të ditur se në bazë të hulumtimeve që janë bërë, numri i përgjithshëm i fëmijëve viktima të shfrytëzimit seksual, nga viti 2008 deri në vitin 2011, sipas rezultateve të Policisë së Kosovës është 182.
“Të dhënat e policisë natyrisht janë më të kompletuara. Po ndalem vetëm te numri i përgjithshëm i fëmijëve, viktimave të shfrytëzimit seksual, sipas llojit të shfrytëzimit dhe numri i pëgjithshëm është për katër vjet 182”, tha Sinani-Lulaj.
Lulaj gjithashtu, bëri të ditur edhe rezultatet e tjera të institucioneve, ku hulumtimi është zhvilluar përmes pyetësorëve dhe që janë përfshirë Qendrat për punë sociale, Policia e Kosovës, gjykatat, prokuroritë dhe organizatat joqeveritare. Sipas saj, numri i fëmijëve viktima të shfrytëzimit seksual ka rënë lehtë, por megjithatë është shqetësues.
Ndërsa, për Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi, më shumë se sa shifrat shqetësuese është tabuja që të dhënat nuk nxirren jashtë.
“Ne duhet të flasim hapur, këto pedofili dhe vepra kundër fëmijëve nuk janë çështje private as të familjes, janë çështjej publike. Dhuna duhet të lajmërohet, nuk kemi të bëjmë vetëm me dhunën por me konceptin e përgjithshëm të quajtur shfrytëzim seksual. Ky është shqetësimi ynë, që më shumë se shifrat neve duhet të na mundojë tabuja që nuk guxojmë me nxjerrë jashtë”, tha Kurteshi.
Pas kryerjes së hulumtimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, ka vënë re mangësitë në funksionimin e disa institucioneve shtetërore, të cilat në punën e përditshme përballen me problemin e shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Për këtë janë dhënë edhe rekomandimet për të gjitha organet relevante, ku kërkohet themelimi i regjistrave për kryesit e veprave penale, që të shmanget çdo mundësi që këta persona pas vuajtjes së dënimit të përfshihen në punën me fëmijë. /Ind/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit