1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Në kërkim të një jete më të mirë…!

Më të lexuarat

Edhe unë si çdo qytetar i Kosovës, me dhembje kam ndjekur pamjet e fenomenit të ikjes së bashkëvendësve të mi të Republikës së Kosovës për në vendet e BE-së. Arsyeja bazë për këtë largim, sipas deklaratave të tyre, është se po ikin në kërkim të një jete me të mirë. Si një qytetar i rëndomtë i vendit dhe një studiues i drejtësisë, pa u menduar shumë u konsultova me aktin më të lartë juridik të vendit, Kushtetutën e Kosovës, për ta parë se çfarë ka paraparë ky akt për të drejtën time për jetën, dhe neni 25, pika 1 ,thotë: “Secili individ gëzon të drejtën për jetën”.
 
E drejta për jetë është njëra nga të drejtat më elementare dhe më themelore të njeriut, e drejtë kushtetuese, është e drejtë e tij individuale përmes secilës ai ka të drejtë të zgjedh se si do ta organizojë jetën e tij private.
 
S’do mend se zgjedhja e mënyrës së jetesës varet shumë nga faktorë te ndryshëm shoqëror. Jo rrallëherë këta faktorë e përcaktojnë edhe formën e jetesës së individit në një shoqëri. Shoqëria kosovare në 2-3 dekadat e fundit ka kaluar nëpër shumë procese, periudhë në të cilën më së shumti është atakuar jeta e individit dhe janë lënduar ndjenjat, pasuria, e në rastin me ekstrem edhe jeta e tij e cila është një e drejtë të cilën Zoti ia ka dhënë.
 
Por, e drejta në jetën nuk nënkupton, apo nuk duhet të nënkuptohet në të drejtën vetëm për të qenë gjallë, apo siç përdoret shpesh vetëm për të ekzistuar, kësisoj për t’u numëruar si një pjesëtar fizik i kësaj shoqërie. Mirëpo, jetën e tij individi ta gëzojë edhe t’i jep lumturi, harmoni dhe paqe sociale përmes realizimit të së drejtës së tij e për të cilën duhet shteti të garantoj dhe krijoj kushte së paku minimale.
 
Shteti është ai i cili duhet t’i ofrojë dhe t’i garantojë secilit qytetar mundësinë që jeta e tij të jetë sa me e frytdhënëse edhe për gjeneratat e reja që do të vijnë.
 
Infrastruktura ligjore që ka ofruar shteti për të krijuar kushte të përshtatshme për një jetë më të mirë në Kosovë ka qenë e mangët, shpeshherë duke u munduar që të sjellë ligje me standarde të Bashkimit Evropian, vetëm sa është thelluar në komplikime tjera dhe ka dështuar në implementimin e tyre. Mjafton vetëm kostoja financiare e disa ligjeve që është harxhuar në mjete të panevojshme, e të cilat do të mund të destinoheshin për ngritjen ekonomike të vendit dhe të destinoheshin për kategoritë sociale në këtë fazë kaq të rëndë ekonomike.
 
Kur jemi të kategoritë sociale, të cilat gëzojnë përfitime nga skemat sociale në vend, nuk mund të tejkalohet pa u përmendur kategoria e të varfërve të cilët kanë të drejtë të hyjnë në ketë skemë, e të cilëve kjo ndihmë, edhe aq e pakët, u ndalet në momentin kur ata kanë nevojë më se shumti – atëherë kur fëmija i mbush pesë vjet ndalet kjo ndihmë dhe fillon sfida tjetër e këtyre familjeve, shkollimi i tyre, dhe kjo për edukimin e tyre, në instancë të fundit, me qellim të arritjes së një jete më të mirë për ta dhe familjet e tyre.
 
Kisha pasur dëshirë që një ministër, deputet a ndonjë person tjetër i skenës së lartë shtetërore ta përjetojë vetëm një ditë ndjenjën e të qenit i varfër në këtë vend, që realisht të shohin rëndësinë për përmirësimin e jetës për shoqërinë tonë, gjë e cila është në përgjegjësinë e tyre reale e morale.
 
Pastaj, mosfunksionimi i sistemit shëndetësor është një arsye tjetër, pse qytetaret po ikin, madje edhe vet mjekët po ikin nga ky sistem i degraduar. Fjala vjen, miratimi dhe zbatimi i ligjit për sigurimet shëndetësore i cili është më se i nevojshëm, do të zbuste sado kudo edhe migrimin e qytetarëve tanë, ku numër jo i pakët i atyre që tashmë e kanë lëne vendin, pikërisht mos arritja e mjekimit të duhur të anëtareve të familjeve janë detyruar të marrin këtë rrugë.
 
Kemi një çekuilibër midis realizimit të së drejtës së shkollimit dhe realizimit të së drejtës së punësimit, ku shpeshherë mos realizimi i së dytës e ka demotivuar qytetarin edhe nga realizimi i së parës. Në Kosovë, çdokujt i është ofruar e drejta e shkollimit universitar, madje ka pasur edhe stimulime në këtë drejtim, qoftë përmes lirimit prej obligimeve financiare për ata që shkollohen, qoftë përmes lirimit të taksave, mirëpo mos realizimi i të drejtës së punësimit e ka zhvlerësuar në masë të madhe edhe realizimin e të drejtës së shkollimit universitar. Kjo shpërputhje kërkon trajtim të veçantë për efektet që do të prodhojë më vonë. Të shumtë janë ata që me diploma kanë migruar ilegalisht.
 
Fenomeni i ikjes nga vendi me këtë intensitet dhe me ketë mllef, për shtetin me te ri në Evropë, pa dyshim që duhet të alarmojë të gjithë dhe kjo kërkon trajtim të veçantë nga ekspertë të të gjitha fushave shoqërore, në mënyrë që të dilet me një analizë të saktë dhe të mos i jepet hapësirë spekulimeve te ndryshme si gjoja po ikën nga kanceri, apo edhe rreziku nga ekstremizmi, e analiza tjera konspirative të padobishme për zgjedhjen e këtij problemi.
 
Edhe pse personalisht mendoj se kërkimi i një jete më të mirë jashtë vendit është i dështuar, ikjet kaq masive mund të arsyetohen me të vetmin fakt, se ata që kanë marrë përgjegjësinë për të ndërtuar shtetin që 15 vite kanë dështuar që të paktën të bindin qytetarët e këtij shteti që janë duke punuar për një jetë më të mire të tyre. Përkundrazi, kanë dëshmuar se po punojnë vetëm për klasën politik edhe vartësit e tyre.
 
Përderisa qytetaret e rrezikojnë jetën në kërkim të një jete më të mirë duke kaluar kufijtë ilegalisht e duke hequr të zitë e ullirit gjatë rrugëtimit shpresëgjetës, e që përbën alarm për shtetin e Kosovës, atëherë është moment i fundit që politikbërësit të reflektojnë në krijimin e kushteve për të realizuar këtë të drejtë kushtetuese këtu në vendin tonë, që jeta të përmirësohet dhe të rikthehet shpresa tek qytetarët.

Jeton Isufi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit