Ne jemi të gjithë nga pak Dukagjinas
Vrasja e dy turistëve çekë në aplet shqiptare ishte një ngjarje e shëmtuar dhe mizore që, me të drejtë ka ngritur peshë gjithë opinionin në Shqipëri. Sigurisht vrasje ndodhin përditë në këtë vend, aq sa kronika e zezë na është bërë rutinë, por dramaticiteti i rrethanave të ngjarjes, ku dy të rinj vijnë për të shijuar të paktat gjëra të bukura me të cilat krenohemi në këtë vend dhe gjejnë shëmtinë mizore të disa kriminelëve që u marrin jetën, i ka dhënë peshë të pakrahasueshme në media e rrjetet sociale. Natyrisht duke i shtuar kësaj edhe ankthin tonë primordial mbi imazhin e vendit në sytë e botës, si dhe cinizmin e hesapeve mbi humbjet e mundshme në sektorin e turizmit, ngjarja amplifikohet edhe më shumë.
Akti rrezikon të kalojë thjesht me shfrime emocionale, të cilat nuk çojnë në asnjë analizë të vlefshme për shoqërinë. Mund të themi se më shqetësuese se ekzistenca e një zone të thellë, të izoluar, të paurbanizuar, larg qytetërimit (ndoshta jo dhe aq për faj të tyre), të veshur me epos e të pretenduar me rrënjë identitare, dhe që herë pas here shfaq mosrespektin ekstrem për jetën e tjetrit (shpesh edhe për të vetën), është vetë mënyra sesi ne reagojmë në të tilla raste. Masivisht komentet ishin të mbushura me urrejtje dhe agresivitet të pajustifikueshëm, gjë që nxjerr në pah nënvetëdijen tonë të mbushur me lloj-lloj ndrydhjesh e frustracionesh.
«T’i varim», «t’i zhdukim», «t’i djegësh të gjallë», sa kriminelët aq edhe “malokët”, kanë qenë togëfjalëshat më përmledhës të shumicës së reagimeve. Madje nuk kanë munguar edhe sugjerime konkrete mbi mjetet sesi mund të realizohet kjo. Një masë kërkon rikthim të dënimit me vdekje, ndërsa pati edhe zëra që propozuan krijimin e strukturave të fshehta policore, për ekzekutimin në fshehtësi, dhe natyrisht pa gjyq të keqbërësve si këta.
Mjafton një veprim çnjerëzor për të nxjerrë në pah shpjetësinë me të cilën dehumanizohet shoqëria jonë, për të hedhur në kosh ligjet, të drejtat dhe institucionet themelore të shtetit. Është madje e kotë t’u kërkosh atyre të kthjellohen e të mos flasin emocionalisht, duke u kujtuar se një shoqëri e qytetëruar kujdeset t’i japë të drejta dhe dinjitet edhe kriminelit, duke e trajtuar atë sipas ligjit e jo sipas epshit kolektiv të dhunës. Jo. Në mendësinë tonë, ka disa raste kur është legjitime të sillesh në mënyrë të jashtëligjshme, e të njesohesh me dhunën.
Kjo tregon se jemi ende të papjekur për të qenë të qytetëruar dhe se shoqëria jonë vuan nga probleme shumë më të thella sesa ajo e ekzistencës së njerëzve apo komuniteteve të izoluara, që sillen e veprojnë në mënyrë krejt jashtë kohe dhe hapësire. Kjo shoqëri mund t’i zhbëjë lehtësisht të gjitha parametrat elementare të të sjellurit në mënyrë të qytetëruar, mjaft që të provokohet me gjënë më të vogël. Prej këtej mund të themi edhe se pikërisht kjo është arsyeja përse, thellë-thellë, ne jemi të gjithë nga pak dukagjinas dhe, ndonëse e urrejmë krimin, nuk jemi fare të imunizuar brenda vetes ndaj sjelljes në mënyrë kriminale e në kundërshtim me ligjin. Nëse njerëz që jetojnë në bllok, që kanë kryer shkollim të mirë e kanë shëtitur nëpër Europë pushtohen kaq lehtë nga instikti kafshëror brenda vetes, çfarë duhet të bëjë ai në Prekal, që i sheh të rinjtë çekë si alienë?
Përpara se të derdhim vrer e mllef ndaj vrasësve, gjë që nuk sjell kurrfarë dobie përveç shkarkimit të ngarkesave emocionale që përvetësojmë nga të jetuarit në një vend me mijëra probleme si Shqipëria, është mirë të përpiqemi t’i kuptojmë fenomenet, të evidentojmë burimet e të refuzojme elita të cilat nuk e heqin fjalën “krim” nga ligjërimi i përditshëm. Është nevoja të marrim në analizë arsyet që i bëjnë sot shqiptarët të jenë kaq të vrazhdë, si dhe arsyet përse zona të caktuara gjeografike vijojnë ta kultivojnë imazhin negativ. Po kështu, meqenëse rasti ilustron me ironi teatralitetin e formulave “shqiptari i vërtetë”, “besa”, “burrëria”, “mikpritja”, si të gjithë të tjerët edhe shqiptarët gërshetojnë vesin e virtytin dhe s’kanë arsye t’i bien gjoksit me mitologji romantike. Fatkeqësisht duhen raste të tillë për t’na kujtuar se në ç’gjendje jemi Ne, shumësi i vrasësve realë dhe i vrasësve potencialë të legjitimuar nga etja për drejtësi./postbllok