Nga: Çarls Levinson dhe Mat Bredli
NË EGJIPT NGRIHET SËRISH “SHTETI I THELLË”
“The Wall Street Journal”
12 korrik 2013
Muaj përpara se ushtria të rrëzonte presidentin Muhammed Mursi, gjeneralët më të lartë të Egjiptit janë takuar rregullisht me krerët e opozitës, shpesh në Klubin e Oficerëve të Marinës në breg të lumit Nil.
Mesazhi: Nëse opozita është në gjendje të nxjerrë shumë protestues në rrugë, ushtria do të lëvizë dhe do ta heqë forcërisht presidentin.
“Ishte vetëm një pyetje e thjeshtë që opozita i bëri ushtrisë”, thotë Ahmed Samih, i cili është i afërt me disa krerë të opozitës që morën pjesë në takime. “A do të jeni përsëri me ne?” Ushtria tha se po. Persona të tjerë familjarë me takimet e bëra i përshkruan ato në mënyrë të ngjashme.
Më 30 qershor, miliona egjiptianë dolën në rrugë, duke kërkuar që Mursi të ikë. Tre ditë më vonë, ushtria e rrëzoi atë nga posti.
Sugjerimet që përmbysja e z. Mursi u planifikua që më parë dhe jo si një përgjigje emergjence, kanë ndikime për ndihmën amerikane.
“Nëse ka prova se kjo gjë është planifikuar që më parë, atëherë kjo do të shkaktojë presion mbi administratën e Obamës për të ndërprerë ndihmën, e cila deri tani po mundohet ta shmangë etiketimin e tij si grusht shteti”, thotë Xhosh Stejçër, profesor i shkencave politike në universitetin Kent Stejt dhe ekspert i Egjiptit.
Takimet ndërmjet gjeneralëve dhe krerëve të opozitës tregojnë gjithashtu veprimet e atij që në Egjipt njihet si “shteti i thellë”, një përzierje e forcave të kahershme politike dhe burokratike, që kanë një ndikim tepër të madh. Një zëdhënës ushtarak, koloneli Ahmed Ali, e pranoi se “kishte një proces njohjeje me njerëz, me të cilët ushtria kishte pasur pak të bëjë më parë”.
Kulmi i kryengritjeve të Pranverës Arabe ndodhi në 2011, kur egjiptianët përmbysën diktatorin Husni Mubarak. Zgjedhja në vitin e kaluar të Dr. Mursit të Vëllezërit Myslimanë tregoi se tranzicioni demokratik në Egjipt po lëvizte mirë, ndonëse me hope. Rrëzimi i z. Mursi e kërcënon këtë tranzicion.
Takimet e fshehta ndërmjet ushtrisë dhe partive të opozitës laike ishin çelësi i lojës së shahut politik që çoi në largimin e z. Mursi. Takimet përfaqësuan një afrim të çuditshëm flirtues ndërmjet dy grupimesh që janë në mosmarrëveshje prej shumë kohësh: opozitës egjiptiane dhe mbeturinave të regjimit të Mubarakut. Armiqësia e tyre daton që gjatë 30 viteve të diktaturës së z. Mubarak, i cili përdori shërbimet e sigurimit për të shtypur opozitën.
Sot, ndryshe nga në të shkuarën, opozita dhe forcat e kohës së Mubarakut janë të bashkuara. Ata e shikojnë z. Mursi dhe ideologjinë e tij islamiste si një kërcënim.
“A ka rrezik që 30 qershori të shndërrohet në një kundërrevolucion? Po. Por ai mund të jetë një shans i vyer për të ripërsëritur tranzicionin”, thotë një ndihmës i Amr Musas, një anëtar i Frontit të Shpëtimit Kombëtar të kryesuar nga Muhammed El Baradei.
Përputhja e mendjeve të forcave të periudhës së Mubarakut dhe opozitës laike, ka përkuar me një rigjallërim të taktikave të shtypjes politike që i ngjajnë dhunës së kohës së Mubarakut. Në ditët para rrëzimit të z. Mursi, një valë dhune kundër zyrave të Vëllezërve Muslimanë tregoi ngjashmërinë me dhunën e ushtruar nga regjimi i Mubarakut gjatë zgjedhjeve të mëparshme në kohën e Mubarakut.
Është e vështirë t’i dish motivet e sakta të sulmuesve. Brenda Egjiptit ato shikohen nga shumëkush që ishte dëshmitar i tyre, si përpjekje të pushtetmbajtësve të kohës së Mubarakut për ta nxjerrë jashtë loje z. Mursi, duke përdorur metodat që njëherë përdoreshin nga Mubaraku.
Me nxjerrjen jashtë loje të z. Mursi, figurat dhe institucionet e kohës së Mubarakut po fitojnë ndikim. Ushtria zgjodhi një gjykatës të kohës së Mubarakut si president të përkohshëm, ndërsa të tjerë gjykatës të asaj kohe janë caktuar të kryesojnë përpjekjet për të shkruar një kushtetutë të re.
Opozita egjiptiane dhe zyrtarët e kohës së Mubarakut filluan t’i ndreqin lidhjet në nëntor, pasi z. Mursi nxori një deklaratë kushtetuese, në të cilën i jepte vetes pushtet të madh dhe e cila u konsiderua si rrëmbim pushteti. Partitë e opozitës u bashkuan nën flamurin e Frontit të Shpëtimit Kombëtar të El Baradeit.
Besnikët e periudhës së Mubarakut nuk i besonin z. El Baradei, por pas deklaratës së z. Mursi, akujt u shkrinë. Disa figura me ndikim të kohës së Mubarakut u bashkuan me z. El Baradei, duke përfshirë Hani Sirrijjuddin, avokatin e manjatit të çelikut dhe peshën e rëndë të regjimit të Mubarakut, Ahmed Izz.
Bashkimi i z. Sirrijjuddin “i dërgoi një mesazh biznesmenëve të fuqishëm që ishin skeptikë ndaj revolucionit dhe El Baradeit, se tani mund t’i besonin atij”, thotë Rebab El Mehdi, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Amerikan të Kajros, e cila është shumë e afërt me krerët e frontit të Shpëtimit Kombëtar.
Të dy palët kishin nevojë për njëri-tjetrin: Partitë e opozitës kishin kredibilitet në popull, ndryshe nga zyrtarët e kohës së Mubarakut, ndërsa figurat e Mubarakut sollën xhepat e thellë dhe ndikimin e tyre mbi burokracinë e fuqishme shtetërore.
Disa nga këto figura “janë ata që vazhdojnë metodat e të ashtuquajturit shtet i thellë”, thotë zj. El Mehdi. “Ata janë të vetmit që i njohin se kush janë banditët e zgjedhjeve dhe se si punësohen ata”, thotë ajo. “Ata e dinë se cilët drejtues të sektorik publik kanë rrjetin më të madh të nëpunësve”.
Me afrimin e rrëzimit të z. Mursi, takimet ndërmjet ushtrisë dhe opozitës u intensifikuan, duke përfshirë z. El Baradei; ish-kandidatin për president dhe kreun e Ligës Arabe, z. Musa dhe një tjetër ish-kandidat presidencial, Hamdin Sabahi, sipas zj. El Mehdi dhe z. Samih, të dy të afërt me anëtarët më të lartë të Frontit.
Disa takime u zhvilluan në Klubin e Oficerëve të Marinës, ku gjeneralët thanë se nëse në protestat publike mblidheshin mjaft egjiptianë, ushtria nuk kishte zgjedhje tjetër vetëm se të ndërhynte, sipas fjalëve të disa veprimtarëve të afërt me z. El Baradei dhe zyrtarët amerikanë.
Që nga rrëzimi i z. Mubarak, veprimtarët egjiptianë kishin treguar se ishin të dobët në organizimet jashtë qyteteve, por në fund të prillit, një grup deri atëherë pak i njohur “Temerrud” (Rebelimi), ndërmori i vetëm një peticion kundër z. Mursi.
Përpjekjet e Temerrud filluan. Themeluesit e tij pretendojnë se kishin mbledhur 22 milionë firma në më pak se tetë javë. Shifrat është e pamundur të verifikohen, por u raportuan si fakte të mirëqena nga masmediat shtetërore dhe ato private, dy shtretër të ngrohtë të zellit kundër Vëllezërve Muslimanë.
Në qytetin e Zekazikut, një orë në veri të Kajros, njerëz të armatosur u shfaqën jashtë një zyre të Vëllezërve Muslimanë natën e 27 qershorit, sipas fqinjëve dhe banorëve të ndërtesës në të cilën ndodhet zyra. Më t’u afruar, rryma elektrike u ndërpre, sipas dëshmitarëve të palidhur me Vëllezërit. Filluan të shtënat dhe sipas dëshmitarëve, shtatë nga mbrojtësit e zyrës së Vëllezërve Muslimanë u plagosën, njëri prej të cilëve për vdekje.
Zëvendësguvernatori i provincës, një anëtar i Vëllezërve Muslimanë i caktuar nga z. Mursi, i telefonoi shefit të policisë dhe e urdhëroi të ndërhyjë për të parandaluar dhunën, dëshmon udhëheqësi lokal i Vëllezërve, Jasir Haxh. Z. Haxh tha se shefi i policisë i tha se nuk mund ta ndihmonte, duke thënë se duhej të mbronte 7.000 protestues antiqeveritarë diku gjetkë.
Policia nuk pranoi të komentojë. Në një intervistë, z. Shehata, ish-deputeti i partisë së Mubarakut për zonën, tha se policia nuk mund të përgjigjej, sepse ishin të përhapur për të mbrojtur protestuesit. Ai tha se të rinjtë ishin turma të rëndomta dhe do të arrestoheshin, nëse kapeshin.
Një banor tjetër i ndërtesës, Muhammed Nasir Ammar, i cili thotë se është kundër Vëllezërve Muslimanë, tha se ndërkohë që të rinjtë kishin rrethuar ndërtesën, ai dhe fqinjët e tij i kishte telefonuar disa herë policisë. “Çdo herë, ata thonin se po vinin, por nuk u dukën fare”, tha ai. Edhe banorët e tjerë thanë po të njëjtat gjëra. Atë natë dhe në ditët në vijim, një numër i madh zyrash të Vëllezërve Muslimanë u goditën.
Z. Ammar tregon ngjashmërinë me taktikat politike të kohës së Mubarakut në shërbim të kandidatëve të partisë në pushtet atë kohë. “”Banditët që dilnin atë kohë dhe ngjarjet që ndodhën atëherë, janë të njëjtët me këtë kohë”, tha ai.
http://online.wsj.com/article/SB10001424127887324425204578601700051224658.html?KEYWORDS=egypt
Përktheu: Genc Çurgu
…