Një shtetas kosovar u gjet i pajetë pranë banesës së tij në Durrës. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se 44-vjeçari Skënder Spahia është qëlluar për vdekje me katër plumba nga persona ende të paidentifikuar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në afërsi të zonës së “Shkëmbit të Kavajës” në Durrës, ku 44-vjeçari kishte blerë një banesë në të cilën jetonte përkohësisht gjatë sezonit të verës, transmeton BW.
Nuk dihen ende motivet e ngjarjes, por sipas policisë dyshimet e para lidhen me larje hesapesh. Uniformat blu po hetojnë pistën e përfshirjes së viktimës në pazare droge.
Policia dyshon se vrasja është kryer nga 2 persona të cilët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, të favorizuar edhe nga errësira./koha/kohaislame