Nga: Besnik Sinani
Ne dhe muslimanët’
‘Këto arsye na pozicionojnë në dy llogore të kundërta: Ne dhe Ata. Ne dhe Ato. “NE”-ja pretendon të jetë pjesa e kultivuar dhe përparuar, ata që janë mendjehapur dhe që dinë se si shkohet përpara. Problemi i tyre? Janë përjashtues dhe me këtë ndjenjë nuk mund ta ndërtosh dot atë që pretendon të bësh.’
Elsa Ballauri – Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut.
Citimi i mësipërm është marë nga një artikull i Elsa Ballaurit të 2009 me titull ‘Ne dhe myslimanët’, por duket si të jetë shkruar për debatin që pasoi arrestimin e tetë të dyshuarve për terrorizëm. Duke lënë mënjanë faktin që edhe nga jashtë bashkësisë muslimane akuzat e ngritura nga prokuroria nuk duken bindëse për shumë analistë, por edhe faktin tashmë bërë të qartë në shtyp se ky grup ka qenë i margjinalizuar brenda vetë bashkësisë muslimane, kjo ngjarje nuk po trajtohet si problem të cilin duhet ta zgjidhin organet e drejtësisë, por si riciklim i dilemës identitare midis ‘Ne’ dhe ‘Myslimanëve.
Një gazetar i Mapo, A. Lela, kushtëzon mbrojtjen e lirive në shoqëri (Ne) me kufizimin e lirive të muslimanëve (Atyre). Pra liritë – sipas tij – nuk janë të drejta esenciale, të pakontestueshme e të gëzuara që nga lindja e që kufizohen vetëm nga shkelja e ligjit nga individi, por shpërndahen sipas një lloj sistemi talloni ku ca grupe janë më të merituara se të tjerat. Problemi, për autorin, nuk është problem i drejtësisë për disa individë që akuzohen të kenë shkelur disa ligje, por problem i ndëshkimit kolektiv, komunitar nëpërmjet kufizimit të lirive fetare të myslimanëve – në emër të lirisë për të gjithë të tjerët.
Mustafa Nano propozon një kontratë midis “ne që nuk jemi myslimanë” që “duhet të pajtohemi me faktin që myslimanët janë një pjesë e rëndësishme e kësaj shoqërie,” dhe muslimanëve, që duhet të japin prova “se e dinë mirë që ky komb është dhe i të tjerëve, të krishterë, laikë a ateistë”, “se këtë vend e këtë komb e duan po aq sa ne të tjerët” dhe “se interesi kombëtar është një gjë që nuk mund të negociohet” ashtu si dhe “shteti laik, shteti ligjor, demokracia liberale.”
Në pamje të parë M. Nano njeh se myslimanët janë pjesë e entitetit shqiptar, por më pas myslimanëve u kërkohet nga Nano ajo që nuk i kërkohet asnjë grupi tjetër – të japin prova. Të tjerët mirëfilli e duan vendin, interesin kombëtar dhe tolerancën e nuk kanë nevojë të japin prova komunitare që t’u lejohet pjesmarja në këtë kontratë kombëtare, ndërsa myslimanët duhet të japin prova e në këmbim të provave pala tjetër – gjithnjë tjetër – do t’u garantojnë “të jenë të lirë e të papenguar ta ushtrojnë e praktikojnë besimin e tyre…”
Vetë ky propozim është riforcim i mentalitetit të llogoreve – ‘Ne’ dhe ‘Ata’ – e paradoksalisht është përçarës e përjashtues. Në të njëjtën kohë, duke kërkuar nga myslimanët të japin prova, autori në fakt sugjeron se myslimanët ndoshta nuk e duan vendin siç e duam ne të tjerët, se përndryshe pse do u kërkohej të jepnin prova, ndryshe nga gjithë të tjerët; ndoshta janë kundër bashkëjetesës fetare, ndoshta e duan vendin vetëm për vete e duan të përjashtojnë të tjerët; nuk jemi të sigurtë nëse myslimanët respektojnë shtetin ligjor, demokracinë, sekularizmin – si ne të tjerët. Autori dashje pa dashje sugjeron dyshim e frikë (fobi) mbi një bashkësi të tërë.
Do ishte ndoshta e kuptueshme pyetja: po a nuk përbën retorika e të arrestuarve një retorikë që, me të drejtë, ngjall shqetësim tek pjesa tjetër e shoqërisë? A nuk përligj kjo apelin e M. Nanos që muslimanët duhet të jenë të parët që distancohen prej saj? Gjer më sot nuk ka patur në media një analizë të retorikës së të arrestuarve në kontekstin e termave e debateve sektare e fetare prej nga e kanë origjinën. Por kjo pyetje do mund të ngrihej nëse vërtet besimtarët muslimanë nuk do ishin distancuar me kohë prej ekstremistëve brenda tyre – dhe kjo nuk është aspak e vërtetë. Në të njëjtën kohë duhet ngritur e njëjta pyetje për retorikën e urrejtjes – fetare, krahinore, etnike, ideologjike – që vjen nga pjesë të tjera të shoqërisë.
Këtu e kam fjalën jo vetëm për klerikë të dekoruar nga presidenti i republikës që kanë quajtur myslimanët ‘krijesa me bisht’ që do kish qenë mirë të ishin rrjepur nga Milloshevici, website ku janë bërë thirrje për asgjësim fizik individësh muslimanë, por edhe për shtypin e përditshëm ku është celebruar masakra e Srebrenicës, është bërë thirrje për dëbim të muslimanëve nga Shqipëria, ndalim të praktikave fetare eështë nderuar si hero Anders Breivik. Vetë z. Nano ka intevistuar politikanë që kanë cilësuar konvertimin e shqiptarëve në Islam me terma raciste e kanë projektuar veten si kryqtarë ‘në betejën e Konstandinopojës.’ Të njëjtin krim për të cilin akuzohen tetë të arrestuarit (përhapja e urrejtjes fetare) e lejojnë gazetat më të njohura në vend në faqet e tyre të komenteve me dallimin se ata të tetët deri më tani nuk dihet të kenë deklaruar që duhet përzënë me dhunë apo asgjesuar fizikisht ndonjë bashkësi shqiptare – formulim që e gjen të toleruar përditë në komentet e gazetave.
Kush u distancua prej këtyre ekstremistëve, kush sfidoi retorikën e tyre, e kujt bashkësie iu bë thirrje të distancohet prej ekstremistëve të vet?
Do isha krejtësisht dakort, në të kundërt, që të ketë një angazhim të mirëfilltë të vëmendjes shoqërore që të dënohet intoleranca prej çfarëdo drejtimi, gjuha e urrejtjes dhe e ekstremizmit në të njëjtën kohë që çmontohet edhe gjuha e llogoreve midis ‘Ne’ dhe ‘Atyre’, gjuhë e cila rrezikon përherë kohezionin e një shoqërie, strukturën e bashkëjetesës dhe demokracinë liberale.
e-zani
…