Gjykata Komunale në Kaçanik ka urdhëruar që Xhabir Zharku të fillojë vuajtjen e dënimit prej datës 29 tetor. Por, ish-kryetari i Kaçanikut po bën ç’është e mundur që ta shtyjë vendimin duke kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e tij.
Xhabir Zharku do ta hajë drekën e Kurban Bajramit në shtëpinë e tij në Kaçanik. Ai është i sigurt se nuk do të shkojë në burg, të paktën deri të hënën që vjen(29 tetor). Këtë e konfirmoi të mërkurën për “Express” kryetari i Gjykatës Komunale në Kaçanik, Ramadan Gudaçi.
Ai tha se Xhabir Zharku të mërkurën ka shkuar në gjykatë e ka marrë vendimin e gjykatës për dënimin e tij si dhe urdhëresën e nënshkruar nga Gudaçi që të hënën të shkojë në burg. “Sot ka ardhur Zharku në gjykatë e ka marrë vendimin dhe urdhëresën për të shkuar në burg më 29 tetor”, tha kryetari i Gjykatës Komunale të Kaçanikut.
Por, Zharku i ka nxjerrë punë gjykatës duke kërkuar sërish shtyrje të dënimit, pasi që ka bërë kërkesë për shtyrje të dënimit me arsyetim se ka bërë ankesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Gudaçi është i bindur se pas kësaj kërkese, Zharku mund ta shtyjë shkuarjen në burg të paktën deri në javën tjetër, gjithnjë nëse gjykata vendos negativisht.
“Nëse i refuzohet kërkesa, ka afat tri ditë për ankesë tjetër, kështu që mendoj se fillimi i vuajtjes së dënimit për Zharkun nuk do të bëhet deri javën e ardhshme”, tha Gudaçi. Sidoqoftë, gjykata i ka përfunduar edhe procedurat tjera duke e njoftuar burgun e Dubravës se Zharku do të jetë atje më 29 tetor.
Në ndërkohë Zharku ka angazhuar avokatin e njohur Tahir Rrecaj në mënyrë që t’ia shkruajë kërkesën për shtyrje të vuajtjes së dënimit. Rrecaj konfirmon se ia ka shkruar kërkesën e Zharkut, por tha se nuk është avokat i tij. “Thjesht kam kryer një shërbim juridik. Kërkesa ka të bëjë me mbrojtje të ligjshmërisë”, tha Rrecaj. Ai tha se kjo kërkesë nuk ka mundësi ta shtyjë ekzekutimin e dënimit, por që ka kërkuar të rishikohet rasti i Zharkut. Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte dënuar ish- kryetarin e Kaçanikut me tri vjet burgim për “detyrim” dhe “posedim të paligjshëm të armës”.
Ai kishte kërkuar nga Gjykata Komunale në Kaçanik shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me arsyetimin se ka disa çështje biznesore të pakryera. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme. Nëpërmjet një aktvendimi, Gjykata Komunale në Kaçanik e ka refuzuar kërkesën (lutjen) e Zharkut që ta shtyjë ekzekutimin e dënimit. Pas këtij vendimi të Gjykatës Komunale në Kaçanik, lënda është dërguar për vendosje në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Sipas nenit 23 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, kryetari i Gjykatës së Qarkut do të ketë afat tri ditë pasi ta ketë marrë lëndën për të vendosur nëse ekzekutimi i vendimit ndaj Zharkut do të shtyhet ose duhet të zbatohet menjëherë.
Aktakuza: Zharku, së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenën, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme, prej ose më 26 qershor 2006, deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete ose për dikë tjetër ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve. Ata i kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme të deleve, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt. /Telegrafi/