Duke insistuar se „asnjë veprim nuk do të ndërmerret në veri që është kundër vullnetit të popullatës lokale atje“, zyrtarët e BE-së janë duke stimuluar barrikadat dhe mbajtjen dhe ndarjen e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare kështu ka rënë në kurthin e logjikës serbe, sipas së cilës „barrikadat janë e drejtë legjitime“, ndërsa përpjekjet për heqjen e tyre paraqesin „veprime të dhunshme kundër paqes“. Gjithnjë e më shumë duket se disa qarqe në BE janë në koordinim me disa serbë në veri dhe me Beogradin për t’iu përgatitur atyre një avantazh në prag në nisjes së dialogut për statusin e veriut.
Duke insistuar se „asnjë veprim nuk do të ndërmerret në veri që është kundër vullnetit të popullatës lokale atje“, zyrtarët e BE-së janë duke stimuluar barrikadat dhe mbajtjen dhe ndarjen e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare kështu ka rënë në kurthin e logjikës serbe, sipas së cilës „barrikadat janë e drejtë legjitime“, ndërsa përpjekjet për heqjen e tyre paraqesin „veprime të dhunshme kundër paqes“. Gjithnjë e më shumë duket se disa qarqe në BE janë në koordinim me disa serbë në veri dhe me Beogradin për t’iu përgatitur atyre një avantazh në prag në nisjes së dialogut për statusin e veriut
Që nga vera e shkuar ishte e qartë se vendosja e barrikadave në veri të Kosovës është një lojë nervash dhe matje muskujsh mes radikalëve serbë, të mbështetur nga Beogradi dhe nga një pjesë e Bashkimit Evropian, në njërën anë, dhe me NATO-n në anën tjetër. Serbët dëshironin të testonin se sa larg mund të shkojnë në zbatimin e politikës së tyre të pengimit të lirisë së lëvizjes dhe sa i durueshëm do të jetë KFOR-i në atë lojë. Ishte po ashtu një testim edhe i vullnetit, edhe guximit të EULEX-it. Ky i fundit u dorëzua menjëherë. Skena nga një incizim në Youtube ku shihet se si policia e Serbisë ndjek një veturë të EULEX-it, me pjesëtarë italianë, e ata ikin nga frika tregon më së miri se sa i dobët në veri ishte ky mision. Falë këtij incizimi mësuam pa dyshim se kontrollin në veri të Kosovës e mbajnë Serbia dhe policia e këtij shteti. Pra, mësuam se de facto shteti i Serbisë kontrollon ende një pjesë të Kosovës.
Sa për Qeverinë e Kosovës ajo edhe ashtu nuk ka prani në veri dhe nuk ka as ide e as mundësi të jetë atje pa ndonjë mrekulli ndërkombëtare. Nga aksioni i verës së shkuar kur njësitë speciale të Policisë së Kosovës bënë një aksion në veri mbeten vetëm dy polic të cilët dërgohen me helikopterë të EULEX-it në pikëkalimet kufitare dhe atje rrinë në një kishkë pa bërë gjë derisa të vijë përsëri helikopteri për t’i kthyer.
Deri më tash ishte Beogradi ai që ngadhënjeu në veri të Kosovës. KFOR-i nuk i hoqi për një vit barrikadat, EULEX-i u frikua dhe u dorëzua dhe sot pranon se nuk do të bëjë asgjë në veri pa pajtimin e serbëve të atjeshëm, Kosova nuk zgjeroi autoritetin e saj në veri, ndërsa e gjithë kjo situatë nuk ishte pengesë për Serbinë që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Humbës doli edhe dialogu mes „Beogradit dhe Prishtinës“ me lehtësimin e BE-së. Ndonëse sot dëgjojmë nga drejtori për Ballkanin në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, Fernando Gjentilini se „ky dialog si model u dëshmua i qëlluar“ ai nuk ndryshoi asgjë në terren. Një prej qëllimeve të dialogut ishte që duke zgjidhur disa çështje „më të lehta praktike“ të relaksonte raportet mes Prishtinës dhe Beogradit në atë masë, saqë të mund të niset edhe tema e statusit të veriut. Por që nga fillimi i dialogut e deri më sot raportet mes Kosovës dhe Serbisë vetëm sa janë tensionuar edhe më shumë, ndërsa më e tensionuar sesa para dialogut është edhe situata në veri të Kosovës ku ka pasur edhe viktima në njerëz. Raporte të mira ndëretnike ka vetëm mes kriminelëve shqiptarë dhe atyre serbë. Sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel, madje dyshohet se këto struktura kriminale janë të lidhura me qarqe politike në Prishtinë dhe Beograd.
Paralajmërimet e dr. Edita Tahirit se „deri në nëntor të vitit 2012 do të shpërbëhen strukturat paralele në veri“ nuk janë realizuar, ndërsa sot edhe zogjtë në degë e kanë të qartë se dialogu ishte i thirrur dhe i zhvilluar, para së gjithash, për t’i ndihmuar Serbisë që të marrë statusin e kandidatit. Prej kur Serbia mori këtë status as „D“ nga „Dialogu“ më nuk pati. E do të ketë në të ardhmen vetëm nëse Beogradi vlerëson se i duhet për të marrë datën për nisjen e negociatave.
Kështu përmes mashtrimeve me dialog, përmes barrikadave në veri dhe hezitimit ndërkombëtarë që t’i heq ato, përmes hutimit të Qeverisë së Kosovës, u humb edhe një vit dhe u forcua një situatë e konfliktit të ngrirë në veri të Kosovës, situatë për të cilën vazhdojnë të gjithë të zotohet se po mundohet ta parandalojnë.
Duke insistuar se „asnjë veprim nuk do të ndërmerret në veri që është kundër vullnetit të popullatës lokale atje“, zyrtarët e BE-së janë duke i stimuluar barrikadat dhe mbajtjen dhe ndarjen e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare kështu ka rënë në kurthin e logjikës serbe, sipas së cilës „barrikadat janë e drejtë legjitime“, ndërsa përpjekjet për heqjen e tyre paraqesin „veprime të dhunshme kundër paqes“. Gjithnjë e më shumë duket se disa qarqe në BE janë në koordinim me disa serbë në veri dhe me Beogradin për t’u përgatitur atyre një avantazh në prag në nisjes së dialogut për statusin e veriut.
Sa herë që ka pasur në të kaluarën pritje që të ndryshohet diçka në veri nga disa qarqe në BE, nga disa diplomatë qoftë në Prishtinë, Beograd apo në Shërbimin e Jashtëm të BE-së në Bruksel, janë inkurajuar strukturat paralele në veri dhe Beogradi që të mbajnë „realitetin në terren“. Ka pasur edhe vizita nga niveli i lartë i BE-së te strukturat paralele të Serbisë për t’u dhënë atyre mbështetje. Ka pasur sa e sa kontakte private me to. Madje, në BE nuk kishin fshehur dëshpërimin e madh kur kancelarja gjermane, Angela Merkel kishte thënë prerazi se strukturat paralele në veri duhet të shpërbëhen. Një gjë të tillë BE-ja nuk e ka thënë asnjëherë. BE-ja vetëm ka konstatuar në disa raporte të mëhershme se ato ekzistojnë por asnjëherë nuk është shprehur se duhet të shpërbëhen. Kur Merkel kishte thënë se „në veri duhet të shpërbëhen strukturat paralele“, zyrtarë të BE-së, si në Komisionin Evropian ashtu edhe në EEAS, kishin përfillur në fjalorin e tyre argumentin serbë se „ato nuk janë struktura paralele por janë strukturat e vetme që veprojnë në veri të Kosovës“. Prandaj edhe tash kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që „t’u afrohet“ atyre strukturave të cilat, sipas kësaj logjike „ndonëse nuk janë legale megjithatë janë përfaqësues legjitimë të qytetarëve të atjeshëm“.
Se bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë e sinqertë me Kosovën sa i përket veriut, tregon edhe rasti i tolerancës së MUP-it të Serbisë në territorin e Kosovës dhe madje edhe bashkëpunimit me të. Nëse nuk është kështu, si u bë atëherë që Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ku janë shumica e shteteve të BE-së) të kërkojë që Serbia të tërheqë pjesëtarët e policisë së saj nga territori i Kosovës. Si t’i tërheqë nëse ata nuk kanë qenë atje asnjëherë!?.
Në këtë situatë kur nuk dihet se si do të vazhdohen raportet e Kosovës me Serbinë, a do të shkojnë kah normalizimi apo kah keqësimi i mëtejmë përmes mohimit të ekzistimit të Kosovës nga ana e Beogradit dhe diskriminimit të identitetit shtetëror të Kosovës nga Brukseli. Sikur në rastin e shtetësisë së Kosovës, që nuk dihet në anën e kujt është BE-ja, as në situatën e veriut të Kosovës nuk dihet se në cilën anë është Bashkimi Evropian. Kjo mund të jetë jo vetëm për shkak të dallimeve në statusin e Kosovës, por edhe për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të një grupi zyrtarësh në Bruksel që të sigurohet një status special për veriun e Kosovës. Kjo mund të duket një ide e mirë teorike, sipas modelit të Bosnjë-Hercegovinës, por ajo do të jetë e dëmshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për serbët e Kosovës, sepse do të krijojë dy kategori të tyre, njërën palë në veri dhe të tjerët në pjesë e tjera të Kosovës. Si të tejkalohet kjo situatë është e vështirë të thuhet tani. Por gjithnjë e më shumë duket se rolin udhëheqës politik dhe diplomatik duhet ta marrin shtetet kryesore të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjithnjë e më pak Brukseli i cili nuk mund të ketë qëndrim të qartë as rreth barrikadave.