7.9 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Ndyrësirat (papastërtitë)

Më të lexuarat

“En- nexhase”, ndyrësirat, janë ato papastërti nga të cilat muslimani është i obliguar të ruhet dhe nëse e ndot me to trupin, rrobat ose vendin ku falet, atëherë obligohet t’i pastrojë. Allahu i Lartësuar thotë:“Dhe rrobat e tua pastroji!” (Mudethir, 4)
Gjithashtu thotë: “All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen prej ndytësirave.” (Bekare, 222)
Kurse Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Pastërtia është gjysma ebesimit.”1

Llojet e ndyrësirave

Para se të fillojmë t`i përmendim llojet e ndyrësirave, është e nevojshme të bëhet sqarimi i këtyre çështjeve:
1. Jo çdo lloj pisllëku nga i cili bezdisemi ose ruhemi konsiderohet ndyrësirë për të cilën kushtëzohemi të pastrohemi para faljes, si p.sh. mukoza, pështyma, djersët, etj..
2. Duhet pasur parasysh një fakt, i cili është edhe parim në lëndën e Fikhut, e ajo është se në origjinë gjërat janë të pastra. Andaj, ai i cili e konsideron diçka të papastër duhet ta argumentojë këtë. Nëse s’ka mundësi të sjellë argument për këtë, atëherë ai obligohet që atë gjë ta trajtojë si të pastër.
3. Në përcaktimin se cilat gjëra llogariten ndyrësira nga të cilat obligohemi të pastrohemi, ose të pastrojmë rrobat dhe vendin ku falemi, te fukahatë ekziston mospajtim. Arsyeja e mospajtimit qëndron në metodologjinë e argumentimit që ata kanë përdorur.
Për të qenë më i lehtë kuptimi i llojeve të ndyrësirave, do ta klasifikojmë këtë shtjellim në dy pika:

  1. Ndyrësira të cilat konsiderohen të tilla me pajtueshmëri të dijetarëve.
    2. Ndyrësira për të cilat ka mospajtim të dijetarët se a konsiderohen ndyrësira.
  2. a) Ndyrësirat të cilat unanimisht konsiderohen të tilla
    2. Urina dhe nevoja e njeriut

    Në këtë ka ixhma te dijetarët dhe ata kanë argumentuar me këto argumente:
    – Hadithi i Enesit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Një ditë një beduin bëri urinën në xhami dhe kur e panë sahabët, u ngritën për ta ndaluar (me dhunë, apo edhe për ta sulmuar), por Resulullahu salallahu alejhi ue selem tha: “Lëreni.” E kur e kreu (beduini), tha: ““Silleni një kovë me ujë dhe hidheni mbi urinë.”2
    -Resulullahu salallahu alejhi ue selem thotë: “Nëse ndokush prej jush shkel me nallanet e tij në ndyrësirë, për të dheu ështëpastërti.”3
    Nëse këto ndyrësira bien në trupin e njeriut, në rroba ose në vendin ku falet, është i obliguar t`i lajë (pastrojë) me ujë.Këtu bën përjashtim urina e foshnjës mashkull (që ushqehet akoma me gji), pasi për ta pastruar urinën e tij mjafton të hidhet pak ujë mbi të. Një praktikë e tillë bazohet në hadithin e Umu Kajsit: “Njëherë ajo shkoi tek i Dërguari me djalin e saj, të cilin e ushqente me gji. Ndërsa po e mbante, ai urinoi në prehrin e Profetit. Ai kërkoi pak ujë dhe e spërkati mbi rrobat e tij duke mos i larë ato plotësisht.”4
    Gjithashtu, Aliu tregon se Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Urina e foshnjës mashkull duhet të spërkatet me ujë, kurse urina e një foshnjeje femër duhet larë.” Katadeja thotë: “Kjo gjë thuhet për foshnjën mashkull që nuk ka filluar akoma të hajë. Nëse ai ha, atëherë rrobat duhen larë.”5
    Pra, kjo dispozitë për foshnjën mashkull vlen për aq kohë sa ai ushqehet me gji, por nëse fillon të hajë, atëherë urina e tij duhet pastruar.

    3. Mishi i derrit
    Dijetarët edhe në këtë kanë ixhma dhe argumenti i tyre është thënia e Allahut të Lartësuar: “Mishi i derrit, ai është i ndytë.” (Enam, 145)

    4. Ngordhësira (cofëtina)
    Në këtë lloj ndyrësirash hyjnë të gjitha kafshët të cilat nuk theren sipas sheriatit, por ngordhin pa marrë parasysh mënyrën se si, me furje (mbytje), me vrasje, etj.. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: `Në atë që më është shpallur mua (në Kuran) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është cofëtinë…” (Enam, 145)
    Në këtë përfshihet edhe çdo gjë që hiqet nga një kafshë e gjallë. Ebu Vakid Lejthi ka treguar se Profeti alejhi selam ka thënë: “Ajo çka është hequr nga një kafshë e gjallë, konsiderohet e ngordhur.”6
    -Ngordhësirat të cilat përjashtohen nga kjo, pra që nuk llogariten ndyrësira, janë:

    a. Kafshët e ngordhura të detit
    Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: (Uji i detit) Është i pastër dhe e lejuar është ngordhësira në të.”7

    b. Kafshët e ngordhura që nuk kanë gjak të rrjedhshëm
    Kafshët që nuk kanë gjak të rrjedhshëm janë bletët, mizat, milingonat, etj.. Këto kafshë konsiderohen të pastra dhe nëse bien në ndonjë lëndë, ajo nuk ndotet. Profeti Muhamed alejhi selam thotë: “Nëse miza bie në enë, fundoseni krejt, e pastaj nxirreni, sepse në njërin krah gjendet sëmundja, kurse në tjetrin shërimi (ilaçi)…”8

    5. Gjaku i menstruacioneve

Gjaku i menstruacioneve konsiderohet i ndyrë, prandaj nëse bie në rroba, duhet të pastrohet me ujë. Transmeton Esma, e bija e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë: “Ndodh që njërës prej nesh i bie gjaku i menstruacioneve në rroba, si të veprojmë?” Resulullahu salallahu alejhi ue selem tha: “E fshin, pastaj e lan me ujë, e pastaj falesh.”9

  1. Bajga dhe urina e kafshëve të cilave nuk u hahet mishi

Edhe për këtë janë pajtuar dijetarët islamë dhe argumenti i tyre është hadithi i Abdull-llah Ibn Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem deshi të kryente nevojën e madhe dhe tha: “M’i sill tre gurë”, kurse unë i gjeta dy gurë dhe një bajgë gomari. Resulullahu salallahu alejhi ue selem e hodhi bajgën dhe tha: “Kjo është e papastër.”10

  1. El-Medhi
    El-Medhi quhet lëngu (sekrecioni) i bardhë ngjitës, që rrjedh nga organet intime si rezultat i të menduarit ose i ngacmimit në lidhje me marrëdhëniet seksuale. Ky sekrecion është e mundshme të rrjedhë nga të dy gjinitë. Shumë nga dijetarët theksojnë se ka ixhma se ky lëng është i papastër. Por pasi është mjaft vështirë të ruhet njeriu nga kjo, posaçërisht për më të rinjtë, ata thonë se nëse bie në trup, atëherë është e detyrueshme larja, ndërsa nëse bie në rrobë, mjafton që të spërkatet me ujë.Aliu tregon: “Unë kisha sekretim të el-medhiut, kështu që i kërkova një burri që ta pyeste të Dërguarin në lidhje me këtë. Mua më vinte turp ta pyesja për arsye të pozitës sime dhe respektit që kisha për vajzën e tij (Aliu ishtedhëndëri i Profetit). Ai u përgjigj: “Merr abdest dhe laje organin.”11
    Kurse për pastrimin e rrobave nga ky lëng tregon Sehl bin Hunejfi, se Profeti e porositi atë kështu: “Është e mjaftueshme të marrësh një grusht ujë dhe të spërkatësh rrobat e tua në të gjitha vendet ku është përhapur lëngu.”12

    8. El-Vedi

    El-Vedi është një lëng i bardhë dhe i trashë që del zakonisht pas urinimit te disa njerëz. Ky lëng gjithashtu është i papastër. Për këtë Aishja thotë: “El-Vedi rrjedh pas urinimit. Njeriu i cili ka këtë rrjedhje duhet të lajë pjesët intime, pastaj të marrë abdest dhe nuk ka nevojë të marrë gusël.”13
    Gjithashtu, Abdullah Ibn Abasi radijall-llahu anhu thotë: “Ujërat që dalin nga organi, përveç urinës, janë tre: el-menij (sperma), el-medhij dhe el-vedijj. Nga sperma duhet të lahemi krejt, kurse nga dy lëngjet e tjera duhet larë vetëm organi (pjesën e sipërme) dhe duhet të merret abdest.”14

Alaudin Abazi
27.4.2006

 

[1] Shënon Muslimi.
[2] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[3] Shënon Ebu Davudi.
[4] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[5] Shënon Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe, kurse Ibën Haxheri në “Fet`h” thotë se zinxhiri i tij është i saktë.
[6] Shënon Ebu Davudi dhe Tirmidhiu të cilët e klasifikojnë atë si hasen.
[7] Ibn Maxhe.
[8] Buhariu.
[9] Buhariu dhe Muslimi.
[10] Ibn Maxhe dhe Buhariu.
[11] Shënon Buhariu dhe të tjerët.
[12] Shënon Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se hadithi është hasen sahih.
[13] Shënon Ibën Mundhiri dhe Ibën Ebi Shejbe.
[14] Ebu Davudi.

b) Ndyrësirat për të cilat ka mospajtim te dijetarët, se a konsiderohen të tilla

1. Jargët e qenit

Shumica e dijetarëve, medh`hebi hanefi, shafi dhe hanbeli, mbajnë qëndrimin se jargët e qenit janë të papastra, duke argumentuar me hadithin e Ebu Hurejrës (radijall-llahu anhu), i cili transmeton: “Resulull-llahu salallahu alejhi ue selem thotë: “Nëse qeni pi ujë në një enë prej enëve tuaja, (ena) pastrohet duke e larë 7 herë, të parën herë me dhe.”[1]

Kurse medh`hebi i Malikut përmban qëndrimin se qeni në përgjithësi është i pastër dhe argumenton me ajetin që e lejon ngrënien e gjahut të cilin e zë qeni i gjahut (i mësuar):

“U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira dhe ai (gjahu) i gjahtarëve (shtazëve) të dresuara që i mësoni ashtu si ju ka mësuar juve All-llahu. Hani, pra, atë që gjahtuan për juve dhe më parë përmendie emrin e All-llahut. Kini dro nga All-llahu pse All-llahu shpejt merr masa.” (Maide, 4)

Ata thonë se kur qeni e kap gjahun me gojë është më se e mundur që gjahu të përlyhet me jargë dhe po të ishte ndyrësirë kjo, nuk do të ishte e lejuar. Por e sakta është qëndrimi i shumicës, pasi për këtë ka citat të qartë (pra, hadithi i lartpërmendur), kurse sa i përket ajetit ajo bën përjashtim gjahun që e kap qeni i gjuetisë, në formë lehtësimi dhe faljeje. Pastaj edhe gjahu i cili kapet nga qeni pastrohet dhe zihet, kështu që nëse është ndotur nga jargët e qenit, atëherë ajo largohet.

2. Gjaku që rrjedh

Me gjaku që ka rrjedhur është për qëllim gjaku i cili nuk gjendet brenda damarëve, por ai që ka rrjedhur. Ibën Xhurejxhi ka thënë në lidhje me ajetin kuranor “…apo gjakut të derdhur (në therjen e tyre)…”, se ai është gjaku që derdhet jashtë. Gjaku që nuk derdhet jashtë, por mbetet në vena, është i lejuar.
Mendimi më i qëndrueshëm është se ky gjak është i papastër dhe pothuajse të gjithë dijetarët kanë këtë qëndrim, por një numër i vogël dijetarësh janë përmbajtur të thonë se ai është i papastër.
Sido që të jetë, megjithatë, të gjithë ata pajtohen se muslimani është i liruar nga gjaku i cili del lart në enë gjatë gatimit të mishit. Aishja thotë: “Ne e hanim mishin derisa gjaku në tenxhere ngrihej vija.”
Gjithashtu është e falur edhe gjaku i cili pikon nga varra. Hasani ka thënë: “Muslimanët ende vazhdojnë të falen kur janë të plagosur (gjakosur).”
Tregohet se Omeri falej, ndërkohë që nga plaga e tij pikonte dhe rridhte gjak. Duke sqaruar këtë çështje, Ibën Haxheri në “Fet`hu bari” tregon se Ebu Hurejra nuk shihte ndonjë të keqe në rrjedhën e një ose dy pikave të gjakut gjatë namazit.

3. Sperma

Rreth asaj se a është e pastër apo e papastër sperma, te dijetarët kryesisht ekzistojnë tre mendime:

Mendimi i parë: Ajo është ndyrësirë, sikurse urina, prandaj është i detyrueshëm pastrimi i saj, pavarësisht a është e thatë apo e lagët. Ky është mendimi i Imam Malikut, i Evzaiut, i Thevriut dhe i disa të tjerëve.

Mendimi i dytë: Sperma konsiderohet e papastër, por nëse është e thatë (terur), mjafton të fërkohet (pra, nuk është e detyrueshme larja në këtë rast). Por nëse është e lagur, atëherë duhet të pastrohet. Ky është qëndrimi i medh`hebit hanefi dhe i Ahmedit në njërin transmetim dhe Shevkaniu e zgjedh këtë për më të saktë në librin “Nejlu Evtar”, vëll. 1, f. 55. Ata e mbështesin argumentin e tyre në thënien e Aishes: “E fërkoja spermën nga rroba e të Dërguarit, pastaj ai dilte për të falur namazin.”[2] Gjithashtu, Darekutniu transmeton se ajo ka thënë: “E fërkoja spermën e të Dërguarit kur ishte e tharë dhe e pastroja kur ishte e lagur.” Ky citat është argument se nuk është e ndyrë sikurse urina.

Mendimi i tretë: E konsiderojnë të pastër spermën dhe ky mendim vërtetohet në medh`hebin shafi dhe zgjidhet si më i saktë te një numër dijetarësh, të cilët kanë ardhur më vonë, si Ibën Tejmija dhe të tjerë.

Qëndrimi se sperma e njeriut është e pastër është mendimi më i qëndrueshëm, pasi është uji nga i cili krijohet njeriu. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “A nuk u kemi krijuar juve nga një lëng i trashë?” (Murselat, 20)
Prandaj këtë qëndrim mund ta përforcojmë me këto pikëpamje:
1. Gjërat në esencë janë të pastra dhe kush pretendon për një gjë se është e papastër, i nevojitet argumenti;
2. Aishja e fërkonte pa e pastruar me ujë, kur ishte e tharë. Po të ishte e papastër, nuk do të mjaftohej me këtë. I Dërguari salallahu alejhi ue selem urdhëroi që gjaku i menstruacioneve dhe të gjitha papastërtitë e tjera të pastrohen me ujë;
3. Ky lloj uji është esenca e robërve të Allahut, duke filluar nga të Dërguarit, të devotshmit, dëshmorët dhe njerëzit e mirë. Urtësia e Allahut do të ishte që esenca e tyre të jetë nga e pastra.

Kurse kush argumenton se kjo është sikur mbeturinat e njerëzve si urina, jashtëqitjet, etj., përgjigja është se jo të gjitha mbeturinat konsiderohen mbeturina, sikurse djersa, pështyma, mukoza, etj..
Transmetohet nga një numër sahabësh, se kur janë pyetur për këtë, janë përgjigjur se ajo është e pastër. Transmetohet nga Ibën Abasi, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem është pyetur për spermën nëse bie në rroba dhe është përgjigjur: “Ajo është e njëjtë me mukozën dhe pështymën. Është e mjaftueshme të fshihet vendi me një leckë, ose me barishte (idh`hire).”[3]

4. Urina dhe bajga e kafshëve që u hahet mishi

Mendimi më i saktë në këtë është se ato nuk llogariten të papastra, duke argumentuar me hadithin e Enes Ibën Malikut, ku ai thotë: “Një grup njerëzish nga një fis erdhën në Medinë, ku sëmurën nga barku. I Dërguari u tha atyre të gjenin një deve femër dhe të pinin nga qumështi dhe urina e saj për shërim.”[4]
Ashtu si kemi theksuar, se parimi i përgjithshëm në të gjitha gjërat është se ato janë të pastra derisa të sillet argumenti për papastërtinë e saj, që të thuhet se janë të papastra duhet të sillet argument.

5. Eshtrat, qimet, brirët dhe pendët e ngordhësirave

Mendimi më i saktë në këtë është se të gjitha këto janë të pastra. Sa i përket eshtrave të ngordhësirave si të elefantëve, Zuhriu ka thënë: “Kam takuar disa dijetarë nga të parët tanë të cilët përdornin gjëra të tilla (eshtra) për krehër dhe si enë për vaj dhe nuk e shihnin këtë si diçka të keqe.”[5]

6. Alkooli

Shumica e dijetarëve përmbajnë qëndrimin se alkooli është i papastër. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani.” (Maide, 90)

Disa dijetarë thonë se alkooli është i pastër, pasi ata thonë se domethënia e fjalës “rixhs”, “ndyrë”, është nga aspekti kuptimor, ashtu si janë mushrikët. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet idhujtarët (mushrikët) janë të ndyrë…” (Tevbe, 28)
Papastërtia që përmendet si në ajetin e parë, ashtu edhe në të dytin është nga aspekti kuptimor i tyre e jo se ato janë të ndyra sikurse urina dhe ndyrësirat e tjera. Askush nga dijetarët nuk ka thënë se nëse e prekim mushrikun, duhet ta pastrojmë dorën, pasi nuk është e njëjtë me prekjen e ndyrësirës. Prandaj qëndrimi i dijetarëve të cilët thonë se alkooli është i ndyrë vetëm nga aspekti kuptimor është më i saktë.
Sanani në librin “Subulu selam” thotë: “Esenca e gjërave në parim është se ato janë të pastra dhe se nëse një gjë ndalohet (të përdoret), nuk nënkupton se ajo gjë është e papastër… Allahu i Lartësuar ka ndaluar veshjen e mëndafshit dhe të arit, kurse ato janë të pastra unanimisht. Nëse kuptojmë këtë, atëherë gjithashtu kuptojmë se ndalimi i alkoolit nuk nënkupton edhe atë se ai është i ndyrë, por patjetër për të vërtetuar kemi nevojë për argument tjetër. Derisa kjo nuk gjendet, atëherë gjërat mbesin në esencën e tyre, kurse kush pretendon të kundërtën duhet të sjellë argument për këtë.”

Alaudin Abazi
4.5.2007

[1] Muslimi.
[2] Shënon Muslimi.
[3] Shënon Darekutni, Bejhikiu dhe Tahaviu, zinxhiri i transmetuesve, i cili ngrihet deri te Muhamedi salallahu alejhi ue selem, nuk është i saktë, por e sakta është se kjo është thënie e Ibën Abasit, ashtu si thekson Darekutniu dhe Bejhikiu.
[4] Shënon Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi.
[5] Shënon Buhariu në librin e tij si Mualek.

Mënyrat e largimit të ndyrësirave
 

Në këtë shkrim do të përmendim mënyrën e pastrimit të ndyrësirave, të cilat janë vërtetuar me Kuran dhe Hadith. Shumë nga metodat e pastrimit dhe hadithet të cilat do të ceken këtu janë të përmendura në temën ku klasifikohen ndyrësirat, por është e nevojshme të përsëriten këtu për shkak të përmbledhjes së të gjitha mënyrave me të cilat largohen papastërtitë nga një vend:

 

1. Regjja

Me regjje pastrohen lëkura e cofëtinës dhe pas kësaj lejohet të përdoret.
Ibn Abbasi radijallahu anhu thotë: “Kam dëgjuar Resulullahun salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Çdo lëkurë që regjet, pastrohet.”1

 

2. Pastrimi i enës në të cilën ha ose pi qeni

Ebu Hurejra transmeton se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Pastrimi i enës, në të cilën ka pirë apo ka ngrënë qeni, është shtatë herë, e herën e parë me dhe.”2

 

3. Pastrimi i rrobave në të cilat gjendet gjaku i menstruacioneve

Transmeton Esma bintu Ebi Bekr radijallahu anhuma, e cila ka thënë: “Një ditë prej ditësh një grua erdhi te Resulullahu salallahu alejhi ue selem dhe i tha: “Ndodh që në teshat tona të pikojë gjaku i menstruacioneve. Si të veprojmë?” Resulullahu salallahu alejhi ue selem i tha: “E fërkon (të thatë), pastaj e lan me ujë, e ter dhe falesh me të.”3
E po qe se mbetet gjurmë gjaku? Atëherë Ebu Hurejra radijallahu anhu thotë: “Havle bin Jesat radijallahu anhu erdhi te Resulullahu salallahu alejhi ue selem dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, e nëse mbetet gjurmë në rroba?” Ai tha: “Të mjafton uji, s’të bën dëm gjurma.”4

 

4. Pastrimi i pjesës së poshtme të rrobave të grave (pjesa e cila e prek tokën)

Transmetohet nga nëna e djalit të Abdurrahman Ibn Aufit radijallahu anhu, e cila e ka pyetur Ummi Selemen radijall-llahu anha, (gruan e Muhamedit alejhi selem): “Unë jam një grua që i zgjas rrobat e mia shumë dhe eci nëpër vende ku ka ndyrësira.” Ummu Selemeja radijallahu anha iu përgjigj: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “E pastron ajo që vjen pas.”5 (domethënë dheu është pastrues i saj.)

 

5. Pastrimi i rrobave nga urina e fëmijës që pi qumësht gjiri

Transmetohet nga Ebu Semhi, shërbëtori i Resulullahut salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Muhammedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Lahet rroba (e ndotur) nga urina e vajzës, kurse nga urina e djalit stërpiket.”6

 

6. Pastrimi i rrobave nga medhijju

Transmetohet nga Sehl Ibn Hunejfi, i cili thotë: “Mundohesha shpesh nga medhijju dhe çdo herë lahesha për këtë shkak. Ia përmenda këtë Resulullahut salallahu alejhi ue selem e ai më tha: “Të mjafton për këtë gjë abdesti.” E pastaj e pyeta Resulullahun salallahu alejhi ue selem se si të veproja me vendin e rrobave ku binte ky ujë, kurse ai më tha: “Të mjafton të marrësh një grusht ujë dhe ta hedhësh në vendin ku ka pikuar ai lloj uji.”7

 

7. Pastrimi i anës së poshtme të këpucëve

Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriu radijallahu anhu, i cili thotë se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur ndokush prej jush të vijë në xhami, le t’i kthejë (rrokullisë) këpucët, le t’i shikojë; e nëse vëren në to ndyrësirë, le t’i fërkojë për toke dhe të falet me to.”8

 

8. Pastrimi i tokës që ndotet nga papastërti

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu, i cili thotë: “Një ditë prej ditësh, një beduin bëri urinën në xhami dhe u ngritën njerëzit për ta ndalur. Resulullahu salallahu alejhi ue selem u tha: “Lëreni të qetë, merreni një kovë me ujë dhe derdheni aty, sepse ju jeni të dërguar të lehtësoni e jo të vështirësoni.”9
Resulullahu salallahu alejhi ue selem urdhëroi që të hidhet ujë mbi atë vend ku beduini derdhi urinën, në mënyrë që të pastrohej toka, mirëpo, po ta linte që të thahej dhe të largoheshin gjurmët e ndyrësirës, atëherë gjithashtu ai vend do të pastrohej.
Transmeton Ibn Umeri radijallahu anhu, se ai ka thënë: “Qentë e kryenin urinën në xhami gjatë kohës së Resulullahut salallahu alejhi ue selem dhe askush nuk derdhte ujë aty (domethënë, mjafton që atë vend ta thajnë rrezet e Diellit).”10

9. Fshirja- mes`hi
Me anë të mes`hit (duke e fshirë) mundet të pastrohet shpata, qelqi, pasqyra, thoi, etj.. Kjo vërtetohet nga praktika e sahabëve, të cilët, kur luftonin, shpatat i kishin të përgjakura, i pastronin ato duke i fshirë, pastaj faleshin me to.

Alaudin Abazi
11.5.2007

[1] Shënon Ibn Maxhe.
[2] Shënon Muslimi.
[3] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[4] Shënon Ebu Davudi dhe Bejhekiu.
[5] Shënon Ibn Maxhe dhe Ebu Davudi.
[6] Shënon Ebu Davudi.
[7] Shënon Ibn Maxhe, Tirmidhiu dhe Ebu Davudi.
[8] Shënon Ebu Davudi.
[9] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[10] Shënon Ebu Davudi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit