Rezultati “po” në referendumin për ndryshimet kushtetuese dhe zbatimi i tyre shikohet me interes nga studiuesit dhe analistët në Ballkan
TIRANË/PRISHITNË/SHKUP (AA) – Më 16 prill të këtij viti në Republikën e Turqisë u mbajt referendumi për një sërë ndryshimesh kushtetuese me të cilat sistemi parlamentar do të zëvendësohet me sistemin presidencial të qeverisjes, ndërsa rezultati i këtij referendumi tregoi se shumica e qytetarëve mbështesin ndryshimet e propozuara kushtetuese.
Rezultati “po” në referendumin për ndryshimet kushtetuese dhe zbatimi i tyre shikohet me interes nga studiuesit dhe analistët në Ballkan sa i përket efekteve pozitive në sistemin politik dhe ekonomik jo vetëm në Turqi, por edhe më gjerë, sidomos në rajon.
“Ka optimizëm për periudhën e pasreferendumit në Turqi”
Prof.Dr, Ilia Kristo, profesor i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, duke folur për Anadolu Agency (AA), ndalet në disa çështje, si në të ardhmen e Turqisë, progresin në disa fusha në këtë shtet, periudhën pas referendumit, etj.
Duke folur për situatën pas referendumit në Turqi, Kristo ka thënë se presidenti(Recep Tayyip Erdoğan) është presidenti i gjithë vendit dhe më pas duke bërë një krahasim edhe mes Turqisë dhe BE-së, ai ka theksuar se ato janë dy ekonomi shumë të rëndësishme të cilat do të llogarisin kostot dhe përfitimet që kanë mes tyre.
Kristo është shprehur optimist për periudhën pasreferendumit në Turqi duke theksuar: “Për Turqinë, për peshën dhe pozicionin që ka, integrimi (në BE) është e ardhmja e saj. Jam optimist për të ardhmen e saj dhe ne do të presim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e këtij vendi.”
Ai më pas shprehet se Turqia është një vend që duhet të merret shembull në shumë fusha, sikurse edhe në atë të ndarjes administrative, duke e lidhur atë me zhvillimin ekonomik. Kristo nënvizon gjithashtu se Turqia i ka të gjitha mundësitë që të ndihmojë në zhvillimin e modeleve të kësaj natyre në rajon dhe në veçanti në Shqipëri.
Turqia vend i orientuar drejt progresit teknologjik
Ndërsa duke vlerësuar zhvillimet e viteve të fundit të ekonomisë dhe tregtisë së Turqisë, Kristo thekson se e vlerëson Turqinë si një vend të orientuar drejt progresit teknologjik të industrisë dhe ka treguar si shembull ndërtimin dhe funksionimin e teknoparkut GOSB. Ai e ka cilësuar atë si një model që edhe Shqipëria duhet të marrë në të ardhmen duke e parë si një shtysë për zhvillimin e ekonomisë.
Profesori i Fakultetit të Ekonomisë ka thënë se investimet turke në Shqipëri kanë një peshë të caktuar dhe në disa sektorë të ndryshëm, që sipas tij janë për tu përshëndetur si model, ndërsa ka tërhequr vëmendjen tek rëndësia e një kontrolli të hollësishëm të kontratave mes kompanive dhe shtetit shqiptar.
“Në periudhën pas viteve 1990 krahas investitorëve nga e gjithë bota investitorët turq kanë një peshë të mire në investimet të huaja në Shqipërisë”, ka thënë Kristo.
“Kosova do të jetë ndër vendet e para që ka mundësinë të përfitojë nga Turqia e pasreferendumit”
Doktor i Filozofisë Islame dhe analisti kosovar, Mustafa Bajrami, konsideron se Kosova do të jetë ndër vendet e para që ka mundësinë të përfitojë nga Turqia e pasreferendumit.
Duke folur për AA mbi rezultatet e referendumit për ndryshime kushtetuese në Turqi, Bajrami thekson se ky ndryshim do të reflektohet edhe në vendet e rajonit, por edhe në mbarë botën. “Referendumi ka reflektuar shpresa për një jetë më të mirë si të qytetarëve të Turqisë, ashtu edhe të muslimanëve nëpër botë”, tha Bajrami.
Duke theksuar se Turqia e pasreferendumit, do ta japë kontributin e saj si shtet edhe më shumë në politikat globale dhe vendet e ndryshme të botës, Bajrami tha se: “Mendoj se Kosova do të jetë ndër vendet e para që ka mundësinë të përfitojë nga Turqia e pasreferendumit, fillimisht duke qenë sistemi politik i brendshëm i Turqisë shumë më i qëndrueshëm, dhe natyrisht duke shpresuar në reflektimin e politikave turke në rajonin e Ballkanit, në këtë rast në Kosovë”.
Sipas tij, një Turqi e fortë është garanci për paqen botërore, për të ardhmen e shqiptarëve dhe në veçanti pikërisht të shtetit të Kosovës. “Kosova pa Turqinë do të ishte dhe do të ndjehej më e dobët, do të ndjehej më pa krah, ndërsa me Turqinë e fortë dhe me këtë politikë paqedashëse që e zhvillon Turqia kudo në botë, Kosova do të përfitojë më shumë dhe do të ndjehet edhe më e fortë”, shprehet Bajrami.
Bajrami po ashtu foli për përkrahjen e Turqisë për Kosovën si gjatë periudhës para luftës ashtu edhe pas saj, në fusha të ndryshme si atë politike, ekonomike, diplomatike, në integrimet ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve. Ai theksoi se roli i shtetit turk, veçanërisht i presidentit Recep Tayyip Erdoğan, është i pakontestueshëm, ndërsa populli dhe shteti kosovar, siç tha ai, “nuk do ta harrojë dhe do ta shënojë me shkronja të arta ndihmesën e shtetit dhe presidentit turk ndaj Kosovës në periudhën e kaluar, por edhe sot.”
Ndërkaq, sipas tij, në Kosovë po vërehen disa tendenca negative, të cilat po reflektohen nëpërmes portaleve dhe mediave të ndryshme, në përpjekje të denigrimit të rolit historik pozitiv të Turqisë së tanishme në rajon dhe në Kosovë, si dhe të rolit historik të cilin e ka pasur perandoria osmane në territorin e Ballkanit. Ai vuri në dukje se këto nuk do të mund të ndikojnë në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve dhe përgëzoi elitën politike kosovare, e cila sipas tij shkon në drejtim të forcimit të raporteve bilaterale ndërshoqërore me shtetin turk.
“Mendoj se qarqet të cilat punojnë në denigrimin e rolit të Turqisë dhe janë kundër një bashkëpunimi më të ngushtë mes popullit shqiptar dhe popullit turk, mes Kosovës dhe Turqisë janë qarqe të izoluara, nuk kanë ndonjë peshë. Fatmirësisht qeveria dhe shteti i Kosovës punon në drejtimin krejtësisht tjetër nga ato që shkruajnë dhe punojnë këto qarqe, të cilët propagandojnë jo për të mirën e shoqërisë kosovare”, tha Bajrami.
Së fundi, Bajrami rikujtoi fjalimin e para disa kohësh të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili kishte thënë se ishte rritur në një lagje me fqinj me prejardhje shqiptare dhe pothuajse nga duart e një nëne shqiptare fqinje, duke theksuar se dashuria e presidentit Erdoğan ndaj Ballkanit dhe Kosovës do të mundësojë që këto marrëdhënie në të ardhmen të jenë edhe më të fuqishme.
“Maqedonia duhet të vazhdojë të avancojë marrëdhëniet me Turqinë”
Në një prononcim për AA, profesori në Fakultetin Ekonomik pranë Kolegjit Amerikan në Shkup, Tome Nenovski, thotë se rezultatet e referendumit në Turqi janë pasqyrim dhe reflektim i vullnetit dhe dëshirave të shumicës së popullit turk. Sipas tij, rezultati “po” në referendum do të jetë në dobi të qytetarëve të këtij shteti.
“Krijimi i një sistemi presidencial është menduar për të rritur efikasitetin dhe shpejtësinë në vendimmarrje politike të autoriteteve turke, por edhe në ato ekonomike. Unë pres që këto ndryshime në periudhën e ardhshme do të përforcojnë trendin e zhvillimit të përshpejtuar të ekonomisë së Turqisë dhe hyrjen graduale ndër dhjetë ekonomitë më të zhvilluara në botë”, thekson Nenovski.
Në kontekstin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian, Nenovski konsideron se është e mundur që në fillim këto marrëdhënie të jenë të avashta, mirëpo pritjet e tij janë se Turqia do të përforcojë bashkëpunimin edhe me SHBA-të, Rusinë, vendet e tjera aziatike, si dhe me ato të Lindjes së Mesme.
Ndër të tjera, thekson ai, “në periudhën e ardhshme Turqia do të përforcojë praninë e saj ekonomike në Ballkan, veçanërisht nëse realizohen parashikimet e përfshirjes së saj direkte apo indirekte në aktivitetet e Bashkimit Ekonomik Ballkanik të paralajmëruar”.
“Së pari pritet që sistemi presidencial do të përforcojë stabilitetin politik të Turqisë brenda vendit. Së dyti, një stabilitet i tillë i mbështetur nga rritja e pritshme e mëtejshme ekonomike do të kthejë Turqinë në një faktor shumë të respektuar në suaza botërore, në veçanti rajonale”, shprehet Nenovski.
Nenovski në vijim thekson se Maqedonia duhet të vazhdojë nxitjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve të saj me Turqinë në të gjitha fushat e mundshme dhe të pranueshme nga të dyja palët, sepse sipas tij, në këto kushte të supozuara të Turqisë është e kuptueshme që Maqedonia do të përfitojë.
“Bashkëpunimi duhet të avancohet në mënyrë që të rritet bashkëpunimi i tregtisë së jashtme mes dy vendeve. Nga Turqia pres që të vazhdojnë investimet shumë të rëndësishme në vend, siç ishin më parë investimet në Aeroportin ‘Aleksandri i Madh’ në kompaninë ‘Tav’, e cila u zhvillua në perlë të aeroportit të Ballkanit. Nga ana tjetër, Maqedonia duhet t’i shfrytëzojë mundësitë e mëdha të Turqisë për tërheqjen e produkteve maqedonase për të cilat Maqedonia ka avantazhe”, thotë Nenovski, duke theksuar këtu bujqësinë, industrinë ushqimore, industrinë e tekstilit, mineralet, si dhe mallra të tjera që do të përdoren nga kompanitë turke.