Ende nuk dihet nëse deklaratat e tij për të drejtat e homoseksualëve do ta ndihmojnë apo ndëshkojnë ditën e votimit, por ajo që dihet është se kandidati demokrat, Barack Obama, ditëve të fundit ka përfituar shumë fonde me qëndrimin e tij të ri lidhur me martesën.
Presidenti aktual ka disa nga financierët kryesorë të fushatës së tij elektorale homoseksualë apo të vetëshpallur të tillë, dhe ndoshta kjo e ka bërë ta ndryshojë qëndrimin, ose ndoshta bashkë me Obamën ka ndryshuar edhe shoqëria amerikane, vlerësojnë analistët.
The Washington Post njofton se deklarata e presidentit Obama për mbështetje të martesës brenda gjinisë së njëjtë ka nxehur debatin që më së miri do të qartësohet ditën e votimit.
Gjatë fushatës për president në vitin 2007, Obama kishte deklaruar se martesën e kupton si bashkim të një burri me një grua, por dalëngadalë presidenti që po garon për të fituar edhe një mandat në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar se mbështet martesën edhe brenda gjinisë së njëjtë.
Obama është kritikuar ashpër nga kundërshtarët e tij për këtë qëndrim, por është mbështetur nga bashkëpunëtorët e tij, madje edhe nga analistë të njohur amerikanë, si njeri demokrat që mendon dhe vepron në realizimin e të drejtave të njeriut, përfshi edhe homoseksualët.
Nga ana tjetër, kandidati potencial i republikanëve për president, Mitt Romney, ka reaguar duke thënë se nuk e mbështet martesën e homoseksualëve. “Unë kam pikëpamjen e njëjtë për martesën, sikur që e kam pasur kur kam qenë guvernator dhe këtë e kam shprehur disa herë: unë besoj se martesa është një marrëdhënie në mes të një burri dhe gruaje”, ka thënë ndër të tjera Romney