1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Ndërkombëtarët kërkojnë nisjen e dialogut për veriun

Më të lexuarat

Shtetet e fuqishme ndërkombëtare kanë vendosur që të rrisin presionin mbi institucionet e Kosovës për veriun. Burime ndërkombëtare kanë bërë të ditur për gazetën se pas zgjedhjeve në Serbi do të kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të pranojë legjitimitetin e përfaqësuesve të veriut dhe të fillojë dialogun me ta, dialog në të cilin, sipas tyre, nuk do të përjashtohet as Serbia.

 

Një zyrtar i lartë ndërkombëtar i ka thënë “Kohës Ditore”, në kushte anonimiteti, se ka ardhur koha kur duhet t`i jepet fund politikës së mosveprimit dhe pritjes nga ndërkombëtarët, që institucionet e Kosovës e kanë praktikuar deri më tash për veriun.

 

“Dhuna nuk është zgjidhje, por as heshtja dhe mosveprimi nuk janë zgjidhje. Institucionet e Kosovës duhet që të nisin dialogun me përfaqësuesit e atjeshëm”, i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë ndërkombëtar.

 

Zhgënjimin e deritanishëm evropian për qasjen e institucioneve të Kosovës e ka konfirmuar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Në një përgjigje për gazetën, zyrtari më i lartë i BE-së në Kosovë ka kërkuar dialog, investime dhe shumë veprime të tjera në veri.

 

“Ne nuk do t`i imponojmë asgjë Qeverisë së Kosovës. U takon autoriteteve të Kosovës të gjejnë mënyrën e afrimit me njerëzit në veri. Kjo bëhet me disa veprime – nëpërmjet dialogut, investimeve, ofrimin e një perspektive dhe mundësimit që gjithkush ta pranojë realitetin e ri në Kosovë dhe të ndihet mirë me këtë fakt. Dialogu dhe qasja janë çelësi”, ka thënë Zhbogar.

 

Sipas tij, situata në veri mbetet shqetësim për secilin, si për misionet ndërkombëtare, institucionet e Kosovës dhe për të gjithë aktorët e tjerë.

 

“Situata atje është shqetësuese edhe për njerëzit që jetojnë në veri e që nuk kanë siguri për të ardhmen. Kjo duhet të ndryshojë. Siç e ka thënë komisioneri Fule, BE-ja nuk po kërkon plan të ri dhe nuk do të bëjë një listë të gjërave që institucionet e Kosovës duhet t`i bëjnë në veri”, ka thënë Zhbogar.

 

Gazeta ka mësuar se janë dy opsione të cilat po diskutohen mes institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për legjitimimin e përfaqësuesve të mundshëm të veriut./koha/kohaislame

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit