3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ndalohet punësimi në të dy sektorët shëndetësorë?

Më të lexuarat

Projektligji për shëndetësi i sponsorizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe i miratuar në parim nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka nxitur reagimet e punëtorëve shëndetësore.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka deklaruar se versioni i projektligjit nuk përkon me atë për të cilin kanë punuar ekspertët shëndetësor. Sipas tij, ky ligj degradon edhe më tutje sistemin shëndetësor në Kosovë dhe nuk kontribuon në përmirësimin e gjendjes!

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka bërë të ditur për “Kosovapress” se projektligji për shëndetësi ka pësuar vetëm një ndryshim krahasuar me versionin e parë. Sipas tij, ndryshimi ka ndodhur në nenin 41, i cili ndalon punën e mjekëve në dy sektorët shëndetësor, në atë privat dhe atë publik. Agani ka thënë se ky ndryshim është bërë me qëllim parandalimin e konfliktit të interesit, si dhe abuzimit të pacientëve nga disa mjekë të pandërgjegjshëm.

Edhe opozita kundërshton një vendim të tillë. Luan Jaha, ekspert nga departamenti i shëndetësisë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se mohimi i të drejtës për të punuar në dy sektorët shëndetësor, prekë drejtpërdrejt mirëqenien e mjekëve, por edhe krijon imazh të keq ndaj këtyre punëtorëve të cilët janë cilësuar si të pandërgjegjshëm.

Flora Brovina, deputete dhe njëherësh anëtare e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka se ky komision ka përcjellë përvojat e shteteve në regjion për të parë se si është rregulluar kjo çështje. Sipas saj në shumë vende të rajonit mjekëve u ndalohet punësimi në dy sektorët shëndetësor.

Statistikat flasin që vetëm gjatë dy vjetëve të kaluara mbi 60 punëtorë shëndetësorë kanë kaluar nga sektori publik në atë privat. Arsyet kanë qenë shumë të thjeshta: kushtet më të mira të punës dhe të ardhurat.

Ndryshe, dy javë më parë, nga ligjvënësit e Kosovës ishte miratuar në parim Projektligji për Shëndetësinë. Në këtë projektligj janë gjithsej 96 nene, të cilat përcaktojnë kujdesin shëndetësor në nivelin parësor, dytësor, tretësor e që njëkohësisht e parandalojnë konfliktin e interesit gjatë ushtrimit të veprimtarisë shëndetësore.

Po ashtu, projektligji përcakton edhe llojet e institucioneve shëndetësore, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e tyre, politikat zhvillimore dhe financimin e kujdesit shëndetësor, shërbimin shëndetësor të Kosovës në nivelin dytësor dhe tretësor. Pastaj veprimtaritë private shëndetësore, themelimin e odave të profesionistëve shëndetësorë etj. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit