6.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

NATO-ja, Sistemi i mbrojtjes raketore PATRIOT dhe pozita e Turqisë

Më të lexuarat

Kërkesa e Turqisë nga NATO-ja për të dislokuar sisteme të mbrojtjes raketore të tipit Patriot në territoret e saj me qëllim të parandalimit të ndonjë provokimi ose sulmi të mundshëm nga ana e Sirisë.

Së bashku me Lindjen e Mesme dhe Pranverën Arabe vazhdon të ndryshoj edhe siguria dhe politika e jashtme e Turqisë. Kërkesa e Turqisë nga NATO-ja për të dislokuar sisteme të mbrojtjes raketore të tipit Patriot në territoret e saj me qëllim të parandalimit të ndonjë provokimi ose sulmi të mundshëm nga ana e Sirisë është pika e fundit e arritur në këtë proces. Kjo kërkesë e bërë nga Turqia u pranua shumë shpejtë nga ana e NATO-s dhe një delegacion i ekspertëve të aleancës ishte në Turqi për të bërë ekzaminimin e vendeve për vendosjen e sistemit në fjalë. Më vonë u deklarua se raketat e tipit Patriot do të jenë të dislokuara në një zonë të afërt me sistemet e mburojes raketore të NATO-s. Natyrisht që këto zhvillime janë hapa të hedhura në drejtim të forcimit të sistemit të mbrojtjes së Turqisë. Por, të gjitha këto nuk mbarojnë vetëm me kaq. Sepse vendosja e raketave Patriot ka të bëjë me pozitën e re ndërkombëtare të Turqisë, ristrukturimin e NATO-s dhe së fundmi me ekuilibrat në Lindjen e Mesme dhe në botë.

Fillimisht duhet të shqyrtojmë pozitën e re ndërkombëtare të Turqisë për shkak të raketave Patriot. Pozita e Turqisë para procesit të Pranverës Arabe si një forcë paqeruajtëse në rajon ripërcaktohet me vendosjen e këtyre raketave. Natyrisht që Turqia ende i kushton rëndësi rolit të saj paqësor, por shohim se këtë mundohet ta ristrukturoj me një mënyrë dhe strategji të ndryshme. Mund të themi se edhe me këtë mënyrë dhe strategji Turqia vepron në kuadër të NATO-s. Arsyeja kryesore e këtij tranzicioni është se revolucionet e Pranverës Arabe dhe kriza e fundit e Sirisë janë duke ndikuar në interesat dhe sigurinë e Turqisë.

Siç dihet kriza e Sirisë solli me vete edhe rezultate shumë të hidhura për Turqinë. Fillimisht një avion luftarak i Turqisë u rrëzua nga ana e Sirisë në hapësirën ajrore ndërkombëtare, më pas predhat artilerike të hedhura nga ana siriane ranë në fshatra dhe qyteza të Turqisë. Ndërkohë që ky proces vazhdon ende shqetësimet e Turqisë për siguri janë rritur edhe më shumë dhe për qëllime mjaftë të hapura Turqia nga NATO-ja kërkoj raketat e tipit Patriot për qëllime të mbrojtjes. Kjo kërkesë e Turqisë është miratuar shumë shpejtë në krahasim me kërkesat e bëra në të kaluarën dhe tani gjendet në fazën e zbatimit.

Ky qëndrim pozitiv dhe i shpejt i NATO-s është i rëndësishëm për dy aspekte. E para është përkrahja pa dyshim e mbrojtjes së sigurisë së Turqisë. Kjo përkrahje është një tregues serioz nga aspekti i garantimit të sigurisë së aleancës dhe mund të shihet si një provë se Turqia dhe aleanca e NATO-s vazhdojnë me lidhjen e tyre të fortë. NATO-ja në ngjarjet e ngjashme të jetuara në të kaluarën kishte treguar një hezitim ndërsa kësaj radhe tregoj një solidaritet të mirë me Turqinë. Ky solidaritet është mjaftë i rëndësishëm edhe nga aspekti i NATO-s por edhe nga aspekti i pozitës së Turqisë.

Jam i mendimit se ky vendim i shpejt dhe pozitiv i NATO-s ka qenë një befasi. Sepse, brenda aleancës veriatlantike mbretërojnë dallime në mendime dhe nëse merren parasysh debatet e thella në lidhje me konceptin e “zonës jashtë ndikimit”, do të shohim se sa i jashtëzakonshëm është një solidaritet i tillë i NATO-s. Ky solidaritet tregon se sa me seriozitet i qaset NATO-ja problemit të Sirisë dhe pozitës së Turqisë në këtë aspekt.

Së bashku me këtë qëndrim aleanca e NATO-s në të njëjtën kohë ka vënë në pah se sa i rëndësishëm është ky problem për paqen rajonale dhe atë globale. Nëse merren parasysh së bashku raketat Patriot dhe sistemi i mbrojtjes raketore, NATO-ja është duke aluduar në prezencën e një përleshjeje të re rajonale dhe globale në kuadër të krizave të Pranverës Arabe. Në këtë kontekst sistemet e mbrojtjes të vendosura në Turqi shërbejnë për mbrojtjen e Turqisë, të vendeve anëtare të NATO-s dhe të vendeve mike të aleancës. Duhet të theksojmë se në këtë përleshje pala e kundërt nuk është vetëm regjimi i partisë Baas në Siri, por në të njëjtën kohë edhe Rusia, Kina, Irani dhe vendet tjera të cilat përkrahin regjimin e Esadit.

Këtu mund të themi se njëra prej pikave kryesore të debateve është se a janë këto aktivitetet e NATO-s tregues të një përleshjeje të nxehtë e cila çdo herë vjen duke u thelluar edhe më shumë. Edhe pse të gjitha këto përgatitje zhvillohen me qëllime parandaluese, a mund të themi se këto aktivitete nga ana e kundërt perceptohen si përgatitje për sulm? Sepse marrëdhëniet ndërkombëtare në një pjesë të madhe zhvillohen mbi perceptimet reciproke dhe keqkuptimet e dala nga këto perceptime mund të sjellin rezultate të papritura. Për këtë arsye është e nevojshme që NATO-ja dhe anëtarët e saj ta shprehin qartë qëllimin e tyre palës së kundërt dhe të mbajnë të hapura të gjitha kanalet e dialogut dhe të komunikimit.

Ja pra në këtë pikë Turqia ka një rol dhe përgjegjësi të madhe. Turqia, e cila vendosi raketat Patriot dhe sistemet e mbrojtjes raketore, duhet të shpëtoj nga pamja e saj e një vendi “front” siç ishte gjendja gjatë Luftës së Ftohtë. Sepse një pamje e tillë do të mund të shndërroj Turqinë në një vend të madh të përleshjeve gjë që do të rrezikonte sigurinë, ekonominë madje edhe tërësinë territoriale të saj.

Me qëllim që Turqia të mënjanoj këtë risk dhe ti kthehet sukseseve të arritura në politikën e jashtme para procesit të Pranverës Arabe ajo duhet të vazhdoj dialogun me vendet tjera. Turqia nuk duhet të jetë qendër e raketave, por qendër e kanaleve të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Pritet që Turqia sërish të vë në veprim idealet e të qenit një vend dinamik, paqësor, ritmik, mbrojtës i rendit dhe paqes botërore ashtu si ishte përpara.

Turqia edhe nga aspekti i sigurisë së saj por edhe nga aspekti i sigurisë rajonale gjendet në një pozitë shumë kritike. Njëra prej fateve në këtë proces është vizita e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin të bërë në Ankara me datën 3 dhjetor. Marrëdhëniet e forta mes Turqisë dhe Rusisë të cilat vazhdojnë ende janë një rast i mirë që siguria rajonale dhe ajo globale të shkojnë në drejtim të mirë. Gjithashtu mund të themi se marrëdhëniet me Rusinë do të mund të kontribuojnë edhe në marrëdhëniet me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zhvillimi më jetik në këtë pikë kritike do të jetë një marrëveshje që do të bënin Turqia me Rusinë për periudhën e largimit të Esadit dhe pas tij në Siri. Po pse të mos jetë një shans për këtë vizita e Putinit në Ankara?/TRT

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit