14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

National Interest: Sfidat e Ballkanit pas paqes

Më të lexuarat

Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton po përgatitet për një udhëtim në Ballkan. Momenti aktual politik atje paraqet para diplomates së lartë të vendit shumë sfida. Megjithatë, ndikimi i SHBA-së dhe i BE-së në rajon është në rënie, dhe fuqitë e tjera të interesuara si Turqia, Rusia dhe Izraeli janë duke u bërë gjithnjë e më aktive në Ballkan, shkruan eksperti mbi sigurinë dhe politikat në Ballkan, Gordon Bardosh në numrin e sotëm të National Interest.

Ballkani është duke kaluar nëpër një tranzicion të paqëndrueshëm nga një arkitekturë relativisht mirë e përcaktuar te një e padefinuar ende, me forcat e reja që po luajnë një rol të rëndësishëm derisa lojtarët e vjetër po humbasin interesimin dhe ndikimin.

“Periudha që zgjati afërsisht që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në fund të vitit 1995 e deri te shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në shkurt të 2008-ës e ka definuar Ballkanin si një Pax Americana(Paqja Amerikane, një gjendje e paqes ndërkombëtare relative e mbikëqyrur nga SHBA), gjatë së cilës të gjithë aktorët kryesorë në politikën evropiane pranuan vijat e Uashingtonit për sigurinë e Ballkanit”, shkruan Bardosh, duke potencuar se e rëndësishme ka qenë që edhe Moska ka qenë pjesë e konsensusit si në rastin e Bosnjës, ashtu edhe në atë të Kosovës( me rezolutën 1244) e Maqedonisë.

“Ky konsensus ndërkombëtar mbi zhvillimet politike në Ballkan dhe strukturën e sigurisë, megjithatë u thye pasi që Kosova shpalli pavarësinë, diçka që Moska kishte përsëritur se nuk do ta pranonte. Edhe BE-ja mbetet e ndarë në këtë çështje, me pesë anëtare të saj që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës”, thuhet në artikullin e National Interest.

Me thyerjen e konsensusit ndërkombëtar, artikullshkruesi, thekson se SHBA më nuk posedon mjete diplomatike, ekonomike ose ushtarake për të promovuar ndryshimet pozitive në rajon.

Në artikull thuhet se humbja e lidershipit amerikan në Ballkan koincidon dhe më krizën e eurozonës, si pasojë e së cilës, Brukseli nuk ka mundur t’ia ofrojë rajonit rrugën e qartë të integrimit.

“Fundi i Pax Americana-s së Ballkanit dhe preokupimi i BE-së me problemet e veta ka krijuar një vakuum politik në Evropën Juglindore, dhe duke e shfrytëzuar këtë, një numër i fuqive po nxitojnë ta mbushin boshllëkun politik e atë të sigurisë”, shkruan Bardosh.

Ai vë në pah se në vitet e fundit është rritur ndikimi i Rusisë, Turqisë, e madje edhe Izraelit.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ka vendosur që ta adoptojë një agjendë agresive islamike/neo otomane si reagim ndaj kostos së ambicieve për anëtarësim në BE të Turqisë.

Rusia, ndërkaq, ka bërë disa hapa tjerë, qoftë duke i dhënë pako shpëtimi Qipros, apo duke avancuar në Greqi, ku po përdor një port për flotën ruse. Rusia, thuhet në artikull është burimi kryesor i investimeve të huaja në Bosnje dhe Serbi, derisa synimi kryesor është projekti për gazsjellësin Jugor.

Por, një nga zhvillimet më interesante, thuhet në artikull, ka qenë rritja e rolit të Izraelit në rajon.

Për të kompensuar ftohjen e raporteve me Turqinë, Izraeli në mënyrë aktive ka kërkuar aleatë të rinj ballkanikë.

Në këtë kuadër përmendet bashkëpunimi ushtarak me Greqinë, zhvillimi i raporteve të ngushta me entitetin serb në Bosnje, Republikën Serbe. Në të ardhmen e afërt, shkruan National Interest, pritet thellimi i lidhjeve të Izraelit me Bullgarinë, Rumaninë e Serbinë.

Në artikull përmendet edhe ndikimi islamik, ku thuhet se po rritet kërcënimi nga vehabistët në Ballkan, duke sjellë dhe disa shembuj, siç ishte sulmi ndaj Ambasadës Amerikane në Bosnje, derisa në secilin sulm të madh terrorist në botë, autori shkruan se kanë ekzistuar edhe lidhjet me Ballkanin.
Por, fatkeqësisht, Uashingtoni dhe Brukseli, në mënyrë të vazhudeshme kanë refuzuar që ta kuptojnë ashpërsinë e problemit.

Sfidat

Me një mungesë konsensusi ndërkombëtar mbi strukturën e re të sigurisë në Ballkan, me Uashingtonin që po fokusohet në Lindjen e Mesme, BE-në me krizën e saj ekonomike, problemet në Ballkan do të zgjasin dhe do të jenë më pak të menaxhueshme sesa që ishin nga viti 1995 deri më 2008, thuhet në artikull.

Bosnja, shkruan autori ende po përballet me dilemat e njëjta politike dhe kushtetuese, sikurse para 20 vjetësh më parë.

“Kosova mbetet e ndarë brenda dhe e panjohur jashtë nga shumica e komunitetit ndërkombëtar(përfshirë dy anëtare të KS të OKB-së dhe shtete e BRIC-ut)”, thuhet në artikull.

Raportet ndëretnike në Maqedoni po përkeqësohen derisa kontesti i emrit me Greqinë po e pengon rrugën drejt integrimeve të Shkupit.

Qeveria e re serbe duhet të bëjë shumë për t’u dëshmuar para fqinjve skeptikë dhe Uashingtonit e Brukselit.

“Sfida për politikën e SHBA-së, derisa sekretarja Clinton viziton Ballkanin është nëse hartuesit e politikave në Uashington do t’i kuptojnë ndryshimet që po ndodhin në Evropën Juglindore dhe politikat e tyre të jenë të përshtatura me rrethanat. Qëllimi strategjik i SHBA-së në shumicën e dekadës së kaluar ka qenë një Evropë Juglindore e ankoruar fort në BE dhe NATO. Ndërsa një qëllim i tillë është ende i arritshëm, realizimi i tij do të kërkojë shumë më tepër sesa vizitat e rastit nga ana e zyrtarëve amerikanë me xhepat bosh ose leksionet e e diplomatëve amerikanë për vendasit. Kjo kërkon një politikë shumë më të sofistikuar dhe delikate amerikane, që e kupton se stabiliteti i Ballkanit kërkon konsensus rajonal dhe kompromis në mesin e grupit në rritje të aktorëve ndërkombëtarë”, shkruan Bardosh për National Interest./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit