-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Nata e Ragaibit, të festohet apo jo? 

Më të lexuarat

Falenderoj Allahun e Lartëmadhëruar, kurse përshëndetjet e mia nga zemra qofshin mbi të dashurin e Tij, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. 

Nata e Ragaibit është një natë që festohet dhe madhërohet në disa vende islame. Kjo natë konsiderohet si natë e madhe dhe me një vlerë të veçantë, saqë edhe në kalendar theksohet koha e saj. Kjo natë bie në natën e parë të muajit rexheb, d.m.th. dy muaj para fillimit të Ramazanit. 
Por, a thua vërtet kjo natë ka diçka të veçantë nga netët e tjera? 

Vërtet, a duhet festuar apo jo?! 

Ky shkrim, me ndihmën e Allahut, është një sqarim rreth kësaj nate si dhe orvatje modeste e imja për vetëdijesimin e muslimanëve shqiptarë në lidhje me disa gjëra të cilat i kanë trashëguar nga të vjetrit e tyre, pavarësisht nëse ato gjëra kanë të bëjnë me Islamin apo janë bindje dhe ideologji që kundërshtojnë Islamin e pastër dhe rregullat e tij. 
Së pari, më duhet të theksoj që kjo natë festohet apo madhërohet në forma të ndryshme. Disa falin namaz nafile në këtë natë mes akshamit dhe jacisë, disa agjërojnë ditën e kësaj nate e disa të tjerë ndezin qirinj apo përgatisin hallvë ose ndonjë ëmbëlsirë tjetër. 

Të gjitha këto mënyra të madhërimit të kësaj nate janë të ndaluara dhe nuk lejohet veprimi i tyre. 

Sa i përket namazit dhe agjërimit, dijetarët islamë kanë treguar që një vepër e tillë është e ndaluar të veprohet dhe se është shpikje e kotë, ngase muaji rexheb nuk veçohet nga muajt e tjerë as me namaz dhe as me agjërim. 

Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk është transmetuar ndonjë hadith i saktë për vlerën e muajit rexheb, për vlerën e agjërimit në atë muaj apo për bërjen e ndonjë namazi të veçantë në të.”[1] 

Pastaj ky dijetar na tregon që hadithet të cilat janë transmetuar për namazin nafile në këtë muaj ose janë të dobëta ose të shpikura, prandaj nuk lejohet mbështetja në to. 
Në trevat tona zakonisht kjo natë festohet duke përgatitur hallvë apo duke ndezur qirinj në dhomat e shtëpisë. 

Siç thashë më lart, kjo vepër është e ndaluar për disa arsye:
1. Feja është e ndërtuar në argumente nga Kur’ani apo falët e Muhamedit sallAllahu alejhi ve sel-lem, prandaj edhe për këtë natë duhet të gjejmë argumente në Kur’an apo në falët e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Nëse shikojmë Kur’anin dhe hadithet e Muhamedit alejhi selam, nuk gjejmë asgjë të saktë që e lavdëron apo e madhëron këtë natë.
2. Pasi në Kur’an dhe në hadithet e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk përmendet ndonjë dobi e muajit rexheb dhe e natës së Regaibit, atëherë shikojmë a e kanë madhëruar këtë natë shokët e Muha medit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, pasi ata kanë qenë më të kujdesshëm sesa ne për adhurimin e Allahut. Gjejmë se ata as që kanë dëgjuar për këtë natë, madje edhe 300 vjet pas tyre askush nuk ka dëgjuar për këtë natë, pasi nuk ka ekzistuar. Kjo natë ka filluar të madhërohet në shekullin e pestë, respektivisht pas vitit 400 hixhri, d.m.th. afërsisht 390 vjet pas vdekjes së Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sellem. 
3. Përveç Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shokëve të tij, të cilët nuk e kanë festuar këtë natë, edhe dijetarët e mëdhenj islamë e kanë urryer të festohet apo të madhërohet kjo natë dhe këtë festim (madhërim) e kanë quajtur shpikje të kotë, ndër ta përmendim: Ibën Haxherin, Ibën Rexhebin, Ebu Bekër et-Turtushin, Ebu Shameh el Makdisin, Ibën Salahin, el Izz ibën abdus-Selamin e të tjerë.[2] 
Pasi kjo natë doli që nuk ka bazë në Kur’an dhe as në fjalët e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe as në kohën e shokëve të Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, por është shpikur më vonë, ne si muslimanë e kemi për detyrë ta refuzojmë ngase kjo konsiderohet gjë e shpikur në fe, d.m.th. çështje e re në fe, që nuk ka ekzistuar më herët. Çdo çështje feje që është shpikur pas vdekjes së Muhamedit alejhi selam është humbje dhe duhet të refuzohet, ngase Allahu na thotë: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” (Hashër: 7). Po ashtu, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem na thotë: “Kush shpik diçka në fenë tonë, që nuk është prej saj, ajo gjë është e refuzuar.”[3] 
Dikush mund të thotë, ç’të keqe ka në festimin e kësaj nate me hallvë, a thua hallva është haram?! 

Atij i themi: 

Së pari, nuk je as ti e as unë që përcaktojmë për një vepër a është e mirë apo jo, por kjo gjë caktohet sipas Kur’anit dhe falëve të Muhamedit sallAllahu alejhi ve sel-lem. E, pasi në këto dy burime ky festim me këtë formë nuk gjendet, atëherë as ne nuk e veprojmë. 
Së dyti, ju e festoni këtë natë kështu duke shpresuar se do të merrni shpërblim tek Allahu për këtë hallvë, pra kjo çështje nuk qenka adet por ibadet. E si ka mundësi të bëni një ibadet që Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shokët e tij nuk e kanë bërë? Jeni më të ditur se ata? 
Së treti, nëse thoni se Muhamedi sallAllahu alejhi ve sel-lem dhe shokët e tij nuk e kanë festuar sepse nuk është ibadet, por ne e festojmë duke mos pasur ndonjë bindje të caktuar për këtë natë dhe duke mos kërkuar ndonjë sevap për këtë festim, unë ju them se nëse është e vërtetë ashtu siç thoni, atëherë pse e caktoni në kalendar? Pse nuk e bëni këtë festë në netët apo ditët e tjera, por e caktoni me përpikëri?
Së katërti, nëse thoni: Nëse kjo vepër është e ndaluar, atëherë pse shumica e njerëzve e veprojnë në Kosovë? Ata të gjithë e kanë gabim, kurse ju mirë? 

Ju them: në radhë të parë nuk pajtohem që shumica e njerëzve në Kosovë e festojnë këtë natë, bile e vërteta është që këtë natë e festojnë një pakicë e vogël. Bile kjo pakicë në shumicën e rasteve janë njerëz që e duan Islamin, por nuk u përmbahen rregullave themelore të tij, saqë shumë prej tyre as namaz nuk falin. Po edhe nëse pajtohem me mendimin tuaj, që shumica e festojnë, prapë kjo falë nuk ka peshë, ngase ne si muslimanë jemi të obliguar të pasojmë Kur’anin dhe falët e Muhamedit sallAllahu alejhi ve sel-lem dhe jo shumicën e njerëzve, ngase nganjëherë shumica janë në humbje kurse pakica janë në shpëtim, bile kjo ka ndodhur gjatë gjithë historisë. I njëjti rast është edhe me temën tonë, pakica që nuk e festojnë pasojnë Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kurse shumica dërmuese pason tekat e veta, epshet apo baballarët. 
Së pesti, nëse thoni: E kuptuam që kjo vepër nuk paska sevap, bile qenka gjynah, por kështu i kemi gjetur të parët tanë dhe kështu do vazhdojmë edhe ne, ngase nuk dëshirojmë të bëjmë përçarje mes muslimanëve për këto gjëra të vogla. 

Ju them: as ne nuk dëshirojmë të bëjmë përçarje në popull, mirëpo e kemi obligim t’i tregojmë popullit të vërtetën, bile kjo ishte detyra e të gjithë Pejgamberëve dhe dijetarëve. Po ashtu, a më e lehtë është t’i lësh njerëzit në gabime apo t’u tregosh të vërtetën, edhe pse ndoshta ndodh ndonjë mosmarrëveshje? Nëse nuk keni ndonjë dyshim tjetër – dhe besoj që nuk keni-, atëherë nuk ju mbetet tjetër vetëm se t’u nënshtroheni urdhrave të Allahut dhe të Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, të veproni atë që ata e kanë ligjëruar dhe të ndaleni në atë që ata kanë ndaluar apo nuk e kanë vepruar, ngase ju mjafton në adhurim ajo që i ka mjaftuar Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Dhe që nga tani, pasi ju sqarua e vërteta, duhet të ndaleni nga kjo festë, e cila nuk i përket Islamit aspak, dhe t’u tregoni edhe të tjerëve atë që keni mësuar. 

Allahu është Ai që udhëzon në rrugë të drejtë dhe vetëm prej Tij vjen suksesi.
Shkroi: Xheladin Leka

Revista “Dëlirje&Edukim”, nr 15, Korrik 2010.
Fundnotat:

[1] Shiko librin e tij “Tebjiinul Axheb bima verede fi shehri Rexheb” (fq. 23, nëpërmjet librit “Nurul Huda we Dhulumatud-Dalal”).

[2] Shiko librin “Nurul Huda we Dhulumatud-Dalal” (262).

[3] Transmeton Buhariu (2697) dhe Muslimi (4589.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit