-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Nata e gruas: Mes dhunës dhe seksit

Më të lexuarat

Ka filluar tashmë të bëhet traditë tek një kategori grash, festimi i 8 marsit shoqëruar me striptizë mashkullore, në disa pub-e të Tiranës. Lajmet për harbimin femëror mbi trupa të zhveshur muskulozë meshkujsh, shpesh-herë afrikanë, tashmë nuk habisin më askënd, ndonëse shumë gjëra vijojnë të bëhen nën zë, pa u shfaqur haptazi në ekran.
Pronarët e një pub-i diku në qendër të Tiranës, të cilët nuk kanë dëshirë të identifikohen (më shumë për të ruajtur “sekretin” e klientelës, e cila i shmanget emrave të pub-eve të mirënjohur për këtë kulturë festimi) na thonë se ka disa vite që organizojnë festa të tilla. Shumë prej klienteve, preferojnë lokalin e tyre, pasi përgjithësisht ai nuk ka bujën e të tjerëve në organizimin e festave të tilla dhe ka shumë vajza dhe gra që nuk duan të identifikohen si frekuentuese të lokaleve të striptizës. Ata madje thonë se, në mjaft raste, gratë shoqërohen nga të fejuarit apo bashkëshortët e tyre, deri në derën e lokalit, pa ditur asgjë se çfarë ndodh brenda. Prania mashkullore gjatë kësaj nate është rreptësisht e ndaluar, përveç asaj të balerinëve që ofrojnë mashkulloritetin e tyre si objekt argëtimi për klientelën femërore. Pronarët thonë se një ritual i preferuar i festës është momenti kur klientet hedhin pana mbi trupat e striptistëve, duke për ti pastruar më pas me gjuhë, gjë që ndez maksimalisht ekstazën e audiencës. Siç pohojnë ata, pak nga të pranishmit mbesin pa e provuar këtë.
Realiteti televiziv
 
Ndërkohë, ekranet televizive, gjatë të gjithë programacionit të tyre na bombardojnë mërzitshëm me zëra grash feministe të cilat gjejnë rastin për të akuzuar shoqërinë shqiptare për dhunën ndaj grave, diskriminimin e tyre në shumë hapësira, mungesën e lirisë së tyre dhe patriarkalitetin e shoqërisë shqiptare, gjëra këto, të stërthëna e stërpërsëritura prej vitesh. Aktorët e këtij debati, vijojnë të rikonsumojnë të njëjtën retorikë, të stimuluar nga projekte OJQ-shë dhe fondet e huaja që arrijnë të vjelin, pa konsideruar transformimet reale dhe polarizimet e prodhuara në kushtet e një modernizimi televiziv, si ai që po ndodh në Shqipëri.
Kontrastet po bëhen gjithnjë e më të thella. Ndërkohë që gruaja shqiptare po bëhet subjekt i konsumit erotik, duke u shfrytëzuar shpesh barbarisht, me dhe pa vetëdijen e saj, ajo gjithashtu është subjekt i ushtrimit të prepotencës mashkullore, duke përfunduar deri në drama rrënqethëse. Kronikat e zeza ushtojnë nga raste tragjike të përditshme që shpesh tejkalojnë edhe fantazinë eskiliane.
Autoritetet e mendimit, nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e duhur, për të trajtuar problemet e kësaj shoqërie. Ata vijojnë të mbesin në suazën e denoncimit të patriarkalitetit, pa kuptuar se problematika qëndron pikërisht në mënyrën sesi dy botë të mëdha, moderniteti dhe tradita, përplasen përdhunshëm në çdo qelizë familjare, në një klimë të tillë çmendurie intolerance dhe agresiviteti. Askush nuk përpiqet të gjejë një gjuhë ekuilibri në këtë mjedis, por gjithsekush synon të mbajë flamujt e revolucionit, të cilët në fakt, më shumë sesa transformimet e vërteta shoqërore, synojnë fitoret e vogla, ideologjike, politike, e mbi të gjitha, financiare.
 
Burra të shfrytëzuar
 
Feministet, kanë akuzuar shpesh përhapjen e pornografisë dhe industrisë erotike si diskriminim që u bëhet grave. Teksa fillimisht feminizmi e ka parë lirinë seksuale si çlirim të gruas, duke konsideruar seksin si shkakun nëpërmjet të cilit vargojnë gjinorë kanë rënduar mbi të, tashmë shumë prej tyre denoncojnë rritjen e shfrytëzimit që ka rezultuar prej industrisë së seksit, prej të cilës përfitojnë thuajse gjithmonë burrat, ndërsa gruaja skllavërohet akoma më shumë.
Nga ky këndvështrim, ka një natë në pub-et e Tiranës kur të shfrytëzuarit janë tashmë burrat, e sidomos, zezakët. Duket se kemi të bëjmë me trafikim të burrave nga perëndimi, si objekt i stimulimit vizual të oreksit seksual femëror. Situata është një përmbysje simetrike e të gjitha stereotipeve gjinore, seksuale e qytetërimore. Kjo ndoshta është e vetmja fitore e një lufte joserioze për të të drejtat e grave në shoqërinë shqiptare: një fitore tepër ironike për tu shijuar.

Ergys Mërtiri

 
Revista Fenix, Mars 2013
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit