1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Namazi i natës falet me zë apo pa zë?

Më të lexuarat

Pyetja:

Si falet namazi i natës a me zë a pa zë? Dhe kur e falë me xhemat si duhet me e falë me zë apo pa zë? Dhe unë nuk po di sure të gjata por kam dëshirë që me u falë ma gjatë pasi që kam dëgjuar se më së miri është me u falë më gjatë në namazin e natës. A është e lejuar me lexu prej Kur’anit? Nëse ka mundësi me na shpjegu se si duhet sipas sunnetit me falë namaz nate.

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Namazi i natës mund të falet me zë dhe mund të falet pa zë, por më e pëlqyer është që ndonjëherë të falet me zë, e ndonjëherë pa zë, ngase kështu është falur i Dërguari i Allahut ﷺ. Abdullah ibn Ebi Kajsi ka thënë: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të), a është falur Pejgamberi ﷺ me zë apo pa zë?” Tha: “Ndonjëherë është falur me zë, e ndonjëherë pa zë.” [1]

Së dyti: Namazi i natës mund të falet vetëm dhe mund të falet me xhemat. Falet me xhemat në Ramazan dhe në ndonjë rast kur dikush i bashkangjitet në namaz atij që është duke u falur, sikur që iu bashkangjitën namazit të Pejgamberit ﷺ Ibn Abasi, Ibn Mes’udi dhe Hudhejfeh ibn Jemani. Kështu mund t’i bashkangjiten edhe familjarët atij që është duke u falur në shtëpinë e tij dhe të falin namazin e natës me xhematë ndonjëherë. Ndërsa në mënyrë të organizuar sikur në Ramazan, nuk falet namazi i natës edhe në muajt tjerë. [2]

E nëse falet namazi i natës me xhematë, atëherë leximi i imamit duhet të jetë me zë, ndërsa nëse falet vetëm, atëherë ndonjëherë lexon me zë e ndonjëherë pa zë.

Së treti: Lejohet leximi me Kur’an në dorë në namazet nafile dhe një gjë e tillë është vërtetuar prej Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të). [3]

Thotë Imam Neveviu: “Nëse lexon Kur’an me Mus-haf (në dorë) nuk prishet namazi, pa marrë parasyshë a e di atë përmendësh a jo, bile është e obliguar ajo nëse njeriu nuk e di suren Fatiha përmendësh dhe nëse i ndërron faqet e tij nuk prishet namazi.. Ky është medhhebi jonë, medhhebi imam Malikut, Ebu Jusufit, Muhamedit dhe Imam Ahmedit.” [4]

Së katërti: Është e pëlqyer që namazi i natës të falet njëmbëdhjetë apo trembëdhjetë rekatë dhe atë dy nga dy. Thotë Pejgamberi ﷺ: “Namazi i natës është dy nga dy, e kush frikohet nga arritja e mëngjesit le të falë një rekatë vitër, për të përfunduar atë që ka falur.“ [5]

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

——————————

[1] Muslimi, Nesaiu, Ebu Davudi dhe Ahmedi.

[2] Sherhul Mumti’ 4/82.

[3] Buhariu 1/245.

[4] El-Mexhmu’ 4/27.

[5] Buhariu dhe Muslimi.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit