2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nafaka e kërkon njeriun më shumë se që e kërkon vdekja

Më të lexuarat

Emri i bukur i Allahut “Err-Rrezzak” – Ai që i jep furnizim me bollëk, është përmendur në Kuran vetëm një herë:
إِنَّ اللَّـهَ هُوَ الرَّزَّاقُ ذُو الْقُوَّةِ الْمَتِينُ ﴿٥٨﴾
“Allahu është me të vërtetë furnizuesi më i madh, i forti i pathyeshmi!” (edh-Dharijat, 58)
Ndërsa sintagma: “Hajrurr- Rrazikin” – Furnizuesi më i mirë, është përmendur në 5 vende në Kuran, kurse fjala “rrizk” – furnizim, përmendet në më shumë se 100 vende në Kuran.
Ragib el-Isfahani, në veprën e tij “El-Mufredat”, thotë: “Err-Rrazik quhet Ai që e krijon furnizimin, i cili e jep dhe kush është shkaktar i furnizimit, dhe Ai është Allahu. Ky term përdoret edhe për njerëzit që janë në një farë mënyre shkaktarë për të arritur deri te furnizimi, por Err-Rrezak nuk mund të thuhet për askënd tjetër, përveç për Allahun.” (Ragib el-Isfahani, El-Mufredat, fq.194)
Tek emri Err-Rrezzak – është përdorur hiperbola, kuptimi i zmadhuar i kësaj fjale në krahasim me fjalën Err-Rrazik, dhe kjo do të thotë se Allahu jep furnizim pas furnizimi, dmth. me bollëk, furnizon me bollëk.

Llojet e furnizimit
Ekzistojnë dy lloje të rrizkut ose furnizimit: furnizim i përgjithshëm dhe i veçantë.
– Furnizimi (rrizku) i përgjithshëm ka të bëjë me furnizimin material, me furnizim të kësaj bote dhe i përfshinë të gjitha krijesat. Allahu i Plotfuqishëm të gjitha krijesave, njerëzve, xhinëve dhe kafshëve, ua ka lehtësuar dhe mundësuar që ta arrijnë furnizimin, dhe ai i përfshin edhe njerëzit e mirë edhe njerëzit e këqij, besimtarët, hipokritët dhe mosbesimtarët. Ky lloj i furnizimit është i përgjithshëm edhe nga aspekti i mënyrës së fitimit, përkatësisht, hallallit dhe haramit, kështu që edhe për furnizimin hallall thuhet rrizk, si dhe për furnizimin haram për të cilin njeriu e meriton dënimin.
– Furnizimi (rrizku) i veçantë është furnizimi i zemrës me thesaret e imanit dhe me pasurinë e bindjes ndaj Allahut, pastaj bindjet fizike dhe shpirtërore për të cilat zemra ka shumë nevojë. Me furnizim të zemrës nënkuptohen dituria e mirëfilltë, njohuria, imani, udhëzimi, bindja, kënaqësia në ibadet, qetësia për shkak të udhëzimit, etj.
Këto lloje furnizimesh nuk i realizojnë dhe nuk i arrijnë përveçse besimtarët dhe bamirësit e vërtetë, edhe nëse janë më të varfrit në aspektin e furnizimeve materiale. Kur besimtarët t’i kërkojnë nga Allahu të dy llojet e nafakës dhe furnizimit, duhet të jenë plotësisht të pranishëm me gjithë zemër në lutjet e tyre, sepse Pejgamberi (savs), ka kërkuar mbrojtjen e Allahut nga mosbesimi (kufri), por edhe nga varfëria (fakri). Kufri apo mosbesimi e shkatërron rrizkun dhe furnizimin e ahiretit, kurse varfëria e shkatërron rrizkun dhe furnizimin e dynjasë.

Pse Allahu veten e ka quajtur ‘Hajrurr-Rrazikin’ – ‘Furnizuesi më i mirë’?
– Sepse Ai është më i miri prej atyre që furnizojnë dhe japin;
– Sepse Ai i furnizon edhe ata që besojnë edhe ata që nuk besojnë, i furnizon edhe ata që Atij me përulje i luten dhe kërkojnë prej Tij, edhe ata që këtë nuk e bëjnë kurrë;
– Sepse Allahu furnizon nga thesaret të cilët nuk mund të zhduken, dhe as nuk pakësohet asgjë prej tyre, edhe përkundër dhurimit me bollëk;
– Sepse Allahu është i vetmi i Cili jep furnizim nga asgjëja, ndërsa sa u përket krijesave, përkatësisht, njerëzit, ata mund të jenë ndërmjetës në sigurimin e rrizkut dhe furnizimit ekzistues, dhe atyre ju atribuohet emri furnizues vetëm në kuptimin figurativ;
– Sepse Allahu jep furnizim i cili nuk mund të matet, sikurse që begatitë e Tij që nuk mund të llogariten (numërohen);
– Sepse Allahu e di se çka nga rrizku i bën dobi, dhe çka i bën dëm atij, kështu që i jep në përputhje me këtë;
– Sepse Allahu, edhe kur zemërohet për shkak të mëkateve dhe mosbindjes së njeriut, nuk ia ndërpret dhe nuk e privon nga furnizimi, kurse njerëzit kur zemërohen me dikë menjëherë ia ndërpresin atë që i kanë dhënë më parë.
– Sepse furnizimi i Allahut kurrë nuk vonohet, ai vjen atëherë kur është i nevojshëm.
Njëri nga ajetet në të cilin përmendet sintagma: ‘Hajrurr-Rrazikin’ – ‘Furnizuesi më i mirë’, është ajeti i sures el-Haxh, ku thuhet: “Allahu me siguri do t’i furnizojë me shpërblim të mirë ata që kanë emigruar në rrugën e Allahut, e kanë rënë dëshmorë, apo kanë vdekur Dhe, me të vërtetë, Allahu është furnizuesi (dhuruesi) më i mirë.” (el-Haxh, 58)
Me këtë ajet Allahu i Plotfuqishëm mbjell qetësi në zemrat e muhaxhirëve në rrugën e Allahut, se furnizimi i tyre nuk do të zvogëlohet fare për shkak të hixhretit, sepse Allahu është ‘Hajrurr-Rrazikin’, dmth. Allahu i furnizon në këtë botë edhe jobesimtarët më të mëdhenj, dhe as ata nuk do të vdesin derisa t’u shpenzohet nafaka, atëherë, si nuk do t’i furnizojë ata, që në emër të Tij bëjnë hixhret dhe të cilët në emër të Tij sakrifikohen.
Transmetohet se disa sahabë kishin thënë: “Si të shkojmë në një vend të huaj, ku nuk kemi asgjë, nuk i kemi as mjetet themelore të jetës?”, andaj Allahu i Plotfuqishëm e shpalli këtë ajet: “E, sa shtazë ka, të cilat nuk e bartin me vete furnizimin. Allahu i furnizon ato dhe juve! Ai, i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.” (el-Ankebut, 60)
Pra, ky ishte qetësim për shpirtrat dhe zemrat e atyre të cilët kishin bërë hixhret dhe ju ishin ndërprerë lidhjet me atdheun, me pasurinë dhe me gjithçka që kishin pasur. Allahu i mëson ata se Ai që i furnizon kafshët dhe zogjtë, të cilat nuk janë në gjendje të menaxhojnë si njerëzit, Ai i furnizon edhe njerëzit, edhe nëse në ndonjë moment të caktuar ju duket se rrugët e furnizimit ju janë ndërprerë.
Kjo sintagmë është përmendur edhe në ajetin: “Thuaj: ‘Me të vërtetë, Zoti im, i jep furnizim të bollshëm kujt të dojë nga robërit e Tij dhe ia pakëson kujt të dojë prej tyre; e, Ai ua kompenson atë që e ndani ju; dhe Ai është më i miri furnizues’.” (Sebe’, 39)
Me këtë ajet Allahu sjell qetësi dhe siguri në zemrat e besimtarëve të cilët ndajnë në rrugën e Allahut, që të mos kenë frikë, mos të frikësohen se sadaka dhe ndarja në rrugën e Allahut do ta zvogëlojë pasurinë.
Duke komentuar këtë ajet, Ibn Kethiri ka thënë: “Ai ju kompenson në këtë botë me më të mirë se ajo që keni shpenzuar, kurse në botën tjetër me shpërblim dhe sevape.”
Nafaka është paraparë dhe caktuar shumë më herët
Transmetohet nga Abdullah ibn Amër ibn el-As (r.a.), se ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin (savs), kur ka thënë: “Allahu e ka përcaktuar fatin e krijesave 50.000 vjet para se t’i krijojë qiejt dhe Tokën.” (Muslimi)
Kurse në hadithin që e transmeton Ebu Derda (r.a.), qëndron: “Vërtet furnizimi ose nafaka më shumë e kërkon njeriun sesa që e kërkon exheli.” (Taberaniu, Sahihul-xhami’, 1630)
Sikur donte të thoshte: “A keni parë ndonjëherë dikend, ose a njihni dikë që ka ikur nga vdekja? Po ashtu, nuk ka asnjë që mund të ikë nga nafaka e tij dhe nga furnizimi që i është caktuar. Njeriu e kërkon nafakën e tij, e gjithashtu edhe ajo e kërkon atë, por kurrë nuk do të takohen nëse Allahu nuk e ka përcaktuar.”
Mirëpo, problemi është në atë se njerëzit në përgjithësi nxitojnë pas nafakës, ndërsa Allahu i Plotfuqishëm, të Dërguarit të Tij, i ka shpallur: “Mos u bëni të padurueshëm në pritjen e nafakës, sepse asnjë njeri nuk do të vdesë deri sa t’i arrijë edhe pjesa e fundit e furnizimit që i është caktuar atij. Kini frikë Allahun dhe zbukuroni kërkimin tuaj.” (Hakimi dhe Bejhekiu, Sahihul-xhami’, 7323)

Tregohet se një njeriu i kishte vdekur vëllai, pas të cilit kishin mbetur 5 fëmijë (jetimë). Vëllai i tij po qante sepse fëmijët kishin mbetur pa atë, i cili do të fitonte dhe do tu sillte ushqim. Pastaj u takua me hoxhën e tij, i cili e pyeti: “Pse po qanë?”
Ai u përgjigj se i kishte vdekur vëllai dhe i kishte lënë 5 jetimë.
Hoxha e pyeti: “A ju ka lënë diçka nga pasuria?”
Ai u përgjigj: “Po për këtë vit, por çka pas kësaj?”
Hoxha i tha atij: “E pra, kur të kalojë një vit dhe kur të mbeten pa nafakë, atëherë qaj, dhe jo tani!” Transmetohet se ky njeri kishte vdekur 3 muaj para se të kalonte viti.
Nxitimi për furnizim është shkaku kryesor që i shtyn njerëzit të vrapojnë pas pasurisë haram, dhe lehtë të lëshohen në aktivitete haram si ryshfeti, korrupsioni, kamata, rrëmbimi i pasurisë në mënyrë të palejuar, edhe pse secilit prej nesh nafaka i është e caktuar dhe askush nuk do të vdesë derisa ta harxhojë nafakën. Mirëpo, ne sikur nuk jemi të bindur dhe sikur nuk i besojmë Pejgamberit (savs), andaj zhytemi në haram duke menduar se nuk ka mënyra dhe mundësi të tjera përveçse në pasurinë haram.
Allahu i Plotfuqishëm ka shpallur në Kuran: “E në qiell është furnizimi dhe premtimi juaj. (22) – Dhe, Pasha Zotin e qiellit dhe të Tokës, kjo është vërtetë e saktë, ashtu si është e vërtetë (aftësia e) të folurit tuaj.” (edh-Dharijat, 22-23)

 

Ky ajet i tregon dy kuptime madhështore: Së pari, o njeri, furnizimi yt është në qiej, prandaj mos e turpëro veten para atyre në Tokë. Dhe së dyti, ajo që është tek Allahu nuk arrihet dhe nuk kërkohet, përveçse me nënshtrim ndaj Tij.
Imam Kushejriu me shumë frymëzim e ka komentuar këtë ajet, duke thënë: “Në qiej është furnizimi juaj, kah qiejt ngrihen veprat tuaja, andaj nëse doni që tu lëshohet furnizimi juaj, atëherë kah qielli dërgoni veprat tuaja të mira. Prandaj është thënë: “Me namaz trokitet në derën e furnizimit.” Allahu i Plotfuqishëm ka shpallur në Kuran: “Dhe urdhëroje familjen tënde që të bëjë namaz dhe në këtë bëju këmbëngulës! Na nuk kërkojmë furnizim prej teje. Na të furnizojmë ty!” (Ta Ha, 132) (El-Kushejri, Letâiful-isharat, III / 465).
Njerëzit e urtë dhe dijetarët kanë thënë: “Sikur çdo njeri që flet me gjuhën e tij dhe nuk mund të flasë me gjuhë të huaj, po ashtu edhe çdo njeri e ha vetëm nafakën e tij dhe është e pamundur që ta ha nafakën e dikujt tjetër.” (Tefsirul-Kurtubi, 17/42)
Historianët muslimanë e kanë përmendur rastin e imamit Affan Ibn Muslim es-Saffarit, njërit prej mësuesve të imam Ahmedit, të cilin e detyruan të pranojë se Kurani është i krijuar, por ai nuk pranoi. Pastaj i thanë: “Do ta ndërpresim rrogën”, që çdo muaj merrte nga 1000 dërhemë, kurse ai ua citoi ajetin: “E në qiell është furnizimi dhe premtimi juaj.” (edh-Dharijat, 22)

 

Kur ai u kthye në shtëpi familjarët e tij e kritikuan për shkak se familjen e kishte lënë pa furnizim, kurse në shtëpinë e tij kishte rreth 40 anëtarë në total, dhe në atë moment, derisa ata e kritikuan atë, dikush trokiti në derë. Kur e hapën derën, një tregtar (dyqanxhi) hyri në shtëpi, duke mbajtur në dorën e tij një qese me 1000 dërhemë. Ai i tha imamit: “O Ebu Osman, Allahu të forcoftë dhe të bëftë të qëndrueshëm, këto janë 1000 dërhemë, të cilat do t’i marrësh nga unë çdo muaj.” (Tarihu Bagdad, 14/201)
Tregohet se Hisham ibn Abdulmelik kishte hyrë në haremin e Qabes dhe e kishte parë Salim ibn Abdullah ibn Omer ibn Hattabin, të cilit i kishte thënë: “O Salim, kërko nga unë çka të don!”
Salimi i kishte thënë: “Më vjen turp nga Allahu që në shtëpinë e Tij të kërkoj nga dikush tjetër përveç Tij.”
Kur kishte dalë nga haremi i Qabes, halifi i thotë atij: “Tani kërko, pasi kemi dalë nga haremi!”
Salimi e pyet: “A po mendon për nevojat e dynjasë, apo për të ahiretit?”
Halifi u përgjigj: “Për nevojat e kësaj bote.”
Salimi tha: “Pasha Allahun, unë nuk e kam kërkuar dynjanë prej Atij i Cili e posedon, e si do ta kërkoj atë nga ai që nuk e posedon.” (El-Dinveri, El-Muxhalesetu ve xhevahirul-ilmi)
Besimtari i sinqert nuk ka frikë për nafakën
Fryti i njohjes së vërtetë të emrit të bukur të Allahut Err-Rrezzak është dashuria e vërtetë dhe mbështetja (tevekkul) në aspektin e furnizimit.
Muhamed Kutbi ka thënë: “I Plotfuqishmi ka shpallur: “Allahu është me të vërtetë furnizuesi më i madh, i forti i pathyeshmi!” (edh-Dharijat, 58)
Nëse e pyetni cilindo musliman që e takoni: “Kush ta jep ty furnizimin?” Ai do të thotë: “Allahu!” Por shikoni kur nafaka dhe furnizimi t’i bëhen të pakta, sesi flet: “Ai dhe ky po duan të ma ndërpresin furnizimin!” Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë, se ai është vetëm mendimi i tij momental që ka ekzistuar në kohën e bollëkut dhe sigurisë, sepse ai hamendet dhe frikësohet sapo të jetë i ekspozuar ndaj sprovës dhe situatës së vështirë në aspektin e nafakës. Pohimi se vetëm Allahu e jep furnizimin i ndihmon vetëm atij, tek i cili është forcuar bindja deri në nivelin e besimit të vërtetë (jekin) se Allahu është Err-Rrezzak, se Ai është i Plotfuqishëm, se Ai jep jetën dhe vdekjen, se Ai jep dhe privon dhe se gjithçka është në dorën e Tij.” (Vaki’una el-mu’asir, fq. 486)

 

Besimtari nuk ka frikë për nafakën e tij, sepse frika për nafakën është veti e hipokritit, për të cilën aludon ky ajet: “Ata thonë: “Mos u jepni kurrgjë atyre që janë te i dërguari i Allahut, përderisa të largohen (prej tij)!” Por, Allahut i takojnë thesaret në qiej dhe në Tokë, por hipokritët nuk kuptojnë.” (el-Munafikun, 7)

Seid Kutbi ka thënë se këto fjalë të hipokritëve janë dëshmi e natyrës së prishur njerëzore, dhe se jobesimtarët dhe hipokritët në të gjitha brezat e kanë lënë në trashëgimi këtë metodë, për të luftuar kundër Islamit, kundër besimit të drejtë, sepse ata, për shkak të mendjes së tyre të kufizuar, mendojnë se kafshata e bukës është krejt jeta, sepse ata ashtu e shohin, dhe mendojnë se edhe besimtarët ashtu ndjehen, pastaj luftojnë kundër besimtarëve edhe në atë mënyrë duke u përpjekur t’ua mohojnë furnizimin.

A nuk e aplikuan edhe Kurejshët këtë metodë me Benu Hashimin, i dënuan ata me izolim dhe ju vendosën embargo, vetëm që të heqin dorë nga ndihma për Pejgamberin (savs). Dhe kjo metodë dhe strategji edhe sot është duke u përdorur në luftën kundër Islamit dhe muslimanëve.
Mirëpo, kur Kurejshët erdhën të ankohen te Pejgamberi (savs), për urinë dhe varfërinë, e cila e kishte goditur Mekën, sepse Sumame ibn Usal, pasi që e përqafoi Islamin, e ndaloi eksportin e grurit nga Jemame, Pejgamberi (savs), e urdhëroi Sumamen që tu sjellë grurë dhe të mos e ndërpresë tregtimin me ta, edhe pse kishin luftuar kundër muslimanëve.

Pejgamberi (savs), deshi tu tërhiqte vëmendjen atyre se, Allahut i përkasin thesaret e qiejve dhe Tokës, dhe nga ato thesare ushqehen edhe ata që u përpiqen t’ua mohojnë ushqimin të tjerëve, dhe janë idiotë të vërtetë ata që përpiqen t’ua mohojnë njerëzve të tjerë furnizimin e tyre.

Zemrat zbuten më lehtë duke ngrënë pasuri hallall
Ai që është i sigurt se Allahu e jep furnizimin, nuk do ta shtrijë dorën kah harami, dhe atij që përmbahet nga harami, Allahu me siguri do t’ia hapë rrugët e hallallit. Në këtë kuptim janë edhe fjalët e Abdullah ibn Abasit: “Nuk ka asnjë besimtar e as jobesimtar që Allahu të mos ia ketë përcaktuar furnizimin me hallall, dhe nëse është i durueshëm derisa i vjen furnizimi, Allahu do t’ia japë atij furnizimin hallall, por nëse dëshpërohet, dhe jepet pas haramit, Allahu do t’ia zvogëlojë furnizimin hallall.” (Hilyetul-evlija, I / 326)
Durimi është kulmi i guximit dhe fuqisë së imanit në një kohë kur përhapet pasuria haram dhe hyn në çdo shtëpi, siç ka thënë Pejgamberi (savs): “Do të vijë koha kur njerëzit nuk do të kujdesen se a do ta marrin pasurinë hallall apo haram.” (Buhariu dhe Ahmedi, Sahihul-xhami’, 5344)

Sufjan Thevriu ka thënë: “Unë jua rekomandoj veprat heronjve të vërtetë: Fitimin e pasurisë hallall dhe ndarjen e saj për nevojtarët.” (Ibn Ebi Hatim er-Razi, El-xherhu vet-t’adilu, I / 85)
Është pyetur Imam Ahmed Ibn Hanbeli: “Me çka zbuten zemrat!” Ai është përgjigjur: “O biri im, zemrat më së lehti zbuten duke ngrënë pasurinë hallall.” (Hilyetul-evlija, IX / 182)
Çelësat e thesareve të furnizimit
Çelësi më i mirë me të cilin çelen thesaret e furnizimit është devotshmëria (takvallëku). Allahu i Plotfuqishëm ka shpallur në Kuran: “…E kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, – dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret…” (et-Talak, 2-3)

Takvallëku është çelësi i lumturisë, edhe i asaj të papriturës, dhe sa më shumë që njeriu është i devotshëm, i vjen furnizimi më i pastër dhe më i mirë prej nga nuk e shpreson, dhe thuhet se furnizimi hallall është më i ëmbël.
Në përgjigje të pyetjes: “Ne shpesh shohim skena ku pikërisht të devotshëmve ju mohohet nafaka, kurse atyre që nuk janë të devotshëm, nuk ju mohohet, e kanë me bollëk, si të shpjegohet kjo?”
Ibn Tejmije ka thënë: “Ajeti kërkon që i devotshmi të furnizohet prej nga nuk shpreson, por kjo nuk do të thotë se ata që nuk janë të devotshëm nuk do të jenë të furnizuar, sepse të gjitha krijesat e kanë nafakën e tyre, siç thuhet në këtë ajet:
“S’ka asnjë gjallesë në Tokë, që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin…” (Hud, 6), kështu që edhe atë që e merr nga harami hyn në kuptimin e rrizkut dhe furnizimit, sepse jobesimtarët ndonjëherë pajisen me furnizim të mirë edhe përmes shkaqeve haram, kurse nganjëherë ata furnizohen me përpjekje të mëdha. Ndërsa të devotshmit, Allahu i furnizon prej nga nuk shpresojnë dhe furnizimi i tyre nuk është i fituar përmes shkaqeve haram dhe as nuk është i njollosur me haram. Të devotshmit nuk i mohohet ajo që ka nevojë prej nafakës, por ai nganjëherë ruhet nga mbeturinat e kësaj bote nga mëshira dhe bamirësia ndaj tij.” (Mexhmu’ul-fetava, 16/53)

Ndarja e sadakës e shton pasurinë
Një nga çelësat e nafakës është edhe ndarja e sadakës. Sa herë që nga pasuria jepet në emër të sadakës, pasuria rritet. Xhafer ibn Muhamedi ka thënë: “Unë ndonjëherë mbetëm pa pasuri, dhe atëherë bëj tregti me Allahun, ashtu që ndaj sadakë, dhe menjëherë realizoj fitim.” (Ibn Abdul-Berr el-Kurtubi, Behxhetul-mexhalis ve unsul- muxhalis, I / 25)

Nuk është çështja në nafakën e bollshme, por në bereqet. Mëkatet përbëjnë një derë të gjerë për zvogëlimin ose zhdukjen bereqetit. Thevbani (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Me të vërtetë njeriut i mohohet furnizimi për shkak të mëkateve që ka kryer.”

Dijetarët islamë kanë thënë: “Sikur që nuk ka Allahu shok në krijim, po ashtu nuk ka shok as në furnizim, sikur që nuk ka zot tjetër përveç Allahut, po ashtu nuk ka furnizues tjetër përveç Allahut.” Prandaj, mos kini frikë për nafakën dhe jini të kënaqur me nafakën që ju jep Err-Rrezzaku. Dhe nëse je i kënaqur me nafakën e përcaktuar do të jesh njeriu më i pasur.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm të na furnizojë me njohuri të vërtetë, me iman dhe bindje (jekin) të vërtetë.

I lutemi Allahut që të na furnizojë me hallall për të cilin nuk do të na dënojë, dhe që të na furnizojë me kënaqësi me atë që na ka përcaktuar dhe na ka dhënë.

I lutemi Allahut që të na furnizojë me të mirë më të madhe sesa ajo që ne kërkojmë në lutjet tona dhe të na largojë nga ne çdo të keqe në lidhje me këtë botë dhe botën tjetër. Amin!

Abdusamed Nasuf Bušatlić; Saff.ba;

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit