Myftiu Tërnava e ministri Buja u dakorduan që të rishqyrtohet udhëzimi administrativ që u ndalon nxënëseve të mbuluara mësimin në shkollat publike.
Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava në takim që pati sot me Ministrin e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, dr. Ramë Buja, ka kërkuar që të tërhiqet Udhëzimi Administrativ nr 6/2010 të datës 11 maj 2010, me të cilin po pengohen nxënëset që bartin shami të ndjekin procesin mësimor në sistemim publik të arsimit.
Duhet që t’u krijojmë mundësi të gjithë nxënësve tanë që të shkollohen, e jo që t’u nxjerrim pengesa për shkak të bindjeve fetare. Ministria e arsimit të shoh përvojat e shkollave në vendet e Evropës perëndimore, ku nxënëset nuk diskriminohen për shkak të përkatësisë fetare.
Myftiu, gjithashtu, tha se Bashkësia Islame së bashku me Ministrinë e Arsimit është e gatshme që të përcaktojnë një lloj të veshjes sipas parimeve islame.
Ministri Ramë Buja tha se është i përkushtuar që të rishqyrtohet Udhëzimi administrativ, ne jemi të përkushtuar që nxënësve tu mundësojmë të drejtën e shkollimit.
“Për çështjet që kanë të bëjnë me fenë do bashkëpunojmë me BIK si institucion kompetent”-tha ministri Buja./bislame/kohaislame