Me rastin e festës së Kërshëndellave myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i ka dërguar një telegram urimi ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji, të cilit i ka uruar festën duke thënë se festat fetare tek populli ynë gjithherë kanë qenë ngjarje që kanë bashkuar duke reflektuar respektin, dashurinë, mirëkuptimin dhe tolerancën.
“Kërshëndellat në vete simbolizojnë lindjen, jetën, mbarësinë dhe mesazhin për një shoqëri të ndershme e të moralshme, parime këto humane për të cilat njerëzimi ka nevojë gjithherë”, thuhet në urimin e myftiut Tërnava në të cilin shtohet se këtë vit festat marrin kuptim dhe vlerë edhe më të madhe, për faktin se gjendemi në vitin jubilar të shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë e mëvetësisë së shqiptarëve.
“I nderuar Ipeshkv, për pavarësinë e mëvetësinë e shqiptarëve s\’ka dyshim se një kontribut të determinues dhe shumë të çmuar kanë dhënë edhe prijësit fetar të popullit tonë, e të cilët në këtë përvjetor e në festat tona i kujtojmë me respekt e pietet.
Duke ju përshëndetur dhe duke ju uruar edhe një herë për këtë festë, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi, ju dhe gjithë besimtarëve të krishterë”, përfundon telegrami i myftiut të Kosovës, Naim Tërnava. /Tg/kohaislame