Paraditën e së hënës, më 8 janar 2018, myftiu i Shkodrës, imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kulturore “Yunus Emre”, ku u prit nga drejtori i saj, z. Zafer Kiyici.
Me këtë rast, drejtori i institutit turk, “Yunus Emre”, Shkodër, e falënderoi myftiun për vizitën dhe e prezantoi atë me aktivitetet e larmishme që zhvillon kjo qendër kulturore, si dhe pritshmëritë për të ardhmen.
Nga ana e tij, myftiu falënderoi kontributet e mëdha të shtetit turk për Shqipërinë, sikurse theksoi se prania e Qendrës Kulturore “Yunus Emre” ka një rëndësi të veçantë në forcimin e mëtejshëm dhe ruajtjen e lidhjeve shekullore në mesin e dy popujve dhe dy vendeve…
Myftiu theksoi se lidhjet e forta të besimit dhe kulturës, kanë dominuar dhe do të dominojnë përherë mbi çdo përpjekje për lëkundjen e tyre.
Ai falënderoi gjithashtu qëndrimet e lavdërueshme të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan në lidhje me interesat madhore të ymetit islam dhe përpjekjet në këtë drejtim.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit në mesin e dy institucioneve.