-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Mustafa thotë se demarkacioni me Malin e Zi është punë e kryer: Kosova s’e humb asnjë metër tokë

Më të lexuarat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi është punë e kryer dhe se nuk do të ketë rishikim të marrëveshjes.

I pari i LDK-së ka akuzuar kryeministrin në largim Ramush Haradinajn, se kundërshtoi për disa vjet një marrëveshje të cilën pastaj me të hyrë në qeveri e pranoi pa asnjë ndryshim.

Madje ai ka shtuar se për të kundërshtuar këtë marrëveshje nga AAK-ja e VV-ja u përdor dhunë, molotov e gaz lotsjellës.

“Unë kam menduar që kjo çështje është e kryer që nga fillimi, sepse Komisioni Shtetëror atëherë e pat bërë zgjidhjen, e pat bërë marrëveshjen, ajo marrëveshje është nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ajo marrëveshje pastaj u kundërshtua më së tepërmi nga AAK-ja, nga VV-ja, ka pasur dhunë, kallje, molotov, gaz lotsjellës, kanë qenë tonat të zezat. Mirëpo, e njëjta marrëveshje pastaj u ratifikua në Kuvendin e Republikës së Kosovës kur ishte kryeministër Haradinaj. E njëjta pa ia ndryshuar asnjë fjalë, vetëm se formalisht e futen edhe atë opinionin e Komisionit të Bulliqit dhe formalisht një Deklaratë”, ka thënë ai.

Por Mustafa ka thënë se marrëveshja është nënshkruar në Kuvendin e Malit të Zi para se të bëhej deklarata e dy presidentëve dhe tashmë është vonë që një proces i tillë të kthehet prapa.

“Marrëveshja është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi kjo që është, por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës është ratifikuar kjo marrëveshje. Dhe kjo marrëveshje tash është e ratifikuar, në qoftë se ka vullnet prej Malit të Zi që edhe njëherë të rishqyrtohet është çështje tjetër. Mirëpo në pikëpamje juridike, në pikëpamje legale marrëveshja është e përfunduar, sepse e kanë ratifikuar dy kuvendet. Ajo që është çështje e presidentëve është deklaratë që nuk shkon jashtë një deklarate, sepse ajo nuk është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi. Ajo deklaratë është dhënë në pakon e votimeve kur është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, por Mali i Zi nuk e ka ratifikuar një Deklaratë të tillë, sepse është dhënë pasi është bërë ratifikimi i marrëveshjes”, ka thënë Mustafa, për EkonomiaOnline.

Megjithatë, shprehet i bindur se marrëveshja për demarkacionin është e drejtë dhe se Kosova nuk humb asnjë metër katror dhe se kufiri është vendosur në pikat ku ka qenë edhe më herët.

“Prandaj unë edhe përkundër asaj që kisha dashur të them që ta çojmë kufirin andej kah Mali i Zi, në qoftë se ka pasur ndonjë gabim. Por konsideroj se gabime nuk ka pasur, sepse është vënë në vijën ku ka qenë vijë e kufirit mes krahinës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe ne kemi pasur sigurinë e plotë që asnjë metër katror s’ka kaluar andej. Në qoftë se dikush e gjen, përpos individëve që kanë bërë shumë zhurmë, do të ishte mirë që të rishqyrtohet”, ka thënë ai.

Mustafa ka folur edhe për taksën dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Ai ka bërë të ditur se me VV-në janë dakorduar që taksa të mbetet si pjesë e masave reciproke ndaj Serbisë, pasi që ka vlerësuar se vendi fqinj nuk po i ndal veprimet kundër Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit