0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Muslimanët në të gjithë botën nën sulmin e qeverisë kineze

Më të lexuarat

Muaji i madhërishëm i Ramazanit, është muaji më i rëndësishëm i të gjithë bësimtarëve muslimanë kudo në botë për nga mesazhi i qartë dhe i fuqishëm që ky muaj përcjell mes besimtarëve. Ndryshe njihet si muaji në të cilin ka zbritur libri i shenjtë Kur’ani, si “udhërrëfues për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra)” (El-Bekare, 185). Muaj të cilin besimtarët musliman kudo në botë e presin me gëzim të madh dhe atmosferë festive spese ai është muaj i faljes, i paqes, bamirësisë, mëshirës, pendimit, durimit dhe solidaritetit me të tjerët. E ndërkohë që muslimanët në të gjithë botën po përjetojnë muajin e madhërishëm të ramazanit përmes adhurimeve dhe agjërimit duke shpërndarë paqe dhe bekime, ka vende të cilat jo vetëm që nuk respektojnë besimin e tyre, por shkelin në mënyrë abuzive, flagrante dhe të përsëritur të drejtat themelore të njeriut, siç është edhe e drejta për të besuar.

Një nga këto vende është qeveria kineze, për të cilën ka fakte e prova të dokumentuara dhe të pakundërshtueshme si për rastin e Ujgurëve, por edhe raste të tjera për të cilat do të flasim më poshtë. Për të kuptuar filozofinë dhe qasjen e shtetit kinez për muslimanët duhet të rikujtojmë vuajtjet e panumërta të ujgurëve nëpër kampet e përqendrimit. Denigrimi i dinjitetit njerëzor dhe zhbërja e indentitetit fetar dhe kulturor ka qenë dhe mbetet qëllimi kryesor i qeverisë kineze ndaj ujgurëve. Kjo sjellje është në fakt pasqyra që i tregon jo vetëm vendeve muslimane por të gjithë botës se çfarë është në gjendje dhe e gatshme të bëjë qeveria kineze kur vjen puna tek raporti që ajo ka me muslimanët dhe fenë Islame. Raporti i saj me muslimanët edhe në këto ditë të shenjta Ramazani është internimi, burgosja, marrja e pronës dhe pasurisë, ndalimi i islamit, shembja e xhamive dhe së fundimi edhe sulmet kibernetike ndaj gjithë botës Islame. Nuk kishte sesi qeveria kineze të mos e shpërfaqte më në fund ideologjinë e vertetë mbi muslimanët dhe islamin me akte që cënojnë jo vetëm muslimanët në territorin e shtetit kinez, por të gjithë muslimanët kudo në botë, siç është edhe rasti i mëposhtëm. Është faktuar tashmë nga burime të ndryshme zyrtare se një grup kibernetik i paidentifikuar i Republikës Popullore të Kinës (RPK) ka ndërhyrë në serverin e postës elektronike që i përkiste rrjetit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) me seli qendrore në Jeddah të Arabisë Saudite. Ky grup i RPK ka grumbulluar mijëra e-maile që përbëjnë 6 gigabajt me të dhëna të cilat u morën për analizim nga RPK. Të gjitha këto të dhëna, përfshirë informacione personale biografike, janë në kontrollin e këtij grupi kibernetik të RPK.

Ky sulm ndaj Organizatës së Bashkëpunimit Islamik është një sulm i pastër hakmarrjeje ndaj 57 shteteve anëtare të kësaj organizate dhe besimtarëve musliman të këtyre vendeve të cilat kanë dënuar shumë ashpër modelin komunist të trajtimit në mënyrë ç’njerëzore të ujgurëve ndër vite. Organizata e Bashkëpunimit Islamik është një organizatë e nivelit të lartë ku diskutohen çështje të rëndësishme, hartohen politika, projekte dhe strategji afatmesme e afatgjata në interes të pothuajse 1.8 miliard njerëzve që janë pjese e 57 shteteve anëtare. Ndërhyrja e qeverisë kineze për të tjetërsuar informacione të klasifikuara të OBI-së është një lajm që dëshmon qartë interesin e saj për të dëmtuar interesat e muslimaneve kudo nëpër botë. Akte të tilla që ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme në të dhënat e një organizate të rëndësishme dhe serioze si OBI na sinjalizojnë se aktiviteti i qeverisë kineze në këtë drejtim mund të përshkallëzohet edhe më tej. Ndaj, Shqipëria, si një vend anëtar i OBI-së duhet të tregojë kujdes të shtuar jo vetëm në këtë drejtim, por në çdo raport marrëdheniesh më shtetin kinez. Vemendje të veçantë këtij problemi duhet t’i kushtojnë edhe qeveritë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Edhe pse këto vende nuk janë anëtare të OBI-së, ato ndihmohen dhe asistohen për çëshjte të ndryshme humanitare dhe ekonomike nga kjo e fundit si vende me popullsi muslimane. Modeli sadist i qeverisë kineze si në kontekstin ekonomik por edhe atë politik është së pari një rezik eminent për vetë lirinë e popullit kinez, por edhe një kërcënim i madh për të gjithë besimtarët muslimanë. Vlerat dhe parimet që përaqëson ky shtet sot janë katërcipërisht të kundërta me ato të vendeve perëndimore dhe ato të besimtarëve muslimanë.

Ndaj lind nevoja që si qytetar të botës së lirë të njohim më mirë realitetet ekonomike dhe politike të vendeve të ngjashme si Kina. Është e rëndësishme të studiojmë vlerat, parimet dhe filozofinë që ato përfaqësojnë në qeverisje, politikbërje, dhe vendimarrje në raport me qytetarët e tyre, por edhe me axhendat dhe influencat ndërkombëtare. Sa më të informuar dhe të ndërgjegjshëm të jemi si shoqëri për realitetet, qëllimet dhe modelet komuniste të vendeve si Kina aq më imun do të jemi edhe ndaj modeleve të gabuara qeverisëse që mund ti imponohen vendit tonë. Në fund, duhet të rikujtojmë se ekziston një dallim i qartë midis modelit komunist kinez dhe modelit kapitalist perëndimor në respektimin e lirisë, vlerave fetare dhe dinjitetit njerëzor.

E pikërisht për këtë dallim thelbësor, për mënyrën sesi Partia Komuniste Kineze i trajton qytetarët, ujgurët, si e trajton fjalën e lirë, dhe për sulmet e vazhdueshme ndaj muslimanëve meriton të refuzohet dhe dënohet me ashpërsinë më të madhe nga vendet demokratike dhe qytetarët e botës së lirë. “Liria nuk është e rëndësishme për demokracinë, ajo është vet demokracia”.

Autor: Leons Hasani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit