-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Municioni Iranian në konfliktet afrikane

Më të lexuarat

Për vite me radhë, municion pa etiketë apo ambalazhim është transportuar në zonat e përfshira nga konflikte të përgjakshme në Afrikë, ndër to në Sudan, Republikën Demokratike të Kongos dhe Bregun e Fildishtë. Pas një hetimi gjashtë vjeçar, hetuesit thonë se kanë zbuluar se ku prodhohet ky municion. Korrespondentja Selah Henessy njofton nga Londra:

Një raport i ri, i publikuar në janar, thotë se municioni iranian po qarkullon në zona të gjera në Afrikë, megjithëse Kombet e Bashkuara kanë vendosur embargo ndaj Iranit.
Një arritje e madhe për hetuesit u shënua në vitin 2010, kur forcat e sigurisë kapën në portin Apapa në Lagos të Nigerisë 13 kontenierë me 240 tonë municione.
Më pas, fatura e shkarkimit tregoi se kontenierët ishin dërguar nga Irani me etiketën “materiale ndërtimi”.

Plumbat ishin identike me ato që janë vërejtur në pika të ndryshme në Afrikë, fillimisht në Kenian veriore në vitin 2006. Por hetuesi James Bevan thotë se plumbat nuk kishin markë specifike.

“Prodhuesi vendos vulën e tij mbi gëzhoja në mënyrë që të identifikohet origjina e produktit dhe vendi ku u prodhua. Por jo në këtë rast. Vula përmban vetëm informacion mbi kalibrin e plumbit dhe vitin e prodhimit”.

Zoti Bevan thotë se provat tregojnë se ky municion përdoret nga forcat qeveritare në Sudan, Guine, Bregun e Fildishtë dhe Kenia:

“Qeveritë afrikane e importojnë municionin nga Irani dhe e përdorin për forcat e tyre të sigurimit. Ky municion më pas trasferohet, qoftë në duart e grupeve rebele në vendet fqinje ose në duart e kryengritësve”.

Grupet rebele e kanë përdorur municionin në zona të rëndësishme konflikti, thotë zoti Bevan, përfshirë Republikën Demokratike të Kongos ku miliona vetë kanë gjetur vdekjen gjatë konfliktit që ka vazhduar më shumë se dy dekada.

Teherani nuk ka reaguar ndaj raportit dhe hetuesit thonë se nuk e kanë të qartë cili autoritet specifik në Iran është përgjegjës për transferimin e armëve. Më së fundi është finalizuar një traktat i OKB për Tregtinë e Armëve, për mbikqyrjen e shitjeve ndërkombëtare të armëve.

Agjencia ndërkombëtare Oxfam kërkon që kontrolli i municionit të jetë pjesë e traktatit, megjithëse ka kundërshtime nga një numër vendesh përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
Oxfam thotë se 12 miliardë plumba prodhohen çdo vit. Organizata kërkon vendosjen e rregullave të reja për të garantuar që municioni nuk do të bjerë në duart e gabuara.
Martin Butcher është këshilltar për armët pranë Oxfam.

“Faktori më i rëndësishëm për pakësimin e viktimave civile në veçanti dhe uljen e intensitetit të konflikteve është reduktimi i furnizimit me municion. Ka qeveri dhe grupe të armatosura në Afrikën nën-sahariane të cilët kërkojnë municion. Municioni po tregtohet në tregun gri ku nuk ekzistojnë rregullore të qarta, si dhe në tregun e zi për të ushqyer këto konflikte”.

Trupat ndërkombëtare po përleshen aktualisht me ekstremistët islamikë në Mali. Në Nigerin fqinj, islamistët thuhet se po përdorin municion iranian. Zoti Bevan thotë se ekipi i tij ka në plan të shkojë në të ardhmen në Mali për të mësuar nëse municioni iranian është i pranishëm edhe në këtë konflikt afrikan./voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit