Çmimi i një prej delikatesave më të shtrenjta, e cila përdoret në desertë dhe parfume nuk ka ndryshuar në gjashtë vitet e fundit, ndërsa tani është rritur për gati 4 euro për kg.
Pas gjashtë vjetësh stagnimi, çmimet e shkopinjve të vaniljes janë rritur papritmas, kështu që kilogrami kushton 23 në vend të 19 eurove të deritashme. Mungesa botërore e vaniljes mund të rrisë edhe çmimet e akullores këtë verë, paralajmërojnë ekspertët.
Vanilja, përndryshe një nga delikatesat e preferuara, rritet më së shumti në Meksikë, Indi dhe Madagaskar. Këtë vit rendimentet në Meksikë dhe Indi ishin jashtëzakonisht të këqija, prandaj tregtarët e mëdhenj kanë filluar të blejnë prodhimet, duke e ditur që Madagaskari prej tani ka monopolin. Pikërisht, grumbullimi i rezervave rrit çmimin e vaniljes, shkruan “Daily Mail”.
Përveç shafranit, vanilja është delikatesa më e shtrenjtë për shkak të prodhimit që kërkon shumë kohë sepse rritet në llojet e caktuara të orkidesë. Edhe pse më së shumti njihet si shtesë e akullores, vanilja përdoret edhe në parfume, qirinj aromatikë, por edhe për qëllime mjekësore./koha/kohaislame