3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Multikulturalizmi vazhdon të ekzistojë

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Multikulturalizmi vazhdon të ekzistojë

Multikulturalizmi vazhdon të ekzistojë
 
NGA LEWIS GROPP
Kohët e fundit kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se multikulturalizmi nuk ekziston më.
Në realitet, kjo deklaratë nuk ka asnjë bazë, sepse fjala “multikulturalizëm” nënkupton thjesht bashkekzistencën funksionuese të kulturave të ndryshme brenda një komuniteti, që do të thotë se në fakt, multikulturalizmi është një koncept universal, i pandryshueshëm. Dhe në një botë të globalizuar, ky koncept është më i vlefshëm sesa kurrë më parë, duke qenë se nuk ekziston më një shoqëri apo komb homogjen për sa u përket etnive.
Zërat anti-islamë dhe armiqësia kundrejt emigracionit po rriten edhe mes njerëzve, të cilët kanë të drejtën e votës. Ish-politikani dhe anëtari i bordit të Deutsche Bank, Thilo Sarrazin, në librin e tij që e botoi këtë verë,Germany is Doing Away with Itself, nxiti debatin publik për multikulturalizmin, kur ai deklaroi se shkalla e lartë e emigracionit në Gjermani po shpinte në një rënie të rrezikshme të qytetërimit, ngase gjatë procesit po rrezikohen ’’gjenet gjermane’’  të cilësisë së lartë.
Është e pamundur të mohosh se emigracioni i pakontrolluar ka shkaktuar probleme me integrimin në Evropë në të kaluarën. Për shembull, shumë pjesëtarë të komunitetit emigrues izolohen nga shoqëria, duke u ndjerë të përjashtuar në shumë raste, për shkak se nuk e dinë mirë gjuhën gjermane. Për shkak të problemit me gjuhën, mësuesit në shkolla nuk mund të zhvillojnë orë të rregullta mësimi, sepse nxënësit nuk e kuptojnë atë që u thuhet.
Gjithashtu, shumë emigrantë në moshë të re, të cilët jetojnë në Gjermani, duke qenë se ndihen të huaj, izolohen nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe bëhen më të hapur ndaj mendimeve ekstremiste dhe ndoshta kjo e shpjegon një komplot për bombë në një stacion treni në vitin 2006, i cili dështoi, ku ishin përfshirë dy të rinj libanezë, të cilët kishin vite që jetonin në Gjermani. Megjithatë, është e panevojshme të themi se vetëm një numër shumë i vogël i këtyre emigrantëve tregohen të gatshëm të përfshihen në akte terrorizmi.
Por…
Ky debat është i turpshëm, kur merr parasysh se Gjermania për lulëzimin e saj si një prej kombeve më të pasura të botës, i detyrohet shumë emigrantëve punëtorë turq, të cilët u vendosën këtu në vitet 60. Pa ata, Gjermania nuk do të ishte shteti i pasur që është sot. Politikanët në Berlin janë të vetëdijshëm për këto çështje dhe asnjë nuk është i përgatitur të deklarojë sot se bashkekzistenca në një shoqëri pluraliste është e mundur pa vlerat bazë që zbatohen për të gjithë.
Institucioni politik është në dijeni se problemet me integrimin, me të cilat po përballemi sot, mund t’i atribuohen kryesisht problemit socio-politik, jo një problemi gjenetik apo fetar. Tezat absurde të parashtruara nga Sarrazin mund të përgënjeshtrohen menjëherë thjesht duke hedhur një vështrim përtej Atlantikut: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, myslimanët emigrantë (dy të tretat e myslimanëve amerikanë kanë lindur jashtë) janë më të integruar dhe më të suksesshëm ekonomikisht sesa emigrantët e tjerë, sipas një sondazhi të vitit 2007, dhe gjithashtu ata kanë një shkallë më të lartë arsimimi.
“Ne ndihemi të lidhur me vlerat e krishtera. Ata që nuk i pranojnë ato, nuk kanë vend këtu”, ka deklaruar kancelarja Angela Merkel.
Një prej faktorëve që mund të ketë nxitur Merkelin të bëjë këtë deklaratë është se kriza ekonomike në Gjermani, ashtu si edhe në pjesën më të madhe të Evropës, ka shkaktuar një klimë pasigurie. Në kohë të trazuara, njerëzit nervozohen, dhe njerëzit nervozë priren të sillen më me agresivitet.
Megjithatë, rendi bazë demokratik nuk është i rrënjosur në prosperitetin ekonomik, por te idetë. Në ide si të drejtat e barabarta dhe liria e feve. Dhe, gjatë qeverisjes së Merkelit, qeveria gjermane është përpjekur shumë që t’i promovojë këto vlera. Për shembull, gjatë legjislaturës së fundit, Ministri i Brendshëm Wolfgang Schäuble deklaroi me vetësiguri se Islami është pjesë e Gjermanisë. Dhe presidenti i ri gjerman, Christian Wulff, e përforcoi këtë mesazh gjatë fjalimit që mbajti me 3 tetor, Dita e Bashkimit Gjerman, në përkujtim të përvjetorit të ribashkimit të gjerman në vitin 1990.
Megjithatë, kritikat që iu bënë Wulff si pasojë nga partia e tij dhe popullsia e përgjithshme ishin të konsiderueshme, duke ekspozuar kështu një perceptim mbizotërues, se ai po shkatërronte vlerat kulturore perëndimore.
Në fakt, është e vërtetë krejt e kundërta. Me mesazhin e tij, Wulff nënvizoi se të krishterët që jetojnë në Turqi, ashtu si myslimanët që jetojnë në Gjermani, kanë të drejtë të trajtohen njëlloj. Dhe ata, të cilët deklarojnë se bota perëndimore duhet të mbrojë rrënjët e saj të krishtera dhe të mohojë Islamin kategorikisht, në fakt po punojnë kundër demokracisë dhe lirisë fetare.
Prandaj, jo, multikulturalizmi nuk është zhdukur, sepse një shtet që bazohet në vlerat demokratike themelore, si liria e adhurimit, e tregon forcën e tij të vërtetë, jo duke refuzuar, por duke pohuar diversitetin e tij kulturor.
Kështu ka qenë gjithmonë, dhe do të vazhdojë të jetë.
Lewis Gropp është gazetar i pavarur me bazë në Cologne të Gjermanisë, i cili po specializohet për çështjet e besimit dhe letërsinë botërore. Ai punon gjithashtu për Qantare.de, një revistë online që trajton çështjet që lidhen me botën perëndimore dhe myslimane.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit