3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Mulla Tahir Efendi Thaçi (1898-1984).

Më të lexuarat

Në përkujtim, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Mulla Tahir ef. Thaçi ishte burrë i urtë, i ditur, i ndritur, shumë i matur dhe me sjellje shembullore. Për këto cilësi, të gjithë e donin, e respektonin, aq sa disa, disa burra me emër, thonin:

“Nëse ka sot evlija, n’ket dynja, ai, pa shybe, asht Mulla Tahir Efendija…!”

Prejardhja familjare

Mulla Tahir Efendi Thaçi është njëri prej hoxhallarëve më të respektuar të Gjakovës, të Kosovës. Është djali më i madh, prej katër djemëve, i Mulla Himës (Adurrahimit). Të katër djemtë e Mulla Himës ishin hoxhallarë, dy prej tyre ishin hafizë. Emrat e katër djemëve të Mulla Himës janë:

Mulla Tahir Efendiu (1898-1984), Mulla Ragibi (1900-1984), Hafiz Hysniu (1910-1954) dhe Hafiz Selimi (1913-2001). Gjyshi i Mulla Tahirit ishte Hafiz Muhamediu Efendiu, Myderriz në Medresen e Madhe të Gjakovës, i cili i ka lënë katër djemë, të gjithë hoxhallarë, hafizë e myderrizë, emrat e tyre janë: Myderriz Salih Efendija, Myderriz, Ali Efendija, Myderriz, Hafiz Iljaz Efendia dhe Mulla Abdurrahim Efendija.

Stërgjyshi i mulla Tahirit është Myderrizi, Hafiz Yvejs Efendija, themeluesi dhe Myderrizi i parë në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila i ka dhënë dritë gjithë Kosovës. Yvejs Efendija është djali i Myderrizit, Hafiz Jahja Efendiut, me prejardhje nga Shkodra. Pra, ky është një rast i rrallë, ku në disa brezni dalin në vazhdimësi, hoxhallarë, myderrizë, hafizë, myfti, nga një shtëpi. Por, kur do Zoti, çdo gjë bëhet!

Para-ardhësit e Mulla Tahirit ishin pothuajse të gjithë hoxhallarë, imamë, myderrizë, hafizë, ka patur edhe myfti, siç ishte edhe Myftiu i Gjakovës, Hafiz Ismail Efendi Yvejsi, një nga udhëheqësit e Degës së Lidhjes së Prizrenit në Gjakovë dhe pjesëmarrës në Kuvendit e Lidhjes së Prizrenit, në Prizren, më 1878….

Lindja shkollimi, shërbimi dhe burgimi

Mulla Tahiri lindi në Gjakovë, më 1898. Mësimet e para i kreu në Gjakovë, i vazhdoi në Medresenë e Madhe, kurse i përfundoi në Medresenë “Mehmed Pasha”, në Prizren, ku diplomoi te dijetari i mirënjohur Myderrizi, Nysret Efendi Galibi, i cili ishte edhe Myfti i Prizrenit.

Mulla Tahir Efendi Thaçi, mbasi diplomoi në Prizren, u kthye në Gjakovë, ku filloi detyrën si imam, hatib (predikues) dhe mualim (mësues). Shërbeu për më se gjysmë shekulli, duke filluar në Gjakovë, mandej, për një kohë të gjatë, rreth njëzet e pesë vjet në Podrimje. Shërbeu në Ratkoc të Rahovecit dhe më në fund përsëri në Gjakovë, në Xhaminë e “Mahmud Pashës” dhe të “Haxhi Ymerit.”

Mulla Tahiri ishte burrë i urtë, i ditur, shumë i matur dhe me sjellje shembullore. Për këto cilësi, të gjithë e donin, e respektonin, aq sa disa, disa burra me emër, thonin:

“Nëse ka sot evlija, n’ket dynja, ai, pa shybe, ashtë Mulla Tahir Efendija…!”

Tërë jetën e kaloi fare thjesht, si një sufi i vërtetë. Kishte një bibliotekë të pasur, vazhdimisht lexonte, shënonte, studionte me pasion. Ishte dashamirë i letërsisë, i dinte pothuejse përmendësh bejtet e Tahir Efendisë (Vehbijen) bejtet e Mulla Shejh Malës, me të cilin ka pasë edhe muhabet…I njihte për bukuri veprat e Imam Gazalit, Rumiut, Ibën Arabiut, Sa’adiut…

Ka pasë një shkrim shumë të bukur, vërtet artistik! Gati të gjitha diplomat (ixhazetnamet), qysh kur ishte nxënës, ishin shkruar prej Mulla Tahir Efendiut, sipas porosive të myderrizëve të medreseve të Gjakovës dhe të Prizrenit.

Përveç ndjenjave të pastra fetare, Mulla Tahiri kishte ndjenja të zjarrta atdhetare. Në dokumentet sekrete të Beogradit, të publikuara nga historiani, Dr.Hakif Bajrami, rreth shpërnguljes së shqiptarëve, emri i mulla Tahirit është shënuar dy herë, ku shkruan se:

“Dy herë i janë kërcënuar që të shpërngulet për në Turqi. Nëse nuk shpërngulej, do ta burgosnin me familje në Nish…!”

Gjatë viteve 1950-1960, Mulla Tahir Efendiun e burgosën dy herë, ku kishte vuajtur shumë, por ai nuk fliste kurrë, më shumë fliste trupi i tij i dërmuar, i shkretë, se ai vetë…!

Edhe mbas vuajtjes së burgut, Mulla Tahir Efendija jetoi në Gjakovë në skamje, por nuk e lëshoi Kosovën, derisa i mbylli sytë, duke marrë abdes, për të falë namazin e sabahut, më 4 nëntor 1984, në moshën 86 vjeçare!

U varros po atë ditë në Gjakovë, ku u përcoll me nderime të mëdha për në jetën e amshueshme.

Mulla Tahir Thaçi ka lënë dy djem, Hamdiun dhe Qemajlin, dhe dy vajza, Munibe Thaçi Muçaku dhe Safije Thaçi Dorambari.

Djali i madh i Mulla Tahirit, Hamdi (Tahir) Thaçi (1933-2010) është ndër nxënësit, studentët e parë shqiptar që u shkollua jashtë, Medresenë e kreu në Damask, në Siri, në vitin 1965. Menjëherë i vazhdoi studimet në Karaçi, Pakistan, ku edhe diplomoi në Fakultetin e Drejtësisë.

Studimet postdiplomike i vazhdoi në Universitetin e Panxhabit në qytetin Lahore, në Pakistan, ku edhe magjistroi në letërsi-filozofi në vitin 1971.

Edhe pasi magjistroi, Mr. Hamdiu Thaçi nuk ju nda studimit, hulumtimit, duke përgatitur temën e doktoraturës me mbi 800 faqe me titullin: “Dy koncepte të filozofisë”…

Djali i dytë i Mulla Tahirit, Qemajl (Tahir) Thaçi (1945-2012) ka studiue Historinë e Artit në Universitetin e Beogradit dhe është i pari shqiptar në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi që kreu studimet post-diplomike në Historinë e Artit. Pas diplomimit ka ligjëruar Historinë e Artit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë….

Përgatiti: Mexhid Yvejsi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit