1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Mulla Idriz Gjilani dhe Idriz Seferi – dy personalitete kombëtare që nuk harrohen

Më të lexuarat

Edhe shqiptarët e Anamoravës kanë meritat e tyre të pamohueshme në pavarësinë e shtetit shqiptar. Gjurmë të pashlyeshme në këtë rrugëtim kanë lënë edhe atdhetarët e mëdhenj Mulla Idriz Gjilani e Idriz Seferi.

Mulla Idriz Gjilani, udhëheqës i Lëvizjes për Çlirim Kombëtar dhe njeri besnik i idealeve të larta kombëtare, për gjysmë shekulli i shërbeu kombit të tij dhe me të drejtë cilësohet si njeriu i epokës.

Kush është Mulla Idriz Gjilani?

Historianët e cilësojnë atë një personalitet historik me përmasa legjendare. Shquhet në veprimtarinë e tij për bashkimin e trojeve etnike. Nën motivacionin për ruajtjen e substancës etnike shqiptare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavinë Avnojiste, duhet t`i ndahet edhe mirënjohja këtij tribuni kombëtar. Sipas dr Muhamet Pirrakut, Mulla Idris Gjilani ishte ideolog, udhëheqës i pa epur, frymëzues, guximtar e sakrifikues.

Para 70 vjetësh, ai shkruante se “Kosova është tokë e shenjtë, që ne kurrkujt nuk ia kemi grabitur, por na kanë lënë baballarët tanë, që edhe ata vetë e trashëguan prej gjyshave e të parëve të tyre”. Në çdo diskutim apo vend ku diskutohej për çështjen kombëtare, Mulla Idris Gjilani jepte mesazhin e paqes e tolerancës: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyrë kemi mbrojtjen e Atdheut, të kufirit të Shqipërisë, këtu përballë armikut shekullor”.

Si komandant i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare në Nënprefekturën e Gjilanit, rojeve të kufirit në viset Prapashticë–Bujanoc-Preshevë-Kumanovë u la amanet se “Njeriu ka një nënë, ka një babë, ka një Zot, ka një Vatan që i detyrohet jeta… Pa vatan të lirë, nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as xhenet”. Ishte njeri i penës dhe i pushkës, i cili dijen dhe guximin për veprim e pati në proporcion të barabartë. Luftën për komunizëm e cilësonte tradhti dhe mashtrim. Shikuar nga aspekti i mënyrës së martirizimit, Mulla Idris Gjilani e mbylli jetën në mënyrën që ia preferonte vetes dhe bashkëluftëtarëve, i pamposhtur për lirinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Pas sulmit në Gjilan, që u bë pa pëlqimin e Mulla Idrisit, ai strehohet në fshatin Tugjec e pastaj te familja patriotike Sadiku në Gjyrishec. Aty qëndroi pesë vjet me popullin dhe në kontakt të përhershëm me Lëvizjen e Rezistencës. Një ditë, pas shumë kërkimesh, zbulohet dhe arrestohet. Djali i tij, Isa i kishte vetëm shtatë vjet, kur babanë e tij e sollën të prangosur në burgun e Gjilanit, natën e 22-23 nëntorit 1949. Lajmi për arrestimin e Mulla Idrizit u përhapë me shpejtësi. Nuk dinim se çka do të sillte e nesërmja. Shkuam ta vizitojmë, por nuk u lejuam ta shohim, thotë Isa.

Pas tri ditësh, më 26 nëntor familjes ia kumtojnë lajmin për vdekjen e Mulla Idrizit. Gjatë kohës së kaluar në hetuesi, Mulla Idrizi përjetoi torturat më të tmerrshme, por s`u dorëzua. Trupin e tij, pas mesnatës së datës 26 nëntor 1949 e nxjerrin nga burgu dhe e dërgojnë në periferi të Gjilanit, në vendin e quajtur ”Gllamë”, ku e ndezin. Eshtrat që janë gjetur sivjet në këtë lokacion, nga një kompani që po kryente punime rrugësh, dyshohet të jenë të Mulla Idris Gjilanit.

Sipas ekspertëve, eshtrat janë të vjetra rreth 60 vjet e më tepër, gjë që përkon me kohën kur ishte martirizuar heroi ende i pa laureuar i Kosovës, por që kjo të vërtetohet saktësisht, duhet të kryhen edhe analiza tjera, të cilat, sipas Isës, nuk mund të bëhen në Kosovë dhe janë të kushtueshme.

Kush ishte Idriz Seferi ?

Idriz Seferi ishte njëri ndër udhëheqësit kryesor që organizoi luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj. Historiani Aliriza Selmani thotë se Idriz Seferi frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet tjera shqiptare.

Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Kushtrimit të Idrizit, populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij. Shkrimtari Ibrahim Kadriu, autor i romanit “Kalorësi i Karadakut”, kushtuar kryetrimit të kësaj ane, thotë se Idriz Seferi u rrit dhe u edukua nëpër oda, pasi që babai i kishte vdekur herët. Kundërshtoi të gjitha reformat e asaj kohe që ishin në kundërshtim me të drejtat e njeriut. U dënua disa herë dhe nga të gjithë pushtetet e asaj kohe, Serbia, Bullgaria, Turqia, madje edhe me burgim deri në 101 vjet. Duke hulumtuar jetën dhe veprimtarinë e Idriz Seferit, shkrimtari Ibrahim Kadriu tha se ka mësuar se pavarësia e shqiptarëve ishte planifikuar të shpallej në Shkup, por se kishte ndodhur një mosmarrëveshje mes kryengritësve. Çka ka ndodhur, këtë duhet ta hulumtojnë dhe ta thonë historianët, ka thënë Kadriu.

Pushtuesit e dinin se një pavarësi e shqiptarëve do të shpallej diku, por ata ishin të interesuar që ta reduktonin këtë pavarësi në pikëpamje territoriale sa më shumë që ishte e mundur. Shpallja e pavarësisë në Vlorë, la jashtë shtetit shqiptar trojet tjera. Kadriu tha se pushtuesit i njihnin mirë aftësitë e Idriz Seferit, prandaj i kishin ofruar të gjitha privilegjet, nëse bashkëpunonte me ta, por Idrizi nuk pranoi.

Historiani Rasim Rexhepi thotë se Idriz Seferi nuk luftoi për pasuri, por për komb e për atdhe. Pesë djemve të tij u la vetëm një shtëpi të vogël. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë Qazimin dhe Ramadanin në Akademinë Ushtarake, ai i përgjigjet duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende.

Ndërkaq, historiani Fitim Rifati, thotë se Idriz Seferi ishte komandant i kryengritjeve dhe lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe mbetet figura më emblematike e luftës për çlirimin e viseve shqiptare. Që në moshë të re u përball me aktivitetin e çetave serbe e bullgare, ndaj qëllimeve të të cilave nuk u pajtua në asnjë mënyrë.

Kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk.

Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin kombëtar të arsimit dhe shkollës shqipe si në Gjilan e rrethinë të tij, dhe kudo në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës. Politika demagogjike, obskurantiste dhe reaksionare xhonturke, në kauzalitetin e situatës dhe rrethanave nëpër të cilat po kalonin shqiptarët, diktonte në esencë nevojën e autonomisë territoriale dhe administrative të Shqipërisë.

Ky program u proklamua jo si doktrinë e vetme e platformës së Rilindjes, por si komponentë e përkohshme dhe e hartuar në simetri me aktualitetin e përgjithshëm shqiptar, ballkanik e më gjerë. Për realizimin e kësaj platforme politike kombëtare, Idriz Seferi jo rastësisht u gjend në krye të udhëheqjes popullore në kryengritjet kundër osmane të viteve 1910 dhe 1912. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të trupit të atdheut.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit