9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Muhamedi dhe Perëndimi

Më të lexuarat

John L. Esposito

Diskutimet e muslimanëve për rendin e ri moral të Islamit dhe natyrën normative të jetës së Muhamedit duket sikur përplasen me perceptimet perëndimore për Islamin. Nëse tradita muslimane priret ta mitizojë Profetin, tradita perëndimore shpesh e ka denigruar dhe demonizuar kujtimin e tij. Dy çështje në veçanti – trajtimi që Muhamedi u bëri hebrejve dhe poligamia e tij – kanë shërbyer si alibi, ose më mirë të themi, si themeli mbi të cilin kritikët dhe polemizuesit perëndimorë kanë ndërtuar qëndrimet e tyre.

Në fillimet e predikimit të tij, Muhamedi i konsideroi hebrenjtë dhe të krishterët e Arabisë si aleatë natyralë, fetë e të cilëve kishin goxha të përbashkëta me Islamin. Ai paramendoi pranimin dhe mbështetjen e tyre. Komuniteti islam i themeluar në Medinë kishte të njëjtën pikë orientimi si hebrenjtë gjatë faljes, Jeruzalemin. Sidoqoftë, fiset e hebrenjve, të cilët jetonin prej kohësh në Medinë dhe kishin lidhje politike me kurejshët, u përpoqën t’i shmangeshin bashkëpunimit politik dhe fetar me muslimanët. Ata mohuan profetësinë e Muhamedit dhe mesazhin e tij duke bashkëpunuar me armiqtë e tij në Mekë. Përderisa kushtetuta e Medinës u akordonte atyre autonomi në çështjet e brendshme dhe ato fetare, pritej që ata të tregonin besnikëri politike. Gjithsesi, Kur’ani i akuzon hebrenjtë për shkeljet e rregullta të pakteve të nënshkruara: “Pse sa herë që bëjnë një pakt, një grup prej tyre e shkel njëanshëm atë?” (2:100)

Pas çdo beteje të rëndësishme, një nga fiset e hebrenjve akuzohej dhe ndëshkohej për akte të tilla. Perceptimi i mosbesimit, intrigës dhe refuzimit që hebrenjtë ngjallën tek muslimanët fillimisht rezultoi në dëbimin dhe pastaj në luftimin e tyre. Pas betejës së Bedrit, nga Medina u dëbua fisi i Benu Kainukës, ndërsa pas betejës së Uhudit ai i Benu Nadirit. Pas betejës së Hendekut në vitin 627, hebrenjtë e fisit Benu Kurejza u shpallën tradhëtarë për bashkëpunimin e tyre me mekasit. Siç ishte e zakonshme për traditën arabe (dhe atë semitike), burrat u ekzekutuan. Gjithsesi, është e rëndësishme të pohojmë se motivimi për akte të tilla ishte politik dhe jo racial apo fetar. Edhe pse Benu Kurejza kishte qëndruar formalisht neutral, ata kishin bashkëpunuar me kurejshët. Për me tepër, fiset e dëbuar çifute i kishin mbështetur aktivisht mekasit. Muhamedi u përpoq me vendosmëri të mposhte hebrenjtë e mbetur në Medinë të cilët përbënin kërcënim të vazhdueshëm për konsolidimin e rendit islam.

Duhet të kemi parasysh edhe një argument tjetër. Përdorimi i luftës nga Muhamedi nuk ishte diçka e pazakontë as për traditën arabe dhe as për profetët e hebrenjve. Të dyja palët besonin se Zoti kishte urdhëruar luftimin e armiqve të tij. Historitë biblike të profetëve Moisi, Xhoshua, Elijah, Samuel, Saul dhe David janë të mbushura me luftëra të kryera në emër të Zotit. Ata ishin të detyruar të merrnin armët sa herë që ishte e nevojshme të luftonin ndaj atyre që sfidonin Zotin, të luftonin “në emër të Zotit, Zotit të ushtrive të Izraelit.” Ngjashëm, duke folur mbi pushtimet izraelite, Moisiu thotë: “Në atë kohë iu udhërova: “Zoti ua ka dhënë këtë tokë në zotërim juve…Nuk duhet të keni frikë prej tyre; sepse është Zoti juaj që lufton përkrah jush.” (Deutoronomi 3:18-22)

Për perëndimorët, martesat e Muhamedit prej kohësh kanë shërbyer si burim kriticizmi ndaj karakterit moral të Profetit. Një autor i njohur britanik shprehet:

”Asnjë prijës fetar nuk ka qenë aq djallëzor sa Muhamedi. I sulmuar në të shkuarën si heretik, mashtrues dhe epshor, edhe sot mund të gjejmë burime të cilët i referohen me epitetin ‘profeti i rremë’.” Një shkrimtar modern gjerman e akuzon Muhamedin si njeri epshor të rrethuar nga vajza të reja.

Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se ky burrë u martua në moshën 25-vjeçare dhe jetoi plot 25 vite në lumturi dhe besnikëri me gruan e tij, deri kur ajo vdiq, në moshën 49-vjeçare. Vetëm gjatë moshës 50-62 vjeç, kohë në të cilën vdiq, Muhamedi u martua me disa gra të tjera. Prej këtyre grave vetëm njëra ishte e virgjër dhe pjesa më e madhe e martesave u kryen për arsye sociale dhe politike. Sigurisht që rasti i Profetit është shumë më fisnik se ai i kreut të kishës së Anglisë, Henrit të VIII-të.

Në shqyrtimin e martesave të Profetit duhet të mbajmë në mendje disa arsye. Së pari, kultura semitike në përgjithësi dhe praktika arabe në veçanti e pranonte poligaminë. Ishte praktikë e zakonshme në shoqërinë arabe, veçanërisht mes fisnikëve dhe prijësve. Edhe pse më pak e zakontë, poligamia lejohej edhe në judaizmin biblik dhe pas-biblik. Nga koha e Abrahamit, Davidit dhe Solomonit deri në periudhën e reformimit, poligamia praktikohej nga shumë hebrenj. Edhe pse ligji hebre ndryshoi pas mesjetës si rrjedhojë e ndikimit të krishterimit, hebrenjtë që ndodheshin nën sundimin e muslimanëve e konsideronin poligaminë të ligjshme, edhe pse nuk e praktikonin në masë. Së dyti, gjatë rinisë së tij, Muhamedi ishte i martuar vetëm me një grua, Hatixhen. Së treti, ai u martua me disa gra vetëm pas vdekjes së saj. Së katërti, lejimi i posaçëm prej Zotit që i mundësonte Muhamedit të martohej me më shumë se katër gra, erdhi pas vdekjes së Hatixhes. Mbi të gjitha, shumica nga 11 martesat e tij kishin motive politike dhe sociale. Siç ishte zakon mes parisë arabe, martesat shërbenin për forcimin e aleancave. Të tjerat ishin martesa me vejushat e miqve të tij që kishin vdekur në beteja dhe që kishin nevojë për përkrahje. Martesat e vejushave ishin të vështira në një shoqëri që i kushtonte rëndësi virgjërisë së femrave. Aisha ishte virgjëresha e vetme me të cilën Muhamedi u martua. Ajo është gruaja me të cilën ai pati lidhjen më të fortë. Së pesti, siç do të shikojmë në vijim, mësimet dhe veprimet e Muhamedit, sikurse edhe mesazhi Kur’anor, përmirësuan gjendjen e grave, vajzave, nënave, vejushave dhe jetimëve.

Arsyet politike dhe sociale të martesave të Profetit nuk duhet të errësojnë faktin se Muhamedi ndihej i tërhequr dhe i shijonte gratë e tij. Të mohosh këtë do të thotë të kundërshtosh këndvështrimin islam mbi martesën dhe seksualitetin, të bazuar në shpalljen hyjnore dhe traditën profetike, që theksojnë rëndësinë e familjes dhe e konsiderojnë seksin si dhuratë që duhet shijuar përmes lidhjes së ligjshme martesore. Historitë e shumta mbi përkujdesjen dhe shqetësimet e Muhamedit për gratë e tij reflektojnë pikërisht këto vlera.

Shkëputur nga “Islami: Rruga e Drejtë” nga prof. John L.Esposito, Drejtor i Qendrës për Mirëkuptimin mes të Krishterëve dhe Muslimanëve në Universitetin Georgetown.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit