1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Mrekullitë e Jezusit A e shëndrrojnë atë në qenie Hyjnore?

Më të lexuarat

Senad Maku

Duke lexuar dhe shfletuar literaturë të ndryshme, sidomos atë krishtere në lidhje me Jezusin, vërejmë se; pothuajse në çdo literaturë të tyre, ajo e botuar apo në internet, qoftë edhe nga vet misionarët kur ndalesh dhe debaton me to, vërejmë kur është në pyetje hyjnia e Jezusit, i cekin edhe mrekullit e bëra nga ai duke argumentuar me anë të tyre hyjninë e vet Jezusit. Jezusi i ringjalli të vdekurit, eci mbi ujë, shëroi sëmundje të ndryshme, etj.etj. gjë që sipas tyre meriton dhe e shëndrrojn qoftë në Zot apo tek disa të tjerë në bir të Zotit.

Muslimanët për shekuj të tërë kanë mbajtur besimin se Jezusi (Isau a.s.) ishte njeri dhe njëri ndër shumë të dërguarit që Allahu xh.sh. i dërgoi njerëzimt për ta udhëzuar atë drejt vullnetit të Tij.
Isau a.s. (Jezusi) ishte njëri ndër pejgamberët e zgjedhur të Allahut xh.sh., ishte një nyje në zinxhirin e gjatë të Pejgamberëve prej Ademit a.s. deri tek i dërguari i fundit Muhamedi a.s. që Zoti i dërgoi që ta përcjellin mesazhin e Tij, njerëzve, kombeve të ndryshme sa herë që ata kishin nevojë për një udhëheqje apo që devijonin nga mësimet e Zotit xh.sh.

Hebrenjët, Izraelitët të cilët kishin devijuar nga mësimet e Musait a.s. dhe të dërguarve të tjerë që kishin ardhur tek ai popull, dhe të cilët e braktisën rrugën e drejtë dhe besimin e pastër të cilët Pejgamberët e Zotit iu kanë treguar. Allahu xh.sh. përgaditi në mënyrë të vecantë Isaun a.s. (Jezusin) për të vazhduar misionin e Pejgamberëve të tjerë para tij duke i thirru njerëzit në rrugë të drejtë dhe besimin në një Zot dhe duke i larguar nga rruga e shtrembërt, idhujtaria.
Si cdo Pejgamberët e tjerë edhe vet Jezusi kishte mrekulli të cilat i bënte me ndihmën e Zotit të Plotfuqishëm për t’iu treguar masës se është i dërguar nga Allahu xh.sh-Pejgamber, dhe duhet ti besoni misionit të tij.

Sa i përket mrekullive të Isaut a.s. (Jezusit), libri i fundit i shenjtë Kur’ani, të cilin krijuesi ia shpalli Pejgamberit të fundit Muhamedit a.s. është burim për njohjen e Jezusit , që është i panjohur për shumë studiues të krishterimit. Kur’ani Famëlartë i cek këto mrekulli të tija dhe bile tregon se Mrekullitë janë burim nga Zoti i Plotfuqishëm, e jo nga vet Jezusi.

Në suren Ali Imran, ajeti 49 tregon fjalët e Isaut a.s. që iu drejtua Beni Israilëve (populli që u dërgua Isau a.s.) ku thotë: “Dhe, të dërguar te bijtë e Israilit: unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend, unë i sheroj të verbërit, të sëmurit ne lëkurë, dhe unë me lejen e All-llahut ngjalli të vdekurit: unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depononi në shtëpiat tuaja. Vertetë, kjo është fakt për ju nëse jeni besimtarë”. Jezusi bëri edhe mrekulli të tjera, e që Bibla nuk flet gjë për to, është se Jezusi (Isau a.s.) foli kur ishte foshnje në djep. Kur populli e akuzonin nënën e tij Merjemen (Marinë) për tradhëti pasiqë e panë me foshnje, sepse ajo nuk ishte e martuar. Si mund të kesh lindur fëmijë pa qenë e martuar? Kur dihet se prej çfar familjeje të ndershme je, si ke mundur ta bësh një krim të tillë? Këto akuza dhe pyetje i bëheshin Merjemes sikur të ishte autore e krimit. Merjemja (Maria) nuk u përgjigjte, heshte dhe bënte me shenjë kah foshnja e porsalindur që të flisnin me të, i cili do t’u përgjigjej pyetjeve dhe akuzave që i bënin asaj. Zoti i Plotfuqishëm bëri mrekulli që Isau a.s. të flasë qysh foshnje i vogël dhe ti demantoj shpifjet dhe akuzimet ndaj nënës së vet. Këtë ngjarje e tregon Kur’ani Famëlartë, citoj: “Dhe duke e bartur ngryk shkoj me të te të afërmit e vet ata i thanë: “Oj Merjeme, ke bërë një punë shumë të keqe!” Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme! Atëherë ajo u dha shenjë kah (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij që ëshë foshnjë në djep?” Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jemë gjallë! Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm! Selami (shpëtim prej All-llahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë!” Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime. (Merjem 27-33)

Poashtu edhe tek surja Ali Imran 46, tregon mrekullin që Jezusi duke qen në djep ju flet njerëzve: “E që duke qenë në djep (foshnje) u flet njerëzve…”

Mrekullia tjetër që Bibla nuk e përmend është edhe zbritja e sofrës nga qielli, që apostujt (Havariunët) e Jezusit (Isaut a.s.) kërkuan nga ai që ta lus Zotin xh.sh. që ta zbresë një tryezë-sofër nga qielli, citoj nga Kur’ani: “Dhe (përkujto) kur Havarijjunët thanë: “ O Isa, bir i Merjemes, Zoti a mund të na zbresë një tryezë nga qielli?” (Isai) tha: “Keni frikë All-llahun nëse jeni besimtarë!” (Ata) Thanë: “Ne dëshirojmë të hamë nga ajo dhe të na binden (edhe më shumë ) zemrat tona dhe të vërtetojmë bindshëm se na e the të vërtetën e të bëhemi dëshmues të saj!” Isai, bir i Merjemes, tha: “O All-llah, Zoti ynë, zbritna nga qielli një tryezë, të na jetë festë (gëzim)për ne dhe për ata (që vijnë) pas nesh, të jetë argument prej Teje, dhe dhurona se Ti je furnizuesi më i mirë!” All-llahu tha: “Unë atë ua zbres, e kush prej jush mohon pastaj, Unë atë e dënoj me një dënim që nuk e dënoj asnjë nga njerëzit”. (El-Maide 112-115)

Për fat të keq të krishterët mundohen që me anë të mrekullive të Jezusit ta ngrisin në shkallën hyjnore dhe ta quajnë Zot. Duke menduar se mrekullit që ka bërë Jezusi si ka bërë kush tjetër para tij dhe kështuqë duhet të jetë patjetër Zot. Shtrohet pyetja: Mrekullitë që ka bërë Jezusi, a e shëndrrojnë atë në qenie Hyjnore?
Po të shikojm dhe analizojmë biblën në tërësi me ato mrekulli që i ka bërë Jezusi do të vërejmë se ai edhe pse i ka pasur këto mrekulli nuk mund të quhet Perëndi, nga fakti se Zoti xh.sh. ia ka mundësuar cdo të dërguari të Tij të ketë mrekulli dhe që këto mrekulli mund ti kenë pasur edhe të tjerët.
Ne do ti elaborojmë disa nga këto mrekulli të Jezusit, si p.sh.:

a) Sipas Biblës tregohet se Jezusi ushqeu 5000 njerëz me 5 bukë dhe 2 peshq.
Në Bibël tregohet: “Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave. Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot. Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët. (Mateu 14:19-21)
Ose Jezusi ushque 4000 veta me 7 bukë e disa peshq të vegjël, siç tregohet në një vend tjetër: “Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ”Si do të mund t’i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?”. Dhe ai i pyeti: ”Sa bukë keni?”. Ata i thanë: ”Shtatë”. Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë. Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t’i shpërndahen turmës. Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan. Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi. Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës”. (Marku 8:4-10)

Të njëjtën gjë kreu Eliseu dhe Elijah. Eliseu ushqeu 100 njerëz me 20 bukë të bëra prej thekri dhe disa kallinj gruri. ”Erdhi pastaj një njeri nga Baal-Shalila, që i solli njeriut të Perëndisë bukë nga korrja e parë; njëzet bukë prej elbi dhe disa kallinj gruri. Eliseu tha: “Jepjua njerëzve që ta hanë”. Por shërbëtori i tij u përgjigj: “Si mund ta shtroj këtë përpara njëqind vetave?”. Eliseu urdhëroi përsëri: “Jepjua njerëzve që ta hanë, sepse kështu thotë Zoti: “Do të hanë dhe ka për të tepruar””. Kështu ai e shtroi para njerëzve, që hëngrën dhe teproi sipas fjalës së Zotit. (2 Mbretërve 4:42-44)

Poashtu Eliseu i dha një të veje vaj dhe i tha (Libri 2 Mbretërit): “Shko shite vajin dhe paguaji borxhet. Pjesa tjetër do të mjaftojë që sot e tutje”. Shih gjithashtu libri i parë i Mbretërve: “ Shporta me miell nuk u mbarua dhe as gypi i vajit nuk shteroi, u bë kështu pra, Fjala e Perëndisë përmes Elijas”. Po kështu, në 1 Mbretërve 17:6 thuhet: “Korbat i sillnin (Elias) bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua”.

b) Jezusi shëronte të lebrosurit.
Mrekullia tjetër është shërimi i lebrozëve, citoj: “Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: ”Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh”. Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: ”Po, e dua, qofsh i pastruar”. Dhe menjëherë lebra iu zhduk”. (Lluka 5:12-13)
“Dhe erdhi tek ai një lebroz i cili, duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: ”Po të duash, ti mund të më pastrosh”. Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ”Po, e dua, qofsh pastruar!”. Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua”. (Marku 1:40-42)
“Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ”Po, unë dua, shërohu”. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij”. (Mateu 8:3)

Edhe Eliseu i tha Neomanit i cili ishte lebros që të shkonte dhe të lahej në lumin Jordan, ku bibla e tregon ku thotë: “Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai u pastrua”. (2 Mbretërve 5:14)

c) Mrekullia tjetër ishte që tua kthente shikimin të verbërve.
Bibla e tregon këtë mrekulli ku thotë: “Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: ”Çfarë do që unë të të bëj?”. I verbëri i tha: ”Rabboni, që të më kthehet të parit!”. Dhe Jezusi i tha: ”Shko, besimi yt të shëroi”. Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë”. (Marku 10:51-52)
“Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte. Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë. Dhe ai, duke hapur sytë, tha: ”Po shoh njerëz si pemë që ecin”. Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka”. (Marku 8:22-26)
“Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të. Pastaj i tha: ”Shko, lahu në pellgun e Siloamit” (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë”. (Gjoni 9:6-7)

Sipas biblës tregohet se të njëjtën gjë e kreu edhe Eliseu: “Pastaj Eliseu u lut dhe tha: “O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë”. Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut….. Kur arritën në Samari, Eliseu tha: “O Zot, hapua sytë që të shohin”. Zoti ua hapi sytë dhe ata panë; ja, ndodheshin brenda në Samari”. (2 Mbretërve 6: 17,20)
Po në 2 Mbretërve 6: 18, thuhet se Eliseu mund të shkaktonte verbërimin: “Ndërsa Sirët po zbrisnin në drejtim të Eliseut, ky iu lut Zotit dhe i tha: “Të lutem, goditi këta njerëz me verbëri”. Dhe ai i verboi sipas fjalës së Eliseut”.

d) Jezusi mund të ringjallte të vdekurit.
Kjo është njëra ndër mrekullitë ku misionarët mundohen sa më tepër ta ngrisin në shkallën e hyjnisë Jezusin, duke pasur parasysh se ai ringjalli të vdekurit që sipas tyre kjo cilësi i takon vetëm Zotit, meqë Jezusi e pati këtë cilësi atëher duhet të quhet Zot! Por a e ka pasur vetëm Jezusi këtë mrekulli? Le të lexojmë në vazhdim. Bibla thotë, citoj: “Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do”. (Gjoni 5:21)
“Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit,…..Jezusi qau. Atëherë Judenjtë thanë: ”Shih, sa e donte!”….. Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur. Jezusi tha: ”Hiqni gurin!”. Marta, motra e të vdekurit, i tha: ”Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh”. Jezusi i tha: ”A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?”. Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: ”O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar. Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar”. Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: ”Llazar, eja jashtë!”. Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: ”Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!”. (Gjoni 11:33-44)

Nga ky citat vërejm edhe dicka interesante, ku tregon qartazi se mrekullia e bërë në ringjalljen e të vdekurit, është nga ana e Zotit Fuqiplotë e jo nga vet Jezusi, sepse “ Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: ”O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar”, kjo tregon se Jezusi ska mundur të bëj asgjë vet pa ndihmën e Zotit xh.sh. dhe mrekullit ishin burim nga Zoti Fuqiplotë. Sepse Jezusi tha: “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime…”. (Gjoni 5:30)

Por a e ka pasur veç Jezusi këtë mrekulli? JO. Të njëjtën mrekulli rreth ringjalljes së të vdekurve, e ka poseduar edhe Elija shih tek 1 Mbretërve 17:22 ku thuhet: “Zoti e plotësoi dëshirën e shprehur në zërin e Elias; shpirti i fëmijës u kthye tek ai dhe ai mori jetë përsëri”. Poashtu shih edhe tek 2 Mbretërve 4:34, citoj: “Pastaj hipi mbi shtratin dhe u shtri mbi fëmijën; vuri gojën e vet mbi gojën e tij, duart e veta mbi duart e tij; u shtri mbi të dhe mishi i fëmijës filloi të ngrohet”.
Madje edhe kockat e Elijas mund të kthenin një të vdekur në jetë po të fërkoheshin pas kufomës: “Por ndodhi që, ndërsa disa varrosnin një njeri, panë një bandë plaçkitësish; kështu e hodhën njeriun në varrin e Eliseut. Sa arriti ai të prekë kockat e Eliseut, u ringjall dhe u ngrit në këmbë”. (2 Mbretërve 13:21)
Kurse thuhet se Ezekieli ka ringjallur shumë më tepër të vdekur se sa c’ka bërë Jezusi: “Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit, dhe më lëshoi në mes të një lugine që ishte plot me kocka. Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata. Më tha: “Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?”. Unë u përgjigja: “O Zot, o Zot, ti e di”. Më tha akoma: “Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit. Kështu ju thotë Zoti, Zoti, këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni. Do të vë mbi ju mishin, do t’ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti”. Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra tjetrës. Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato. Atëherë ai më tha: “Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë”. Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe”. (Ezekieli 37:1-10)

Pjetri ngjalli Tabithën pasi ajo kishte vdekur: “Atëherë Pjetri, mbasi i nxori jashtë të gjithë, u ngjunjëzua dhe u lut. Pastaj iu kthye trupit dhe tha: ”Tabitha, çohu!”. Dhe ajo i hapi sytë dhe, si pa Pjetrin, u ngrit ndenjur”. (Veprat 9:40)

e) Jezusi mundi të ec mbi ujë.
Bibla tregon se Jezusi eci mbi detë-ujë: “Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det”. (Mateu 14:25)

Po të analizojm mirë dhe të bëjm një krahasim të thjesht në mes Jezusit dhe Moisiut, vërejm se, Moisiu bëri një mrekulli më të madhe se vet Jezusi, Moisiu shtriu dorën e tij mbi detë dhe deti u hap, citoj: “Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre”. (Exodi 14:22)
Poashtu edhe Pjetri eci mbi ujëra, siç ceket tek Mateu 14:29, citoj: “Ai tha: ”Eja!”. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi”.

f) Jezusi ka mundur ti tremb, apo ti largojë djajtë.
Lluka tregon se Jezusi tha: “Dhe ai u përgjigj atyre: ”Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime…” (Lluka 13:32), kurse Marku tregon: “Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë, duke thënë: ”Ç’ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatë-rrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë”. Por Jezusi e qortoi duke thënë: ”Hesht dhe dil prej tij!”.Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij. (Marku 1:23-26)

Të njëjtën gjë Jezusi e ka pranuar se këtë mund ta kryenin edhe të tjerët, shih tek Mateu 12:27 dhe Lluka 11: 19. Shpirtërat e këqinj dëboheshin edhe prej dishepujve të Jezusit, shih Mateu 7: 22: “Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”.
Madje Jezusi profetizoi se mrekullitë do të kryhen edhe nga profetë të rremë: “Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit”. (Mateu 24:24)

Tërë këto mrekulli të Jezusit kanë qenë të kryer edhe nga profetët e tjerë, nga dishepujt e tij, madje edhe nga njerëzit tjerë. Pra këto mrekulli Jezusi i kreu me ndihmën e Zotit ku thotë: “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime…”. (Gjoni 5:30) dhe “Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju”. (Lluka 11:20)

E tërë kjo që u tha, a mund të themi që Jezusi është Zot, nëse Po, atëher të gjithë të tjerët na qenkan zotëra të cilët i kan poseduar të njëjtat mrekulli si Jezusi.
Të nderuar lexues, Isau a.s. (Jezusi) erdhë me argumente, mrekulli që Allahu xh.sh. ia mundësoi si çdo pejgamberi tjetër. Erdh tju tregoi rrugën e drejt dhe të vërtetë. Të besojmë në Allahun Një, ta adhurojmë vetëm Atë, e jo të besojm se Jezusi është Zot, bir i Zotit, apo pjesë e trinisë. Larg qoftë Ai nga ato që i shpifin.
Kur’ani Famëlartë tregon: “Po kur Isai erdhi me argumente tha: “Erdha te ju me pejgamberllëk dhe erdha t’ju sqaroj atë pjesë që e kundërshtonit, pra kini frikë All-llahun dhe më respektoni mua! S’ka dyshim, se All-llahu është Ai Zoti juaj, andaj Atë adhuronie! Kjo është rrugë e drejtë!” . (Zuhruf 63-64)
“O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thuani tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besonie pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah; larg qoftë asaj që Ai të kektë fëmijë. ç’ka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që All-llahu është planifikues i pavarur”. (Nisa 171)

Si përfundim po e përmbyllim me fjalët e Allahut të Plotfuqishëm ku iu drejtua Muhamedit a.s. për t’ia tërhjekur vërejtjen ithtarëve të librit, të krishterëve dhe hebrenjëve, ku ju thotë: “Thuaju (o i dërguar): “‘O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njejtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos All-llahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)!” (Ali Imran 64)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit